Pas restaurimit, vazhdojnë debatet për Mësonjëtoren e Korçës- tash ka vërejtje për muzeun

Restaurimi dhe muzealizimi i Mësonjëtores së parë shqipe (Muzeut të Arsimit në Korçë) nga studioja projektuese “Iri” pas rihapjes nuk është mirëpritur nga qytetarët korçarë.

Pas debateve për zhvendosjen e obeliskut simbol të ABC edhe për rikonceptimin e godinës me elementë, objekte dhe teknologji moderne, qytetarë edhe specialistë të trashëgimisë, e cilësojnë të pavend për godinën që në 7 mars të 1887 shërbeu, si shkolla e parë laike shqipe.

Ish-përgjegjësi i muzeut të arsimit, Vladimir Toroveci, thotë se përdorimi i këtyre elementëve modern zbeh kontekstin historik të ndërtesës.

“Një muze ka kuptim atëherë kur materialet që janë brenda tij lidhen me kontekstin historik kur kanë ndodhur ngjarjet. Zëvendësimi i objekteve brenda ndërtesës, ngjyrat, parketi, ndriçimi, prania e tepruar e teknologjisë dhe doza e pavend e modernizimit i kanë zbehur vlerat e shkollës së parë shqipe, e cila nuk është më si dikur”. shprehet ish-përgjegjësi i muzeut të Arsimit, Vladimir Toroveci.

Ndërsa, studiuesi i historisë Niko Kotherja i cilëson këto diskutime të pabaza, derisa bëhet nga individ që nuk janë interesuar asnjëherë për të nxjerr nga zhuli këtë godinë

“Atyre skeptikëve që ju i quani intelektualë, një pjesë të mirë të këtyre zërave, jam shurdhuar prej tyre, edhe më vjen keq që pjesë e ekraneve janë bërë njerëz që s’kanë shërbyer aspak, por kanë ruajtur me fanatizëm zhulin e krijuar për vite të tëra. Unë dua të them se Mësonjëtorja e parë Shqipe ka pas shkatërrimet e saj nga agjentë atmosferikë edhe fatkeqësi natyre”, shprehet Niko Kotherja.

Ndërsa sa i përket diskutimeve për heqjen e bankave, Kotherja shpjegon se ato janë vendosur në 100-vjetorin e hapjes së shkollës së parë shqipe edhe nuk ishin origjinale. I vetmi objekt origjinal fati i së cilës nuk dihet më, ka qenë karrigia e drejtorit të parë të mësonjëtores Pandeli Sotiri.

E vetmja gjë origjinale ka qenë karrigia e drejtorit të parë të mësonjëtores Pandeli Sotirit deri në 1978, që është vendos në ish-Muzeun e Rilindjes në Gjirokastër. E kam kërkuar në ambientet e ish-muzeut, por ka qenë e pamundur që ta gjenim. Me zhdukjen e asaj karrigeje merr fund pjesa e objekteve origjinale, që mund të mendohet se ka pas godina e mësonjëtores së parë shqipe. Bankat e dikurshme të cilat tashme janë rikonceptuar në një të vetme, ishin prodhim i zdruktharisë së Korçës së vitit 1987 dhe nuk kanë qenë bankat origjinale të ndërtesës”, thotë Kotherja.

Grupi i punës që ka vlerësuar fondet ekzistuese të muzeut, (monument kulture i kategorisë së parë), edhe që ka përcaktuar kriteret me qëllim thithjen e fondeve të reja; ka hartuar planin e veprimit në funksion të projektit të muzealizimit dhe hartuar platformën muzeore apo projektin e funksionimit dhe ekspozimit është kryesuar nga Gjet Ndoji (drejtor i DPPZHK), ndërsa anëtarët janë Fjoralba Prifti (drejtoreshë e muzeut të Arsimit Korçë), Niko Kotherja (ekspert), Amarda Kodra (eksperte etnologe). Amanda Cici (arkitekte DRKK Korçë), Gent Agolli (arkitekt), Benida Kraja (arkitekte IMK). Ndërsa, fondi i miratuar nga Ministria e Kulturës për zbatimin e projektit të studios IRI dhe muzealizimi nga Fusha sh.p.k është 30 milionë lekë.v.d./Shqiptarja.com

LEXO EDHE: SHKOLLA E PARË SHQIPE NË KORÇË: HIQEN SHKRONJAT, ‘SHKATËRROHEN’ BANKAT ORIGJINALE