Pas aktores, reagon Altin Basha: ‘Kur gënjen pa pikë turpi, si mund të më kërkojë llogari’

Pas reagimit të Egla Cenos, e cila ka akuzuar për dëmtim morali dhe dhunim privatësie regjisorin e “Portokalli” Altin Basha, ku i fundit ka treguar versionin e tij të historisë.

Basha, është shprehur për “Report Tv” se arsyeja e largimit të Cenos nuk ka qenë “mospërputhja artistike me të”, por performanca e dobët e aktores në skenën e spektaklit.

“Ajo ka gënjyer për shkaqet e largimit. Ka thënë se kemi “mospërputhje artistike’’. Publiku e pa të vërtetuar të zezën mbi të bardhë nga sms-të, se aktorja ka qenë e vetëdijshme për performancën e dobët dhe ka njoftuar se do të largohej nga Portokalli. Sms janë komunikime pune dhe jo private. Nëse gënjën pa pikë turpi publikisht dhe nga sms del një mashtruese ordinere pa pikë etike, si mund të më kërkohet mua llogari pse i publikova? Sepse është mashtruese, ja pse.

Gënjen kur thotë se sms-të e publikuara janë të shkëputura nga konteksti. Ka shumë sms të tjera që do ta turpëronin në sytë e opinionit të cilat do t’i publikoj të gjitha nëse vazhdon të mashtrojë paturpësisht. Do të këshilloja t’i ribotosh sms-të tashmë të publikuara që të jetë e qartë gjuha që përdor ajo dhe gjuha që përdor unë. Aty kuptohet qartë cili është profesionisti. Gënjen përseri kur thotë se do bëhem Drejtor i Teatrit Kombëtar. Nuk e ndaloj dot të publikojë thashethemet e kafeve rreth teatrit, por për çdo gënjeshtër do të marrë përgjigje. Mesa duket i është bërë ves. Komentet janë çështje karakteri dhe edukate. Unë e kam pasur studente. E kam mësuar si të rrijë në skenë dhe për më tepër e kam promovuar gjithmonë në shfaqjet që kam drejtuar. Investim i gabuar.

Mund të edukoj profesionistë, por nuk edukoj njerëz. E kuptoj se po punon me zell për t’i shërbyer fushatës së baltës të cilën e promovon injoranca, qentë endacake që lehin në portale dhe llumi mediatik për shkak të marrëdhënieve të acaruara mes meje dhe Ben Blushit. Pastaj ajo herë thotë më ke promovuar dhe herë thotë më ke penguar. Kjo është qesharake. Për çështjen e promovimit është tashmë fakt shumë i njohur se unë jam regjisori që më shumë se cilido në Shqipëri ka promovuar të rinj në teatër dhe Tv. Ekziston një kategori aktorësh për të cilët një regjisor ose pedagogu më i mirë në botë kur i lavdëron, por kur i kritikon je njeri i keq. Kush është marrë me regji dhe pedagogji më kupton shumë mirë. Bëhet fjalë për rolin e Zimbiles që është një nga personazhet më të dobët që kanë dalë ndonjëhëre në skenën e Portokallisë.”-përfundon Basha.

Raporti i acaruar mes Cenos dhe Bashës ka nisur pas disa mesazheve të publikuara në portale, ku aktorja kërkonte një përgjigje përfundimtare nga regjisori nëse do të ishte ose jo pjesë e “Portokalli” në sezonin e ri.