“Pararoja” me reagim artistik si kundërpërgjigje ndaj karantinës

Katër artistë shqiptarë i kanë hyrë një aventure artistike për krijimin e një reviste, apo zine, siç njihet formati i saj. Krijimet e tyre që gjenden brenda “Pararojës” janë reflektim i artistëve gjatë periudhës së karantinës për shkak të pandemisë së virusit COVID-19.

Të gjendur përballë një realiteti të ri, Blerta Hoçia, Driton Selmani, Ledia Konstandini dhe Olson Lamaj kanë shfaqur nëpërmjet artit të tyre përjetimet dhe këndvështrimet që kanë pasur gjatë kësaj periudhe. Secili artist ka hapësirën e vet brenda zinës, lloj reviste publikuar nga një grup me format e tirazh më të vogël – lansuar në fillim të muajit, në Tiranë, në ambientet e “BERK” – që në thelb është një shtëpi e pavarur botuese, por edhe një librari.

Ledia Kostandini me vizatimet e saj synon të ilustrojë në mënyrë mjaft kreative një plan për t’i ikur një situate pandemie. Blerta Hoçia, tek reflekton mbi pasojat e pandemisë në Shqipëri, tregon historinë e një nate, atë të 17 majit, kur u bë shembja e objektit të Teatrit Kombëtar në Tiranë dhe dhunën policore kundër qytetarëve, artistëve dhe aktivistëve.

Driton Selmani vjen me zinën e titulluar “Më në fund të shoh me ngjyra”, ku fton publikun të ngjyrosë zinën e tij të shtypur në bardhë e zi. Imazhet, ilustrimet dhe shkrimet janë një përmbledhje e shënimeve të tij personale gjatë periudhës së mbylljes në shtëpi. E Olson Lamaj – ai që i bëri bashkë artistët për realizimin e kësaj zine – sjell një tregim sa intim aq edhe kolektiv të karantinës. Çdo imazh i tij vjen si një ditar sa personal aq dhe kolektiv për jetën në periudhën e pandemisë globale.

Artisti Olson Lamaj, që jeton dhe punon në Tiranë, ka thënë për KOHËN se periudha e karantinës, e cila ka qenë shumë e ngarkuar edhe në aspektin psikologjik, e kishte nxitur që të binte në kontakt me miqtë e tij për krijimin e asaj që mori emrin “Pararoja”. Kështu të katër artistët, edhe pse në një situatë jo shumë të volitshme, por të entuziazmuar, ishin bërë bashkë në këtë “sfidë”, siç i referohet Lamaj.

“Ideja e krijimit të një platforme editoriale ka qenë një dëshirë e mëparshme, por asnjëherë nuk kemi gjetur guximin dhe vullnetin ta ndërtonim konkretisht si projekt. Një arsye tjetër është edhe fakti që secili prej nesh ka eksperienca në editoriale dhe tregimet artistike në formë imazhesh ose ilustrimesh, na vijnë shumë natyrshëm”, ka thënë ai. Ka shtuar se zinat si formë botimi po ashtu i lejon artistët që të eksperimentojnë dhe të arrijnë një target-grup tjetër te publiku.

“Pandemia ime e parë”, titullohet zina e artistit Olson Lamaj, i cili në Kosovë për herë të fundit ishte paraqitur me ekspozitë, vitin e kaluar në Prizren, në ekspozitën kolektive “Nata e bardhë”. Sipas artistit, titulli, ani pse mjaft ilustrues, mundohet që të bëjë ironi me situatën, transmeton ‘koha.net’.

“Për shumicën prej nesh ka qenë pandemia e parë, por, si çdo gjë që është për herë të parë, mbart me vete të gjithë frikën që vjen nga mosnjohja e fenomenit. Libri që unë kam sjellë mundohet të reflektojë mbi sjelljet njerëzore në një kohë kur secilit prej nesh na duhet të ndryshojmë mënyrën e organizimit të jetës sonë sociale”, ka thënë ai. Imazhet që ai ka përzgjedhur janë nga arkivi i tij personal. Në zinën e tij mund të gjenden foto të jetës së përditshme: që nga larja e duarve e deri tek leja e daljes nga policia e shtetit.

“Një tjetër fenomen që jam munduar të prek është ai i imazheve që shkëmbeheshin nëpërmjet mediave sociale dhe Whats App-it. Akoma sot në telefonat tanë gjen statistika të numrave të të infektuarve me COVID-19 ose receta shtëpiake se si të parandalosh virusin”, ka thënë ai.

Blerta Hoçia, artistja dhe kuratorja nga Shqipëria, e cila jeton në Prishtinë, ka thënë se gjithmonë e kanë tërhequr botimet artistike si zinat. “Pararojën” ajo e ka parë si një kundërpërgjigje ndaj situatës së krijuar. E pasi që ajo mendon se arti midis të tjerash është në thelb edhe një formë rezistence, nuk kishte se si të refuzonte një ftesë të tillë.