Pas debutimit në Kanë, filmi shqiptar bëhet pjesë e listës së çmimeve “Oscar”

“The Van” ishte filmi i parë që çoi Shqipërinë në Festivalin e Filmit në Kanë. Së fundmi, filmi me regji të Erenik Beqirit është bërë pjesë e listës së nominimeve të “Oscars” në kategorinë “Filmi më i mirë me metrazh të shkurtër”.

Për këtë sukses ka reaguar vetë Beqiri përmes një reagimi në rrjete sociale, ku shkruan: “Jam shumë krenar që filmi ynë ja doli të jetë pjesë e listës së ngushtë së çmimeve Oscar, por filmi nuk do të ishte bërë pa përfshirjen e të gjithëve. Faleminderit dhe urime.”

Krahas “The Van”, në këtë kategori konkurrojnë dhe filma të tjerë si “Bittu”, “Da Yie”, “Feeling Through”, “The Human Voice”, “The Kicksled Choir”, “The Letter Room”, The Present”, “Two Distant Strangers” dhe “White Eye”.

“The Van” flet për një djalë rreth të 20-ve i cili ka si qëllim të emigrojë jashtë vendit. Në mënyrë që të fitojë sasinë e duhur të parave sa me shpejt, ai pranon të bëhet pjesë e disa ndeshjeve që zhvillohen brenda një furgoni. Rregullat e furgonit janë të thjeshta, dyert mbyllen dhe furgoni niset në një trajektore rutinë, duke u kthyer në pikën e nisjes. Dyert hapen dhe nga aty mund të dalë vetëm një fitues.

“The Van” është një prodhim shqiptaro-francez dhe në role janë aktorë si Arben Bajraktaraj, Afrim Muçaj aktori francez Phenix Brossard, Lulzim Zeqja, etj./ ObserverKult