Pas vonesave, Suhareka bëhet me Shtëpi të Kulturës

Vonesa në realizimin e punëve për të ndërtuar Shtëpinë e Kulturës në Suharekë, ka nervozuar banorët, por edhe udhëheqësit komunalë të cilët po thonë se zvarritjes së punëve u ka ardhur fundi pasi tashmë është nënshkruar kontrata dhe nga e hëna do të caktohen mbikëqyrësit e punimeve.

Ramadan Haxhiaj, tani veteran i arsimit, nga komuna e Suharekës përveç që ka punuar si mësimdhënës, është marrë edhe me jetën kulturore në këtë komunë.

Ai thotë për RTK se në mungesë të sallave adekuate, aktivitetet kulturore të shoqatës për art “Elena Gjika” i mban në objektin e bibliotekës “Hajdin Berisha”.

“Kemi dy salla e Fellbaut edhe kjo salla që gjendemi këtu pranë bibliotekës së Suharekës, por këto kushte dhe këto salla, nuk i plotësojnë kushtet. Pra, për aktivitete të gjithëmbarshme çfarë i duhet qytetarëve”, theksoi Ramadan Haxhiaj, veteran i arsimit.

Haxhiaj kërkon që të përfundoj sa më parë objekti i Shtëpisë së Kulturës, punimet e së cilit objekt kanë nisur shumë kohë më parë.

“Shtëpia e Kulturës që ka nisur që sa vite, që sa vite është bërë projekti, që sa vite ka filluar ndërtimi i saj, nuk di për rrjedhat e mëtejshme se cilat janë pengesat, por megjithatë komuna dhe Qeveria e Kosovës, kanë obligim që këtë objekt ta ndërtojnë sa më shpejt. Kjo sepse i duhet komunës së Suharekës”, tha Haxhiaj.

Kreu i kësaj komune, Bali Muharremaj, megjithatë ka deklaruar se pritjeve për vazhdimin e punimeve u ka ardhur fundi.

“Ky objekt ka filluar së ndërtuar në fund të vitit të 2017-tës në fillim të 2018-tës, në atë kohë brenda vitit janë punët e vrazhda, pastaj vazhdimisht kemi pasur ankesa në OSHP, d.m.th plot 4 vite. Tani ky problem është zgjidhur dhe para 10 dite është nënshkruar kontrata dhe pritet të hënën zyrtarisht të caktohen menaxherët, mbikqyrësit dhe të fillojnë punimet për këtë shtëpi të kulturës e cila i ka munguar shumë komunës tonë”, tha Muharremaj.

Ky objekt do të ketë amfiteatër, shumë kabinete, dhe 800 ulëse. Mjetet për ndërtimin e këtij objekti janë destinuar nga Ministria e Kulturës.

Më tej Muharremaj ka deklaruar se pritjeve për vazhdimin e punimeve u ka ardhur fundi./RTK

ObserverKult


Lexo edhe:

PAS FILLIMIT TË PUNIMEVE NË SHTËPINË E KULTURËS NË RUNIK- REAGON MKRS-SË: “NDËRHYRJE DEGRADUESE”

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës nëpërmjet një reagimi në faqen e saj në Facebook, të publikuar së fundi, dënon siç thonë: “Ndërhyrjet degraduese” që janë bërë nga ana e Komunës së Skenderajt dhe pa pëlqimin e institucioneve të MKRS-së si dhe në kundërshtim me Ligjin për Trashëgiminë Kulturore në Shtëpinë e Kulturës në Runik.

Reagimi i plotë i MKRS-së:

Shtëpia e Kulturës në Runik është aset i trashëgimisë kulturore në mbrojtje, si dëshmi e historisë kulturore dhe rëndësisë së saj për banorët e Runikut dhe fshatrat rreth tij.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult