Paul McCartney: Nuk isha unë arsyeja e ndarjes së Beatles

Për gati 50 vjet, Sir Paul McCartney ka marrë përsipër fajin për shpërbërjen e Beatles. Kjo erdhi nga një deklaratë për shtyp e vitit 1970, ku McCartney zbuloi se kishte marrë një “pushim” nga grupi më i madh i rokut.

Por në një intervistë për BBC, ai tha se ndarja u nxit nga John Lennon.

“Unë nuk e nxita ndarjen. Por ishte Johnny ynë,” i tha ai intervistuesit John Wilson.

“Unë nuk jam personi që nxiti ndarjen. Oh jo, jo, jo. John hyri në një dhomë një ditë dhe tha që po largohem nga Beatles. Dhe ai tha, ‘është mjaft emocionuese, është më tepër si një divorc’. John gjithmonë kishte dashur të shkëputej nga shoqëria, sepse ai u rrit nga tezja e tij Mimi, e cila ishte mjaft shtypëse, kështu që ai gjithmonë kërkonte të çlirohej.”


Wilson e pyeti nëse grupi do të kishte vazhduar nëse Lennon nuk do të largohej.

“Mund të ndodhte,” u përgjigj Sir Paul.

“Çështja ishte se John ishte duke bërë një jetë të re me Yoko dhe ai donte … të shtrihej në shtrat për një javë në Amsterdam në paqe”, -tha ai, duke shtuar se veprimet e tij ishin të papajtueshme me grupin që vazhdonte të shkruante dhe regjistronte së bashku.

“Ishte periudha më e vështirë e jetës sime. Ky ishte grupi im, kjo ishte puna ime, kjo ishte jeta ime. Doja që të vazhdonte. Mendova se po bënim gjëra mjaft të mira dhe mendova se mund të vazhdonim.”.

McCartney tha se menaxheri i ri i grupit, Allen Klein, i këshilloi ata të mos flisnin për ndarjen pasi ai negocionte marrëveshje në emër të tyre, por që basisti u bë i paduruar dhe foli, duke u dukur sikur ishte ai shkaku i ndarjes së grupit.

“U lodha duke e fshehur”, tha McCartney.

Intervista e BBC do të transmetohet më 23 tetor, rreth një muaj para premierës së dokumentarit të regjisorit Peter Jackson në lidhje me ditët e fundit të grupit, të titulluar “Get Back”.

LEXO EDHE: Kush është gruaja që frymëzoi shumë nga hitet e “The Beatles”?