Promovohen dy libra për fëmijë, të cilët trajtojnë tematikën e tërmetit dhe të virusit korona. Psikologia Anila Sulstarova shprehet se këta libra janë të rëndësishëm për fëmijët e moshës 4 deri në 13 vjeç, por edhe për prindërit, që këtë periudhë janë më të braktisurit
Si e përjetove tërmetin? Çfarë është virusi korona? A mund të më ngjitet mua virusi? A duhet të mbajmë maska? Këto janë disa nga pyetjet më të shpeshta, që bëjnë fëmijët prindërve këtë periudhë, që mbarë bota është duke kaluar pandeminë Covid 19. Për këto dy situata u promovuan dy libra për fëmijë, “Trinka dhe Semi: Dita kur toka u lëkund” dhe “Mposhtja e virusit të madh: Trinka, Semi dhe qyteza punojnë tok” me autore Chandra Michiko Ghosh, synojnë lehtësimin e tronditjes psikologjike pas tërmetit dhe gjendjes shëndetësore të shkaktuar nga Covid -19.
“Jemi këtu për të promovuar dy libërtha, që mendojmë se janë shumë të rëndësishëm. Ky projekt ka si qëllim mirëqenien psikologjike të famijëve gjatë këtyre periudhave, tërmetit dhe pandemisë”, shprehet Enkel Bulica, drejtues i FTA.
Por, psikologia Anila Sulstarova argumenton rëndësinë e kujdesit që duhet që të ketë një prind për t’u kujdesur për shëndetin e tij emocional, sikundër edhe të fëmijës.
“Askush nga ne si ka harruar pamjet e tërmetit, stresin e izolimit nga Covid 19, dhe pafuqishmërinë për të organizuar ditën për fëmijët. Prandaj unë mendoj se këto dy libra janë vlerë e shtruar në bibliotekën e çdo familje dhe shkolle”, shprehet Sulstarova.
Librat, përveçse do të shpërndahen nëpër shkolla mund të shkarkohen falas dhe online./Report TV