Paulo Coelho: Si mund të urrej një njeri që më ka dhënë vetëm dashuri?

paulo coelho
Paulo Coelho

Nga Paulo Coelho

Matanë hekurave të dritares, qielli ishte mbushur tek-tuk me yje dhe hëna e re po ngrihej pas maleve. Poetët përgjëroheshin për hënën e plotë, i kishin përkushtuar mijëra vargje, ndërsa Veronikës i pëlqente kjo hënë rioshe sepse kishte ende vend për t’u zmadhuar, për t’u shtrirë dhe për të mbushur plot dritë gjithë sipërfaqen e saj, para rënies së pashmangshme.
I lindi dëshira për të shkuar deri tek pianoja në sallon, për ta festuar këtë natë duke luajtur një sonatë që kishte mësuar në kolegj. Duke parë qiellin nga dritarja, provonte një ndjenjë kënaqësie të pashpjegueshme, sikur pafundësia e gjithësisë shpaloste kështu përjetësinë e saj. Por atë e ndante nga dëshira një portë hekuri dhe një grua që tërë kohën lexonte. Mandej, asnjë nuk i binte pianos në atë orë të natës se do të zgjonte fqinjësinë.
Veronika qeshi. «Fqinjësia» ishin fjetoret e dendura me të çmendur, këta të fundit të dendur me tableta gjumi dhe qetësues.
Megjithatë, ndjenja e kënaqësisë vazhdonte. U ngrit dhe shkoi deri tek shtrati i Zedkës, por ajo kishte rënë në gjumë të thellë, ndoshta për të marrë veten nga përvoja e llahtarshme që sapo kishte kaluar.
-Shko shtrihu!- e urdhëroi infermierja. –Vajzat e mira shikojnë ëndrra me engjëj dhe me të dashur.
-Mos më trajto si fëmijë. Nuk jam ndonjë e çmendur e sjellshme që ka frikë nga gjithçka. Jam e tërbuar, kam kriza histerie, nuk pyes, as për veten, as për të tjerët. Pra, sot më hypi dalldia.
Pashë hënën dhe dua të bisedoj me dikë.
Infermierja e këqyri, e habitur nga shpërthimi i saj.
-Keni frikë nga unë? –vazhdoi Veronika.-Për një a dy ditë do të vdes. Humbas gjë?
-Përse nuk shkon të bësh një shëtitje vogëlushja ime që të më lejosh të mbaroj librin.
-Sepse është një burg dhe një gardiane që bën sikur lexon vetëm e vetëm që të tjerët të kujtojnë se është grua e zgjuar. Por në të vërtetë vëzhgon gjithçka që lëviz në infermieri, dhe i ruan çelësat e portës si të ishin thesar. Pa dyshim, e kërkon rregullorja dhe ajo bindet, sepse kështu mund të tregojë autoritetin që i mungon në jetën e përditshme me burrin dhe fëmijët.
Veronika dridhej pa e ditur përse.
-Çelësat? – pyeti infermierja. Porta është gjithnjë e hapur. Pa mendo, sikur të rrija e mbyllur brenda me një tufë të çmendurish!
-Pra, porta qenka gjithnjë e hapur? Para disa ditësh, doja të dilja nga dhoma, por ajo gruaja m’u qep pas deri në banjë. Përralla tregoni?
-Mos ma vë re, -vazhdoi infermierja. Dihet që s’kemi pse të ushtrojmë kontroll të rreptë për shkak të qetësuesve. Po dridhesh nga të ftohtit?
-Nuk e di. Mendoj se e kam nga zemra.
-Shko bëj një shëtitje, po deshe.
-Me thënë të drejtën, do të më pëlqente t’i bija pianos.
-Salloni është i izoluar dhe pianoja nuk shqetëson njeri. Luaj në ke qejf.
Drithmat e Veronikës u kthyen në ngashërime të dobëta, të drojtura dhe të përmbajtura. U ul për tokë dhe vendosi kokën te gjunjët e gruas, pa i ndërprerë ngashërimet.
Infermierja la librin, përkëdheli flokët e vajzës, duke lënë të shuhet valën e trishtimit që e rrëmbente. Të dyja qëndruan ashtu pothuajse një gjysmë ore. Njëra qante, pa thënë përse, tjetra e ngushëllonte, pa ditur shkakun e trishtimit.
Më në fund, ngashërimet u qetuan. Infermierja u ngrit, i futi krahun Veronikës dhe e shoqëroi deri tek porta.
-Kam një vajzë në moshën tënde. Kur erdhe këtu, me serum dhe me gjithë ato tuba, u përpoqa të kuptoja përse një vajzë e re dhe e bukur, që e ka jetën përpara, vendos të vrasë veten.
-Më pas, nisën të qarkullojnë historira: letra që kishte lënë- për të cilën kurrë nuk më është mbushur mendja se ishte arsyeja e vërtetë – dhe ditët e numëruara për shkak të një problemi kardiak të pashërueshëm. Imazhi i vajzës time nuk më shqitej nga mendja: po sikur të vendoste edhe ajo të bënte të njëjtën gjë? Përse disa njerëz përpiqen të shkojnë kundër logjikës së gjërave, e cila kërkon të luftohet me të gjitha mënyrat për të mbijetuar?
-Për këtë arsye qaja, -tha Veronika. –Kur kapërdiva qetësuesit, dëshiroja të vrisja dikë që urreja. Nuk e dija se brenda meje egzistonin Veronika të tjera që mund t’i doja.
-Çfarë e shtyn njeriun të urrejë veten?
-Ndoshta mungesa e guximit. Ose frika e përjetshme se mos gabon, se mos bën atë që duan të tjerët. Para disa çastesh, isha e qetë, e kisha harruar dënimin me vdekje; kur i thirra mendjes sërish se në ç’situatë gjendesha, më zuri frika.
Infermierja hapi portën dhe Veronika doli.
«Nuk duhej të më pyeste ashtu. Kërkon të marrë vesh përsa qava? Vallë nuk e di se jam njeri plotësisht normal, që ndan dëshirat dhe lotët me të gjithë, se ajo pyetje, tashmë tepër e vonuar, më kallte datën?»
Ndërsa përshkonte korridoret e ndriçuara nga e njëjta dritë e zbehtë si e infermierisë, Veronika kujtohej se ishte tepër vonë: nuk do të arrinte kurrë ta sundonte frikën.
«Duhet ta sundoj veten. Jam një njeri që i çon deri në fund vendimet që merr.»
Ishte e vërtetë se gjatë jetës shumë gjëra i kishte shpurë deri në fund, por ato ishin vetëm gjëra pa rëndësi. Kishte bërë vaki t’i vazhdonte grindjet, të cilat mund të zgjidheshin me një të falur, ose të mos i telefononte një të dashuri sepse marrëdhëniet me të i quante pa bereqet. Nuk kishte bërë lëshime pikërisht për gjërat më të vogla, për të dëshmuar se ishte e fortë dhe moskokëçarëse, ndërkohë që, në të vërtetë, ishte e brishtë dhe nuk kishte ndritur kurrë në mësime ose në veprimtaritë sportive të shkollës. Në familje nuk kishte ditur të vendoste mirëkuptimin.
Kishte kapërcyer disa të meta të vogla për të pësuar humbje në fushat themelore. Hiqej si grua e pavarur, ndërkohë që kishte shumë nevojë për shoqëri. Kur shkonte diku, të gjithë kthehenin sytë nga ajo, por, në përgjithësi, e kalonte natën vetëm, në kuvend, para televizorit që nuk i kapte me miza stacionet. Të gjithë miqve u kishte krijuar përshtypjen se ishte model i lakmuar dhe se kishte harxhuar energjitë më të vyera për të mbërritur në lartësinë e imazhit që kishte krijuar vetë.
Për këtë arsye nuk kishte më fuqi për të qenë ajo që ishte, një njeri që, si të gjithë, për të qenë i lumtur, kishte nevojë për të tjerët. Por sa të vështirë ishin të tjerët! Kishin sjellje të paparashikueshme kur merrnin masa mbrojtëse.
Ashtu si ajo, tregoheshin moskokëçarës për gjithçka. Kur ndeshnin dikë që ishte më i hapur në jetë, ose e braktisnin në çast, ose i shkaktonin vuajtje, duke e gjykuar inferior dhe «leshko».
Shumë bukur. Ndoshta kishte tërhequr vemendjen e shumë njerëzve me forcën dhe vendosmërinë e saj, por deri në çfarë shkalle?
Zbrazëti. Vetmi e plotë. Viletë. Paradhomë e vdekjes.
Brenga, ngaqë ishte përpjekur të vriste veten, ngriti krye.
Veronika e largoi sërish me këmbëngulje, sepse tashmë provonte një ndjenjë që nuk ia kishte lejuar kurrë vetes: urrejtjen.
Urrejtja. Mund ta kishte prekur energjinë shkatërrimtare që çlirohej nga trupi, pothuajse aq konkrete sa muret, pianot ose infermieret. E la ndjenjën të shuhej, pa u shqetësuar të merrte vesh në ishte e mirë apo e keqe. I kishte ardhur në majë të hundës me vetpërmbajtjen, me maskat dhe sjelljet e duhura. Për dy a tri ditë jetë që i mbeteshin, Veronika donte të ishte plotësisht e pasjellshme.
E kishte nisur duke qëlluar me shpullë një burrë më të moshuar se veten. Kishte humbur qetësinë me infermieren, nuk kishte pranuar të tregohej e sjellshme dhe të kuvendonte me të tjerët kur kishte qejf të rrinte vetëm dhe, tani, ishte tepër e lirë për të ndjerë urrejtjen –dhe, njëkohësisht, mjaft e zgjuar, për të mos shkatërruar gjithçka rreth vetes, çka do ta detyronte ta mbyllte jetën në një shtrat, e kafshëruar nga qetësuesit.
Atë çast përbuzi gjithçka që mundi: botën, karriken që ndodhej para saj, radiatorin e thyer në një korridor, njerëzit e paqortueshëm, kriminelët. Ishte shtruar në një spital psikiatrik dhe mund të ndiente gjëra që qeniet njerëzore ia fshehin vetes, sepse edukata na mëson vetëm të duam, të përkulemi, të kërkojmë rrugëdalje, të shmangim zënkat. Veronika urrente gjithçka, por, mbi të gjitha mënyrën se si kishte jetuar, pa zbuluar asnjëherë qindra Veronikat që gjallonin brenda saj dhe ishin tërheqëse, të çmendura, kureshtare, guximtare, të gatshme, për të rrezikuar. Dikur kishte ndjerë edhe urrejtje për njeriun që donte më shumë në botë: nënën. Për bashkëshorten e përkryer që punonte tërë ditën dhe në darkë lante enët, duke sakrifikuar jetën që e bija të shkollohej mirë, të mësonte pianon dhe violinën, të vishej si princeshë, të blinte atlete dhe këpucë të shtrenjta, ndërkohë që ajo vetë arnonte fustanet që vishte prej kohësh.
«Si mund të urrej një njeri që më ka dhënë vetëm dashuri? »-mendoi Veronika, e turbulluar nga dëshirat për t’i korrigjuar ato ndjenja. Por ishte tepër vonë, urrejtja kishte këputur frerët. Ajo ia kishte hapur dyert e ferrit. Urrente dashurinë që i kishin falur, sepse nuk i kishin kërkuar gjë në këmbim të saj, çka ishte absurde, jorealiste, dhe binte ndesh me ligjet e natyrës.
Ajo dashuri kishte mundur ta mbushte me fajësi dhe e kishte shtyrë të pajtohej me dëshirat edhe pse kjo nënkuptonte dorëheqjen nga ëndrrat që kishte bërë për të ardhmen. Ajo dashuri ishte përpjekur t’i fshihte, për vite me radhë, sfidat e jetës dhe kalbësinë e botës, duke harruar se një ditë do t’i zbulonte dhe nuk të kishte asnjë mburojë për t’i përballuar.
Po të jatin? Edhe atë e urrente. Ndryshe nga nëna që punonte pareshtur, ai dinte të jetonte, e shpinte në bare dhe në teatër, argëtoheshin së bashku dhe, kur ishte ende i ri, ajo e kishte dashur fshehurazi, jo si baba, por si burrë. E urrente ngaqë ishte aq tërheqës dhe aq i dashur me të gjithë, me përjashtim të nënës, e vetmja që e meritonte me të vërtetë.
Ajo urrente gjithçka. Bibliotekën me stivën e librave plot shpjegime për jetën; kolegjin ku kishte qenë e detyruar të kalonte netë të tëra duke mësuar algjebrën, edhe pse nuk njohu asnjë njeri-veç profesorëve dhe matematikanëve- të cilit t’i duhej algjebra për të qenë më i lumtur. Përse e kishin detyruar të studionte aq shumë algjebër, gjeometri dhe një mal me lëndë të tjera fare të panevojshme?

Veronika shtyu derën e sallonit dhe, kur mbërriti para pianos, ngriti kapakun, i ra fort tastierës. Një akord i çmendur, i çakorduar, cingrisës, jehoi në sallën e zbrazur, u përplas në mure dhe u kthye te veshët e saj në formën e një tingulli të mprehtë që dukej sikur i therte shpirtin. Por, ndërkohë, kjo ishte shfaqja më besnike e shpirtit.
Nisi t’u bjerë fort tasteve dhe, sërish, notat e çakorduara u përplasën në të gjitha anët.
«Jam e çmendur. Mund të sillem kështu. Mund të urrej dhe mund t’i bie fort pianos. Që kur kanë mësuar të sëmurët mendorë të akordojnë notat? »
I ra kështu edhe një, dy, dhjetë, njëzet herë dhe, çdo herë, urrejtja sa vinte e zbehej deri sa u fashit fare.
Atëhere, një paqe e thellë pushtoi Veronikën.
U kthye nga dritarja për të kundruar qiellin e mbushur me yje, hënën e re—të pëlqyerën e saj- që mbushte dhomën me një dritë të butë. Iu krijua sërish përshtypja se Pafundësia dhe Përjetësia ecnin të zëna për dore dhe se mjaftonte të sodisje njërën. Gjithësinë e pacak, për të ndjerë tjetrën.
Kohën e pafund, të palëvizshme, të mbërthyer në të Tashmen që fsheh të gjtha sekretet e jetës.
Kur ndodhej midis infermierisë dhe sallonit, kishte mundur të urrente aq fort dhe aq vrullshëm sa nuk kishte më mllef në zemër. I kishte lënë ndjenjat e këqia, të ndrydhura për vite, të dilnin së fundi në sipërfaqe. Dhe tani që i kishte provuar, ato nuk ishin më të nevojshme dhe mund të zhdukeshin.
Qëndroi e heshtur, duke jetuar çastin e tashëm, duke e lënë dashurinë të mbushte hapësirën e braktisur nga urrejtja. Kur ndjeu se erdhi çasti i duhur, u kthye nga hëna dhe luajti një sonatë për hir të saj, me bindjen se ajo e dëgjonte, se ishte kryelartë dhe se kjo do të ngjallte kërshërinë e yjeve. Atëhere, luajti një pjesë për yjet, një tjetër për parkun dhe një të tretë për malet e padukshme natën, praninë e të cilëve e merrte me mend.
Në mes të pjesës së dytë, erdhi Eduardi, një i çmendur, një skizofren, të cilit ia kishin hequr shpresat. Në vend që të tmerrohej nga prania e tij, Veronika buzëqeshi, dhe për çudi, ai ia ktheu buzëqeshjen.
Muzika mund të depërtonte edhe në botën e tij, të largët, më të largët se hëna, dhe të bënte mrekullira.

*Shkëputur nga romani i Paulo Coelho: “Veronika vendosi të vdesë”

Përktheu: Nonda Varfi

Përgatiti: ObserverKult  

————–

Lexo edhe:

Për dashurinë, jetën dhe ëndrrat… 25 thënie nga Paulo Coelho