“Pasuri të ligjërimit shqip”, tashmë në duar të lexuesve

ligjërimit

Akademia e Studimeve Albanologjike ka hedhur në qarkullim një sërë studimesh që këto dy vitet e fundit ishin bllokuar për shkak të pandemisë. Midis këtyre veprave të reja është edhe “Pasuri të ligjërimit shqip” II nga prof. dr. Artur Lama.

Ky vëllim i dytë “ka synuar vjeljen e një lëndë vëllimore që mbart ndjesitë estetike, mendimet, rrëfimet, replikat e personazheve në prozën e Mitrush Kutelit e të Fatos Kongolit. Është marrë me lirizmin e mençurinë e poetit popullor, ekspresivitetin e lirikut Lasgush Poradeci, vramendjen e personaliteteve shkencore Gjovalin Shkurtaj, Jani Thomai, Jorgo Bulo, Kolec Topalli, Mehmet Çeliku, Rexhep Qosja, Tomor Osmani, Xhevat Lloshi etj.”


Në këtë përmbledhje, vëmendja përqendrohet në leximin stilistiko-semantik të figurave që ndeshen në prozën artistike e në shtypin e përditshëm (metafora e krahasimi). Po ashtu është analizuar loja e fjalëve te disa paratekste gazetash dhe në përdorimin e konektorëve diskursivë në shkrime publicistike e shkencore. Në libër shqyrtohen pikëvështrimet e personaliteteve që hapën udhë për trajtime etnosociolinguistike (Gjovalin Shkurtaj).

Mendimet e studiuesve që kanë luajtur rol orientues në disa fusha të gjuhësisë shqiptare, falë dritëdhënieve shkencore për drejtshkrimin e emërtimeve të përveçme (Mehmet Çeliku); këshillimet për shmangien e ndikimeve të huaja, sidomos në strukturën sintaksore (Kolec Topalli); rrugët që duhen ndjekur për “çashtjen e pastrimit dhe të sistemimit të terminologjisë” (Lirak Dodbiba); në udhëhapjet shkencore vizionare të gjuhëtarëve Jani Thomai e Xhevat Lloshi në fushat e leksiko-semantikës, të frazeologjisë, të stilistikës gjuhësore e poetike për një periudhë 50-vjeçare etj.


Një hapësirë të gjerë zënë refleksionet e autorit për disa dukuri me pamje socio-gjuhësore, si: variacioni leksikor e semantik në fjalorthin e Kolë Ashtës, gjuha e koduar në zhargonin studentor, variabilitetet sintaksore në poezinë popullore, zbunimet e format e dyta të disa emërimeve të përveçme; e qeshura dhe ligjërimi humoristik, disa krijime imagjinare të hershme (përrallëzat popullore të mbledhura nga Thimi Mitko e fabulat arbëreshe të përpunuara nga Franqisk Santori); elemente të komunikimit joverbal (mimika e gjestet) etj.

ObserverKult

Lexo edhe:

GRATË PËR BURRAT DHE BURRAT PËR GRATË