Për herë të parë në Shqipëri, do të ndahet çmimi për “Poetin laureat”. Në garë për këtë çmim disa nga 25 autorët janë, Natasha Lako, Luljeta Lleshanaku, Mimoza Ahmeti dhe Flutura Açka. Vlerësimi do të bëhet në fund të muajit tetor.
Një tjetër iniciativë e Qendrës Kombëtare të Librit edhe Leximit, kësaj here është çmimi për “Poetin Laureat”. Një çmim ky që ka si qëllim ndërgjegjësimin e lexuesit për poezinë shqipe.
“Jemi këtu për të hap Tetorin e Librit, një muaj ndërgjegjësimi mbi rëndësinë që ka leximi në jetët tona. Do të jetë një muaj dedikuar letërsisë shqipe edhe autorit shqiptar. Protagonistët do të jenë autorët e traditës, shqiptarë edhe të rinj. Sot hapim edhe siparin e festivalit të letërsisë, kushtuar autorit shqiptar, që sot ka moton “Kryqat e minaret e ngurta” e marrë nga vargjet e Migjenit. Përtej, festivalit të letërsisë, ky do të jetë një muaj që për herë të parë, Shqipëria do të shpall edhe “Poetin e saj laureat”. Kjo është një traditë shumë e njohur në vende të ndryshme të botës, i cili pas mandatit 2-vjeçar do të bëjë një fushatë ndërgjegjësimi mbi rëndësinë që ka leximi i poezisë shqipe në të gjithë hapësirën shqiptare”, shprehet drejtoresha, Alda Bardhyli, drejtoreshë e QKLL.
25 kandidatët në garë për “Poeti Laureat” janë: 1. Flutura Açka; 2. Natasha Lako; 3. Arian Leka; 4. Ilirian Zhupa; 5. Parid Teferiçi; 6. Lindita Arapi; 7.Entela Tabaku; 8. Ervin Hatibi; 9. Rudian Zekthi; 10. Entela Kasi; 11. Visar Zhiti ;12. Bardhyl Londo;13. Rudolf Marku;14. Luljeta Lleshanaku; 15. Primo Shllaku; 16. Krenar Zejno; 17. Agron Tufa;18. Ledia Dushi; 19. Gëzim Hajdari ;20. Preç Zogaj; 21. Mimoza Ahmeti; 22. Skënder Rusi; 23. Skënder Buçpapaj; 24. Hamit Aliaj; 25. Petrit Ruka.
Juria që do të vlerësojë poetin laureat, kryesohet nga shkrimtari dhe poeti Besnik Mustafaj dhe anëtarët botuesja Arlinda Dudaj, Agron Gjekmarkaj, zv.Dekan i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë në UT, profesorja dhe poetja Viola Isufaj, dhe kritiku Agim Baçi. Poeti i parë Laureat shqiptar do të shpallet më 30 tetor./shqiptarja.com