Pasi mungoi për një vit, rikthehet në shtator festivali i njohur “Alba-Festival”

Pas lehtësimit të masave të pandemisë dhe një vit anulim, rikthehet më 4 dhe 5 shtator “Alba Festival”, festivali më i madh i shqiptarëve në Cyrih të Zvicrës.

Sipas faqes zyrtare të festivalit ‘alba-festival.ch’ festivali do të mbahet në stadiumin Hardturm ku do të performojnë disa nga yjet më të mëdhenj të skenës muzikore të Kosovës dhe Shqipërisë në një spektakël në qiell të hapur.

Këngëtarët që do të marrin pjesë janë të njohur ndërkombëtarisht dhe ndër më të transmetuarit edhe në Zvicër. Bëhet fjalë për artistë të zhanreve pop dhe hip-hop me rrënjë nga Shqipëria dhe Kosova.

Formacioni i edicionit të dytë të Alba Festival-it përfshin mbi 15 emra të mëdhenj të muzikës kombëtare dhe ndërkombëtare nga Kosova dhe Shqipëria.

Në edicionin e parë të këtij festivali në vitin 2019 ishte edhe artistja shqiptare me famë botërore Rita Ora, transmeton ‘diasporashqiptare.al’.

“Ne ftojmë adhuruesit e muzikës dhe kulturës nga e gjithë Evropa të jenë pjesë e kësaj ngjarjeje unike muzikore”, thotë Adem Morina, producent ekzekutiv i festivalit.

Në krye të organizimit të Festivalit sërish është Mimoza Lekaj.

LEXO EDHE: Festivali ‘FemArt’ sivjet i kushtohet luftimit të dhunës në familje