PD propozon ndalimin e filmave të periudhës komuniste, reagojnë ashpër Margarita Xhepa, Mevlan Shanaj, Luftar Paja

Margarita Xhepa

Partia Demokratike në Shqipëri nëpërmjet një projektligji, ende në proces, kërkon “të vendos një gurthemel në ndërtimin e shtetit të së drejtës”.

Projektligji “Për ndërgjegjësimin, kujtesën kolektive, ekspozimin dhe ndëshkimin publik të regjimit totalitar”, synon të ndalojë çdo mjet komunikimi, qoftë vepra krijuese intelektuale, që do të gjykohet sot, se në atë kohë i ka shërbyer propagandës komuniste.

Kundër një nisme të këtillë deri më tani kanë dalë aktorë dhe regjisor të njohur.
Margarita Xhepa


Xhepa: Projektligji do të fshinte memorien kombëtare të kinematografisë


Aktorja Margarita Xhepa është shprehur kundër projektligjit për ndalimin e filmave të periudhës komuniste, tezë e propozuar së fundmi nga deputeti i PD-së, Enkelejd Alibej.

Aktorja e madhe shqiptare, Margarita Xhepa, shprehet se një projektligj i tillë do të fshinte memorien kombëtare të kinematografisë.

“Po më shpjegon se si është projektuar një projektligj për të fshirë të gjithë memorien kombëtare të teatrit, kinematografisë, të shpirtit të Shqipërisë.

Dhe unë po ju pyes miq, a mund të shuhet kjo memorie kombëtare? A mundet të harrohen këta njerëz?”, tha Xhepa.

Mevlan Shanaj

Mevlan Shanaj: Këtë ide nuk e përkrahin as 3 % e popullatës…

Ndërsa ka reaguar edhe kineasti Mevlan Shanaj, duke e konsideruar të gabuar vendosjen e drejtësisë për krimet e diktaturës, duke censuruar artin e realizuar në atë kohë.

“Më thanë që Alibeaj paska propozuar në Kuvend ndalimin e filmave të para 90 ! Nëse është kështu, (siç edhe po më kërkon media të prononcohem)…. si themelues i PD, ndiej trishtim të konstatoj këtë kërkesë absurde nga PD. Ju them këtyre PD-istëve, se këtë ide, mes shqiptarëve nuk e përkrahin as 3 % e popullatës…

Duket që po me këtë përqindje do ndahen zgjedhjet e ardhshme nëse hidhni teza te tilla. Korrigjoni shënjestrën nëse seriozisht mendoni se duhet ndryshuar Shqipëria! Kjo mendësi është pa asnjë vlerë ndryshimi!

Do të ndodhë të shtohet shikueshmëria si për çdo gjë të ndaluar! Shoqëri e çuditshme, kaq shume të dashuruar këta politikanë me censurën në Art! Koha e ka bërë shkëlqyeshëm përzgjedhjen dhe seleksionimin. Merruni me ndonjë aventurë tjetër!

Populli di vetë çfarë zgjedhë, nuk mund t’i imponohet asnjë instrument politik”, shkruan regjisori në rrjetet sociale.

Luftar Paja

Luftar Paja: Historia ka etapat e veta, që nuk mund të zhbëhen

Me një përvojë skenike të gjatë dhe role që janë rrënjosur thellë në kujtesën e çdo shqiptari, aktori mjeshtër i karakterit dhe një loje krejt origjinale, Luftar Paja, “Artisti i popullit”, në 45 vjet jetë artistike, ka interpretuar në shumë gjini. Gjithmonë vlerësuar shumë pozitivisht, por dalluar në interpretimin e mjaft roleve të karaktereve: 700 role mbi supe dhe 130 premiera estrade, janë vite pune dhe pasioni.

Aktori i mirënjohur nuk ka qëndruar indiferent ndaj debatit që zgjohet shpesh,.. mbi ndalimin e filmave të kohës së komunizmit, pa hezituar që të jetë i vërtetë, i sinqertë dhe objektiv.

Ai vëren dhe shprehet: “Pas vitit 1990, ky mendim ndaj kinematografisë është më i turpshmi, që kam parë dhe dëgjuar. Pse e them këtë? Nuk po merren vetëm me artistët që bënë atë art të madh e të papërsëritshëm, por fyhen në mënyrë të paimagjinueshme, të gjithë qytetarët e këtij vendi, që janë edukuar me ata filma dhe vazhdojnë t’i pëlqejnë”.

“Këta që nuk duan kinematografinë, janë njëkohësisht rrënues të historisë. Historia ka etapat e veta, që nuk mund të zhbëhen”, vijon ai diskutimin e tij.

“Këta thonë, të bllokohen filmat. Po me veprat e Ismail Kadaresë dhe të Dritëro Agollit, çfarë do të bëhet? Prite kur të dalin ndonjë ditë, këta myteberë, që të ndalohen të gjithë autorët e kohës së realizmit socialist, pavarësisht se, pa ata nuk mund të imagjinohet historia e kulturës sonë kombëtare”.

“Por, le të shtrojmë një pyetje të thjeshtë: Kush janë këta, që e ngrenë këtë çështje? Janë ca anonimë, që nuk i njeh kurrkush. Ata kërkojnë të na bëjnë anonimë. Unë, Luftar Paja, u them: Bëni ca filma më të mirë nga ata që kemi bërë ne dikur dhe unë do të bashkohem me ju, t’i ndalojmë filmat që doni ju”, shtoi Luftar Paja.

Çka përmban projektligji?

Partia Demokratike përmes një projektligji ende në proces, kërkon të vendos një gurëthemel në ndërtimin e shtetit të së drejtës. Projektligji “Për ndërgjegjësimin, kujtesën kolektive, ekspozimin dhe ndëshkimin publik të regjimit totalitar”, synon të ndalojë, çdo mjet komunikimi, qoftë vepra krijuese intelektuale, që do të gjykohet sot, se në atë kohë i ka shërbyer propagandës komuniste.

Imazhe, monumente, lapidare, emërtime, vepra të muzikës, baletit, artit pamor e më gjerë, çdo gjë që do të gjykohet se ka përcjellë informacion të pavërtetë dhe në shërbim të diktaturës, është pjesë e listës. Madje, shkohet më tej, duke e lënë të hapur mundësinë për marrjen e masave të tjera ligjore në emër të drejtësisë.

Neni 9 i këtij projektligji ndalon dhe heq nga qarkullimi çdo vepër me përmbajtje me propagandë të hartuar para ligjit, dhe nuk lejon prodhimin e mëtejshëm të tyre. Me veprat audiovizuale ndodh po njësoj, ndalohet transmetimi, përmbledhja e përdorimi i tyre.

Krijimet nuk ndalohen vetëm kur ato i shërbejnë edukimit për krimet komuniste, mbahen në muze, ekspozohen, përdoren në kontekst ndërgjegjësues në tekstet akademike, leksione etj. Penalizmi në rast shkeljeje të këtyre kufizimeve shkon nga 100 deri në 200 mijë lekë.

Grupi i punës që ka punuar për paketën e dekomunistizimit përbëhet nga Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, sekretarja e PD-së për të Përndjekurit Politikë, Jonila Godole, Drejtorja e Fondacionit për Liri dhe Demokraci pranë PD-së Enriketa Papa si dhe Këshilltari Ligjor i Grupit Parlamentar të PD-së, Marash Logu.

Për zbatimin e këtij projektligji, siç citohet në relacionin shoqërues të firmosur nga 18 deputetë, mes të cilëve edhe ish lideri i PD-së Lulëzim Basha, nuk do të krijohen organe të tjera shtetërore.

Autoriteti Qendror, sipas tyre që do të merret me zbatimin e tij, do të jetë Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, ndonëse në grupin hartues nuk ka pasur asnjë anëtar të kësaj strukture.

Përgatiti: ObserverKult


Lexo edhe:

TË NDALOHEN FILMAT E SOCIALIZMIT, KANË PROPAGANDË KOMUNISTE