Pas kërcënimeve me jetë, Agron Tufa kërkon azil politik në Zvicër

agron tufa

Shkrimtari Agron Tufa, drejtor i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKPK) ka kërkuar azil politik në Zvicër, shkaku i kërcënimeve të vazhdueshme që ka marrë kohëve të fundit.

Ai ka paraqitur dorëheqjen nga ISKPK, përmes një letre dërguar kryetarit të Bordit Drejtues te ISKPK, Uran Butka.

Lajmin e ka bërë të ditur në një postim në rrjete sociale të hënën në orët e vona të mbrëmjes, avokati i tij Kujtim Cakrani.

“Kërcënimet dhe zvarritja pafund e gjyqit, mosfillimi i procesit ndaj Cajës, kërcënimet në rrugë dhe format e fshehta të shantazhit, e kanë shtyrë Drejtorin e Institutit për Studimin e Krimeve të Komunizmit Z. Agron Tufa, të kërkojë strehim politik për të mbrojtur familjen dhe jetën e tij! Në një vend ku krimi komunistë i djeshëm është më i egër se kurrë, kërkimi dhe vendosja e drejtësisë është e pamundur”, – shkruan Cakrani, transmeton ObserverKult.

Shkrimtari Tufa ka deklaruar muajve të fundit se është kërcënuar vazhdimisht nga persona qe sipas tij i tremben dosjeve të komunizmit, i shumë prej të cilëve ndodhen ende në pozita të larta në institucione të ndryshme shtetërore. / ObserverKult