Për gjeneratën e idealistave t’lirisë, në përvjetorin e Ramiz Kelmendit

Nga Migjen Kelmendi

Po e adresoj babën në këtë përvjetor të vdekjes së tij, nga ana publike e emnit dhe veprës, ashtu si na thonin në ceremoninë mortore: ai nuk asht vetëm i jueji!

Pra, kur e kujtoj Ramiz Kelmendin, e kujtoj krejt nji gjeneratë idealistash, që besonin në të nesërmen, besonin në ‘progres’, ishin të bindun se e ardhmja e ka në vete jo vetëm lumninë dhe mirëqenien e kombit, por edhe – lirinë. Lirinë si koncept, si ideal.
Liria si koncept, ishte kudo në veprën, në qëndrimet, në andrrat dhe projeksionet e tyne.

Nisi shumë ma herët, por unë po e rroki idenë e lirisë në aktin e madh të shkrimtarit dhe ministrit Ernest Koliqi, dhe vendimin e tij me nis nji ‘ushtri’ mësuesish prej Shqipnie në Kosovë, me luftue analfabetizmin; e gjej në shembullin e flijimit madhështor të filozofes Marije Shllaku, që prej Shkodre erdhi me mobilizue Kosovën për liri; e gjej në vargun e famshëm të Esad Mekulit “Ne zovi me šiftar” (Mos m’thuej šiftar); në ndjesinë e autorit Ramiz Kelmendi se asht i ndjekun për konceptin e tij për lirinë; në dashninë e tij iracionale për Shqipninë; në poezinë dhe vargun “Unë biri yt Kosovë” të Ali Podrimes dhe në liriken ma të bukur shkrue najherë këndej të Azem Shkrelit.

Lirinë si koncept e gjej në publicistiken e Rexhep Qosjes, në shembullin dhe modelin e flijimit të Adem Demaçit, e gjej në idealizmin e protestuesve të vitit 1968 dhe gadishmëninë e tyne me ba burg për flamurin shqiptar.

Lirinë si koncept e gjej në kompromiset e Fadil Hoxhës dhe Ligës së Gjakovës që përfaqësonin dhe mbronin kauzën e shqiptarëve të Kosovës në Beograd; në përpjekjet juridike të Gazmend Zajmit, Dervish Rozhajës, Syrja Pupovcit…; në përpjekjet për mbrojtjen e ekonomisë së Kosovës të Ismet Gusisë…; në tabllotë e Muslim Mulliqit, të Xhevdet Xhafës…; në skulpturat e Agim Çavdërbashës…; ne stilin arkitektonik të Agush Beqirit…; në zanin e Nexhmije Pagarushës dhe kompozimet e Rexho Mulliqit; në ambëlsinë e zanit dhe melodive të Jusuf Gervallës; në protestat qytetare të grave kosovare gjatë viteve ’80; në ngujimin e minatorëve të Trepçës; në urtinë dhe mençuninë popullore të Anton Çettës; e gjej në lëvizjen paqësore të Ibrahim Rugovës…

Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk asht shpikësja e idesë së lirisë së Kosovës, asht kunorëzimi dhe flijimi final për këtë ide.
UÇK asht paroksizmi i krejt këtij kontributi.

Liria e sotme e Kosovës s’kishte me u kuptue pa kontributin e krejt këtyne emnave, heroizmin dhe guximin e ushtarëve të lirisë dhe flijimin e përgjithshëm të qytetarëve të Kosovës gjatë luftës ’97-’99.

Ra përvjetori i Ramiz Kelmendit dhe nuk mujta pa i kujtue këta emna, (kërkoj falje për krejt ata emna që në këtë moment nuk i kam në mendje), që gati asnjani prej tyne nuk rrnon, por kontributi i tyne, besimi i tyne në lirinë e Kosovës, ka me mbetë fundament i kësaj lirie dhe këtij shteti që po e gëzojmë sot.

E kam veç nji fjalë:
Ju falemnderit!

ObserverKult