Ambasada shqiptare në Greqi ka shënuar eventin e parë për këtë vit duke promovuar dramaturgun Odise Plaku, i cili së bashku me aktoren Georgia Zoi dhe regjisoren Giota Koundouraki ngjitën në skenë veprën dramatike “Amber Alert.”
I pranishëm në këtë takim ishte dhe Udhëheqësi i Zyrës së Interesave të Kosovës z. Fitim Gllareva.
Në fjalën e saj përshëndetëse ambasadorja znj. Luela Hajdaraga ka vlerësuar vënien në skenë të kësaj vepre, si e para e një autori shqiptar në Greqi, një vepër e cila u duartrokit gjatë dhe u vlerësua nga publiku shqiptar dhe grek.
Ajo është ndalur në emocionet drithëruese që autori dhuroi me veprën e tij, një dramë sociale e trafikimit të qenieve njerëzore, e cila jo pak herë ka prekur edhe komunitetin shqiptar në Greqi dhe jo vetëm.
“Tema e trajtuar në këtë dramë, është një temë tepër sensitive nje temë të cilën e diskutojmë me zë të lartë, për dhe me të njohurit tanë të prekur nga kjo dramë, me mendimin e pa thënë me zë të lartë madje kemi frikë t’ia pranojmë vetes sonë edhe në ëndrrën tonë më të keqe, që një ditë edhe ne mund të jemi viktimë e këtij fenomeni, rrëmbimin e fëmijës dhe pasojat e shkaktuara prej tij.
Dhe dramaturgu nëpërmjet kësaj vepre na përcolli mesazhin se të gjithë ne duhet të ndërgjegjësohemi gjithnjë e më tepër për këtë fenomen, të përpiqemi që të gjithë faktorët dhe aktorët të bashkëpunojmë për ta luftuar atë në mënyrë më efektive.
Ndaj mendoj dhe besoj se edhe ju ndani të njëjtin mendim me mua se shfaqja ia arriti qëllimit”- është shprehur në fjalën e saj ambasadorja znj. Hajdaraga.
Duke vlerësuar krijimtarinë e autorit Odise Plaku, zonja Luela Hajdaraga ka pohuar se Odiseja është tashmë një poet i njohur jo vetëm për lexuesin shqiptar, por edhe për lexuesin e trevave mbarë shqiptare.
Edhe pse ka botuar tregime dhe romane duket se pika e tij e fortë është poezia. Ai karakterizohet nga kritika si një zë i dallueshëm i poezisë së sotme shqipe, si një poet i cili me penën e tij di të ndërthurë në mënyrë artistike dhe mjeshtërore tema që ofrojnë një imazh bashkëkohorë për lexuesin, duke e bërë atë pjesë të kësaj bote emocionale dhe artistike.
“Ndërsa publiku e njeh Odisenë nëpërmjet penës, unë dhe stafi i ambasadës e njohim si ekspertin e marrëdhënieve ndërkombëtare, pasi për një periudhë jo të shkurtër ka shërbyer si këshilltar i Ministrit të Jashtëm.
Ndaj është një kënaqësi e veçantë për mua që sot në ambientet e ambasadës ne promovojmë veprën e krijuesit njëkohësisht dhe kolegut tonë Odise Plaku”-është shprehur mes të tjerave në fjalën e saj.
Në këtë takim aktorja Georogia Zoi ka përshkuar rrugën deri në realizmin final të kësaj vepre në skenë. Sipas saj kjo është një temë e përbotshme dhe përmes mesazhit të saj duhet të zgjohet ndërgjegja shoqërore për të parandaluar dhe luftuar këtë fenomen kaq të dhimbshëm.
Ndërsa regjisorja e veprës Giota Koundouraki ka synuar që këtë vepër ta sjellë në këndvështrimin e një dukurie globale pasi tashmë në cdo ditë të jetës përballemi me këtë rrezik për jetën e krijesave tona.
Përmes emocioneve dhe falënderimeve për ambasadoren znj. Hajdaraga dhe stafin e saj, për bashkëatdhetarët që ishin të pranishëm në këtë takim, por edhe falënderimet për gjithë trupën që realizuan këtë vepër në skenë, autori Odise Plaku do ta cilësonte këtë një ecje më tej në urën e miqësisë dhe bashkëpunimeve kulturore mes dy vendeve tona.
Gjithashtu në mjediset e ambasadës shqiptare të pranishmit u njohën me botimin në gjuhën greke të vëllimit “Odise jam dhe unë”, në të cilin ishin përfshirë poezi, vepra dramatike si dhe vlerësimet e kritikës shqiptare për krijimtarinë e tij.
ObserverKult
Lexo edhe:
THËNIE NGA SYLVESTER STALLONE: DUHET T’I QËNDROSH PËRHERË BESNIK PERSONAVE QË TË KANË MBËSHTETUR…
ObserverKult ua sjell disa thënie nga Sylvester Stallone:
“Nuk jam personi më i pasur, më i zgjuar apo më i talentuar në botë, por unë korr suksese, sepse vazhdoj gjithmonë e më tepër përpara”.
“Ekziston një ligj natyral i karmës ku personat më hakmarrës, të cilët bëjnë gjithçka për t’i lënduar të tjerët, përfundojnë të lënduar e të vetmuar”.
“Jeta është më tepër se syzet e diellit dhe filmat e famshëm. Realiteti, ai është ngjarja më kryesore”.
“Unë mendoj se çdokush ka njëfarë formule në jetën e tij. Kur shmangesh nga ajo formulë, ose dështon rëndë, ose fiton në mënyrë madhore”.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
NIZAR QABBANI: TË DUA, POR KAM FRIKË TË SHKRIHEM NË TY
Poezi nga Nizar Qabbani
Biseda jote është si një qilim persian
Sytë e tu janë dy harabela damaskienë
Që fluturojnë mes dy muresh
Dhe zemra ime, udhëton si pëllumbi
Sipër ujit të duarve të tua, ku merr një dremitje
nën hijen e bylyzykëve.
Të dua…
Por, ja, unë kam frikë të përfshihem në ty
Kam frikë të rimishërohem
Kam frikë të shkrihem në ty
Pasi, tashmë, më kanë mësu’ përvojat
t’i dredhoj dashurisë së grave
dhe valëve të detit.
Unë nuk po e diskutoj dashurinë tënde…
pasi, ajo është dita ime
e si të diskutoj diellin e ditës?
Unë nuk po diskutoj dashurinë tënde
pasi, ajo, vendos në ç’ditë do të vijë dhe në ç’ditë do të ikë.
Për më tepër, ajo përcakton kohën e dialogut dhe formën e tij.
***
Më lër të të derdh çaj
ti je zana e këtij mëngjesi,
e zëri yt është një mbishkrim i bukur
në fustanin marokien.
***
Më lër të të derdh çaj… e, a të thashë se të dua?
A të thashë se jam në shend e gaz sepse ia behe
se prania jote ngazëllen si paraqitja e poemës
si prania e varkave
dhe e kujtimeve të largëta?
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult