Parashikimet e Martin Camajt rreth Kosovës në vitin 1957

martin camaj
Martin Camaj

Nga: Martin Camaj

“Pak a shum dhe në Shqipni nacjonalistat ndahen po në dy opinjone. Gjithkush asht kureshtar me dijtë, por ma tepër se askush jugosllavët, se çka mendon qeverija e soçme shqiptare mbi ket çashtje.
Mbas mendimit tem ata të Tiranës nuk kanë qëndrim të caktuem në ket mes, pse ata, si në çdo gja tjetër, janë të mvarun prej rusëve. Asht e vërtetë se rusët machiavelista nacjonalizmin shqiptar e shfrytzojnë ndër rasa të ndryshme si mjet presjoni kundra Jugosllavis, por rusët në kurrnji rasë nuk kanë me qenë në favor të shqiptarëve të Kosovës.

Çka mendojnë jugosllavët? Si partija komuniste jugsllave ashtu çdo rrymë tjetër mbrenda këtij shteti qi ka në program nji pushtet jugosllav, qofshin kta dhe kroatë ase sllovenë nuk e lëshon Kosovën pa gjak e luftë. Kosovarët ket gja e dijnë shum mirë, prandej çdo intelektual dhe njeri që mendon realisht ndër shqiptarët nën Jugosllavi e ka humbë shpresën në fuqin fizike dhe u mbetet me shpresue se ishalla ka me ardhë nji ditë kur fuqitë e mëdha, për interesa të veta, kanë me urdhnue jugosllavët që të rrinë në caqet e veta e t’i lanë shqiptarët me jetue si donë ata. Me ket mendim bashkohem dhe unë, megjithse asht mjaft fatalist.

Kosovarët shqiptarë bajnë detyrën e vet: mundohen me ruejtë ata çka kanë me të gjitha forcat e veta. Masa e intelektualve të rij, pergjithsisht, lot nji politikë “bashkimi dhe vllaznimi”, gja që nuk asht aspak bindëse për kurrnji grup etnik në Jugosllavin e soçme! Asht interesant me u gjete në qytetin e Prishtinës në kohë të mbrames kur populli del në shëtitore: nuk mundesh me e gjetë nji grup të përziem serbë e shqiptarë, por fare janë të ndamë dyshë, në nji anë serbët e në nji anë shqiptarët.”

*Martin Camaj, Letër Mustafa Krajës për gjendjen në Kosovë 1957

Përgatiti: Agim Morina

ObserverKult

Lexo edhe:

TRI DEKADA PA MARTIN CAMAJN: “SI I VURI ISH-SIGURIMCAT NË LOJË…”