Pasurohet lista e trashëgimisë kulturore në Kosovë, ministri Çeku tregon se cilat asete janë në mbrojtje të përkohshme

Lista e trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përkohshme së fundmi është pasuruar me 23 asete të reja. E këto asete të reja shënojnë rrugëtimin historik dhe kulturor të vendit. Kështu ka njoftuar përmes një njoftimi në Facebook, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.

Më tej, ministri Çeku ka treguar se cilat nga monumentet i janë shtuar listës së Trashëgimisë kulturore.

“Nga shtëpitë tradicionale, shkolla e parë shqipe e fillimshekullit të XX-të e kulla deri tek monumentet që pasqyrojnë historinë e fundit, në tërë territorin e Kosovës janë vlerësuar pasuri materiale dhe shpirtërore”, bën me dije Çeku.

Po ashtu në këtë listë janë shtuar afreskat e periudhës Romake të Dresnikut, Guri i Nënës Pashkë, aset me vlera të jashtëzakonshme shpirtërore. Pastaj ndërtesa e lokalit Panda në Pejë dhe ish spitali ushtarak në Drenas që shënojnë ngjarje historike.

Krejt kjo sipas Çekut po bëhet që të ruhen asetet tona kulturore, dhe po ashtu të kujtohen ngjarjet e kaluara.  

“Duke mbrojtur asetet tona, po kontribuojmë në njohjen dhe kuptimin e historisë së Kosovës teksa duke i kujtuar ngjarjet e kaluara formojmë identitetin kolektiv dhe kulturën tonë”, ka shkruar Çeku. /ObserverKult


Lexo edhe:

HAJRULLA ÇEKU DHE ELVA MARGARITI VIZITOJNË EKSPOZITËN E LUMTURI BLLOSHMIT

Ekspozita e parë retrospektive e artistes Lumturi Blloshmi (1944 – 2020). Kjo ekspozitë i dedikohet jetës dhe veprimtarisë së artistes është hapur më 1 shtator. Në Galerinë Kombëtare të Kosovës do të jetë e hapur deri më 15 tetor të këtij viti.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult