“Çufoja dhe Bubi Kaçurrel”
Derkuci kapet “rob” nga Gaqo Bushaka
Mollët lëshonin një aromë të këndshme. Ato qenë skuqur dhe ishin mbushur me lëng…dhe çfarë lëngu, mjaltë i ëmbël dhe akull i ftohtë. Tamam mollë Korçe. Ariu Zebo u soll rreth trungut disa herë me kokën përpjetë, po nuk hipi që nuk hipi dot. Barku i rrumbullakosur sa dy tullumbace bashkë, ishte një pengesë serioze për të shijuar frutat e mrekullueshme. Mirëpo edhe që të ikte pa i shijuar ato mollë bukuroshe e të pjekura për merak, nuk i bënin këmbët. Së fundi e gjeti zgjidhjen: mbështeti putrat e para në trungun e lyer me gëlqere dhe e tundi, sikur donte ta shkulte nga rrënjët. Së bashku me mollët e arrira e gjethet kuqaloshera edhe…cili thoni ju?…derkuci Çufo. Megjithëse iu shembën mullaqet, Çufoja u ngrit e deshi t’ia mbathte me vrap, po ariu e mbërtheu për veshi.
-Ej, lëshomë! Lëshomë, se po më ndalon qarkullimin e gjakut, -thërriste Çufoja syzgurdulluar si lënde lisi.
-Më duket se po ta ndaloj qarkullimin e mollëve, more b…u…k…u…r…o…sh…!- shfryu ariu Zebo. –Ç’deshe sipër mbi mollë?! Ëëë?
-Po merrja një sy gjumë.
-E tmerrshme!- ulëriu ariu. – Po pse gënjen, more vogëlush?
-Ma do trupi.
-Ta do trupi, ëë? Guxon dhe të tallesh me mua, se pandeh që s’kam hipur ndonjëherë në pemë.
-Puna jote ajo…unë nuk të them gjë.
-Fol…ç’deshe mbi mollë?
-Flija, dhe këtë ta them sinqerisht. Nuk di përralla unë…
Zeboja i vuri duart në mes:
-Po flije, ëëë? Po pse, në këtë orë fle zotrote?
-Unë fle në çdo ore.
-Hesht!
-Vetë më pyete.
-Domethënë për të fjetur u ngjite!
-Tamam, s’e luan as topi. Mbrëmë na erdhi për darkë Gjinkalla dhe na mbajti me llafe gjer në agim. Nuk i pushonte goja sikur të kishte ngrënë pllaka gramafoni në vend të petullave. Askush s’ia kalon kur fillon të tregojë përralla me shtriga dhe vër kopan.
-Hesht! Pse nuk fjete në shtëpi ose mbi bar po gjete vend tamam mbi mollën time më të mirë?…Fol de!
-Ti më the të hesht!
-Hesht, kur duhet të heshtësh, dhe fol, kur duhet të flasësh.
-Pikërisht këto unë i kam ngatërruar gjithmonë shumë keq…
-I ngatërron ëëë?…Ai e mbërtheu prapë nga veshi i majtë, sikur të mos ishte vesh, po parafango “zetori”.
-O! O! Do ma këputësh veshin!
-Përgjigju!
-Fjeta mbi mollë që të mos pengoja milingonat, të cilat mbledhin ushqim për dimër.
-More, po unë gjer sot ju kam ditur për leshko ju derkucëve, po ju të dhënkeni ujë në bisht të lugës!-E, si urdhëron, u japim atyre që e pinë…
-Pusho! I paedukuar!
-Aha, këtu e ke gabim, sa për edukatë s’ma kalon njeri në shkollë. Pyet kë të duash.
-Tani që do të vemi bashkë në shkollë, do ta shohim atë punën e edukatës sate.
-Ja, shko pyet vetë, unë kam besim të madh te ti, – i tha derkuci si pa të keq.
-Bashkë, or bukurosh, bashkë do të shkojmë. Mbaje në xhep besimin tënd mbase t ëhy në punë gjëkundi.
-Vemi kur të duash, por jo sot, se e kemi pushim.
-Pse? –pyeti I habitur ariu Zebo. – Sot nuk është e diel.
-A, lëre se ç’na ka ndodhur; mësuese Mjellmën e ka zënë gripi Hong-Kong! Thuhet se e ka punën keq, aq keq, sa përditë vjell nga hundët copa kaçkavalli.
-Hajde të gënjyer që bëke, more qerrata i xhaxhait. Specialist qenke për këtë punë. Po unë mësuese Mjellmën e takova qëpari te udhëkryqi. Qe me Bubin Kaçurrel.
-E pra, -fërkoi duart i gëzuar Çufoja, – ajo po shkonte në poliklinikën e pyllit. Gjersa qe te udhëkryqi, domethënë mund të shkonte në të majtë, mund të ecte drejt, mund të merrte nga e djathta, ose, po të dëshironte, mund të kthehej edhe mbrapsh…
Ariu, i inatosur, ia kapi të dy veshhët Cufos dhe ia afroi hundën pranë hundës së vet.
-Ato që të di ty koka, mua m’i di hunda, o buçko. Unë e pashë, mori rrugën e shkollës.
-Mbase vajti të merrte leje…-tha Çufoja.
-Pusho!
Atë çast një degë e fuqishme pishe u përkul tamam mbi kokën e Çufos. Ato e gudulisën keq dhe ai, që t’u shpëtonte thumbave të tyre, filloi të përdridhej. Zeboja e mori vesh, si duket edhe fidanët e rinj nuk i linte rehat ky derkuc i prapë, prandaj e kapi për krahu e i tha;
-Hajde t’u mbyllte, hajde, as fidanët nuk i paske lënë të qetë. Edhe për këtë do t’u them në shkollë.
Ariu e tërhoqi fort Cufon.
-Ej, avash, – u ankua derkuci,- se eci vetë. Nuk ke turp, alamet ariu e merresh me një copë derkuci të përgjumur. Shiko po nuk u tallën të gjithë me ty, sa të arrish në shkollë.
-Atë do ta shohim, po ti vetëm ec.
Kështu derkuci Çufo, i kapur ‘rob’, deshi s’deshi u nis drejt shkollës me zemër të lënduar, duke kujtuar shpotitë e shokëve dhe qortimet e mësuese Mjellmës , që e bëri të sëmurë.
ObserverKult
——————————-
Lexo edhe: