Pasdite ndryshe në selinë “Vatra” në Nju Jork

Sopranoja shqiptare e përmasave ndërkombëtare Inva Mula vizitoi selinë e Federatës “Vatra”

Nga Rafaela Prifti

Ajo ka ardhur në një nga kryeqendrat e botës së artit disa herë dhe është mirëpritur nga publiku artdashës në skenat e njohura si ‘Metropolitan Opera’ dhe ‘Carnegie Hall’ të Nju Jorkut, por kjo ishte hera e parë që hynte në dyert e “Vatrës”. Dritan Mishto, Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra” e përshëndeti dhe uroi mirëseardhjen sopranos Inva Mula, si edhe violinistit Olen Çezari. Me pak humor, ai vërejti se për dallim nga vizitat e autoriteteve e mysafirëve të nderuar, në pritjen për Inva Mulën në “Vatër” kishte prani të dukshme të gjinisë femërore. “Nuk e kam ditur që këtu është një shoqatë që të pret me krahët dhe dyert hapur,” iu tha artistja të gjithë pjesëmarrësve në takimin e mbrëmjes së ditës së mërkurë. Duke buzëqeshur ajo shtoi se përpara kësaj vizite nuk e dinte që njihte prej kohe shumë anëtarë e funksionarë të “Vatrës”, si Ambasadorin, Mal Berisha, Anëtaren e Kryesisë, Marjana Bulku, Koordinatorin e Aktiviteteve, Frederik Ndoci e shumë Vatranë të tjerë. Spektakli i quajtur “Around the World with Music” u formësua vetvetiu, pasi tre artistët ishin gjendur bashkë në shfaqje të paraqitura nga organizatorë të ndryshëm. Sopranoja me status botëror Inva Mula dhe dy instrumentistët e mirënjohur Genc Tukiçi dhe Olen Çezari kishin afinitet dhe komunikim aq të mirë sa ideja e spektaklit lindi natyrshëm, tha artistja mbrëmë.Ata e filluan turneun në Kanada me koncertet në Ottawa, Toronto dhe Montreal. Emocionet e përcjella nga salla ndaj ekzekutimit të një repertori ‘fluid’ siç e përshkruan atë violinisti Olen Çezari, janë të pastra dhe të papërsëritshme. Artisja Inva Mula tregoi se një nga momentet më prekëse të shfaqjes në Toronto ishte ‘ritakimi në sallë’ me mësuesen e saj të Liceut Artistik Jordan Misja në Tiranë znj. Paparisto. Ajo kujtoi dhe këndoi së bashku me të pikërisht këngën e mësuar në leksionin e kantos “Kenke nur’ i bukurisë” gati tri dekada me parë. Nga Kanadaja, turneu vazhdoi në Michigan me një spektakël të suksesshëm. Krahas me përshkrimin e turneut, sopranoja tregonte për përjetimet e saj në takimet me komunitetin shqiptar. Për Detroitin, ajo u shpreh se ishte “parathënia” e vizitës në selinë e “Vatrës”, sepse takimi me drejtuesit e Degës së Vatrës aty kishte qenë shumë mbresëlënës. Për spektaklin në Nju Jork, organizatorja Dëshira Ahmeti Kerliu dhe bashkëshorti i saj duan të kenë rastin të kënaqin sa më shumë spektatorë në sallën gjigante të stilit Viktorian të ndërtuar në fund të shekullit XIX. Informacioni për bileta dhe adresa  postohen tek “Dielli”Grand Prospect Hall, Brooklyn E shtunë, Tetor 5, 2019Ora 7:30  Mbyllja e vizitës u shoqërua me një potpuri të këngëve të njohura të interpretuara në duet nga artisja Inva Mula dhe Frederik Ndoci dhe pastaj me shoqërimin e të gjithë të pranishmëve në sallën e mbushur të selisë së “Vatrës”.

Pasdite ndryshe në “Vatër”…

Nga Marjana Bulku

Ka pothuaj 110- vjet që PAN Shqiptarja “Vatra” është shtegu gjithmonë i hapur nga ky hyjnë e dalin njerëz, ngjarje, vepra, histori. Por këtë pasdite tetori kjo sallë modeste historish madhështore, gjalloi ndryshe. Prezenca e artistes së madhe Inva Mula e cila tërë jetën ia ka kushtuar artit dhe muzikës, i dha ngjyra tjera këtyre mjediseve ku historia flet me zë dhe figurë, vepra e portrete, antologji. Prezenca e një artisteje të madhe si ajo, e Olen Çezarit, e Dëshira Ahmetit, e Frederik Ndocit etj., natyrisht që i japin një dimension të ri asaj historie që gjallon, edhe pse e largët. Prezenca e tyre rrëfen se sa shumë kënga i këndoi historisë, ndjenjave më të bukura njerëzore, të cilat i dalin zot kombit në ditët e veta të vështira, e mbajnë gjallë atë. Mendimi rrëshqet bukur nëpër tingujt që ka dhjetëra vjet që bashkëjetojnë me fjalën dhe këndohen nga dhjetra zëra duke përcjellë ngjyra emocionesh. Ishte një takim i veçantë që, edhe pse në një ditë pune, me ngarkesat e trafikut, lodhjes pati tërë angazhimin e drejtuesve të “Vatrës”; Dritan Mishto, Agim Rexhaj, Dalip Greca etj, madje edhe u ndoq nga Adem Belliu dhe Albanian Culture TV për ta memorizuar dhe përcjellë në kujtesën e shumkujt atë ngjarje ku historia e një artisteje zbërthehet në dhjetëra histori aktesh artistike, interpretimesh, mesazesh që na bëjnë ta perceptojmë artin jo si një mur i lartë mrekullish, por si një urë që na lidh, na afron na bën më të bukur në shpirt.

Dy vite më parë, në parlamentin e Ontarios festohej trashëgimnia kulturore shqiptare, falë kujdesit të Dr. Ruki Kondaj dhe komunitetit Shqiptaro-Kanadez, të cilët e nderojnë ligjërisht kulturën shqiptare e ku e ftuar Nderi ishte ikona e artit shqiptar në rrënjë e deje, Inva Mula, pata edhe rastin ta njoh dhe dëgjoj nga afër zërin me të cilin ishim rritur. Teksa këndonte “Moj e bukura More”, një këngë e stërlashtë, e cila ka origjinë të hershme dhe ka jehuar anekënd kohëve, lotët më rridhnin pa kontroll dhe ndieja se interpretimi i Invës shkaktonte emocione të rralla, ndoshta për shkak të statusit tim të ri prej emigranteje, ndoshta sepse e ndjej muzikën e praktikuar bukur, por pa dyshim përvoja artistike ta sjell veprën në mënyrën më të përsosur të mundshme. Kjo ndodhi përsëri në “Vatër” , rrethuar nga dashamirës dhe miq, fjalë zemre e mesazhe, tinguj dhe interpretime të improvizuara, të cilat, edhe pse jo në skena gjigante konfirmojnë madhështi artistësh që i falin sistematikisht historisë akte dhe vepra që nuk vdesin.Inva Mula, bija e artistit të madh Avni Mula, soprano e operave ndërkombëtare që famën e ka fituar me punë dhe pasion, në VATRËN historike u duk më madhështore se kurrë. Sepse udhëtimi i saj artistik është përkushtimi ndaj të resë së bukur të spektakleve “Virtuozët” MIK festival , e tashmë një “Udhëtim nëpër botë përmes muzikës”, një udhëtim ky jo vetëm i saj, por edhe i shumë artistëve, të rinj apo të vjetër, brenda apo jashtë Shqipërisë, por që Shqipërinë e bëjnë të njohur dhe të pavdekshme ngado shtegton tingulli i saj, i tyre, i yni./ gazetatelegraf