Për Prometeun e gjallë – Xhabir Ahmetin

nga xhabir ahmeti

Xhabir Ahmeti është njëri prej shkrimtarëve të dalluar të një gjenerate krijuesish të shumanshëm, si: Teki Dërvishi, Ymer Shkreli, Musa Ramadani, Beqir Musliu, Resul Shabani…, që sollën një frymë të re në letërsinë shqipe.

Nga Fatmir Sulejmani

Me Xhabir Ahmetin njihemi që nga viti 1995, kur drejtoja revisten letrare BREZI 9, në faqet e së cilës gjetën vend shkrimet e krijuesve të shquar nga të gjitha trojet tona. Njëri prej tyre ishte Xhabiri, i cili na ka përkrahur me dashamirësi të jashtëzakonshme. Kjo na dha krahë, sepse ai nuk ishte një njeri dosido, po një intelektual erudit dhe një figurë e çmuar e letërsisë dhe kulturës, prej të cilit  kemi mësuar dhe vazhdojmë të mësojë edhe sot gjëra shumë të vlefshme.

Krijimtaria e tij shtrihet pothuajse në të gjitha llojet e shkrimit. Ajo është vlerësuar me nota të larta nga studiuesit dhe kritikët që ndjekin prej kohësh letërsinë e mirëfilltë.

Xhebir Ahmeti është autor i romaneve: “U kthye përsëri” dhe “Lule në tjegulla”; i përmbledhjeve me tregime: “Degët e një druri”, “Vetullholla e kobshme”, “Përveç fjalëve të këngës”, “Një govatë druri dhe hija e manit të madh”; i dramave: “Pahintikë në ëndërr” dhe “Oleoria Xhentiterriba” dhe disa veprave të tjera, që sollën risi në letërsinë tonë, risi që i bën ato të mbijetojnë shumë përtej kohës së shkrimit. Në këtë mes zënë vend edhe përkthimet brilante nga Shqipja në Maqedonishte dhe anasjellas.

Veprat e tij janë të lidhura mish e thua me jetën e njerëzve. Ato janë me frymë kombëtare dhe i takojnë letërsisë moderne. Me to ai sfidon krerët e së keqes, nga shputat e të cilëve akoma nuk jemi çliruar. Veprat në fjalë, e kanë ruajtur freskinë dhe do të mbeten të tilla edhe në kohërat që vijnë, sepse janë të veçanta dhe sepse flasin për ngjarje, dukuri e fenomene të gjithkohshme e të kudondodhshme.

E veçantë është edhe gjuha e pasur dhe e pastër e veprave të Xhabirit, këtij njohësi të madh të fjalëve të moçme e të harruara. Me të ai portreton mjeshtërisht jetën mjerane të popullit të tij. Me të sfidon matrapazët që manipulojnë të painformuarit duke keqpërdorur më së shpeshti Atdheun dhe Zotin, në emër të të cilëve janë bërë dhe bëhen krimet më monstruoze në historinë e njerëzimit.

Heronjtë e veprave të Xhabirit, që flasin shumë e nuk merren vesh me njeri-tjetrin, janë krahasuar me heronjtë e Franc Kafkës.

Xhabir Ahmeti, njësoj si Dritëro Agolli në romanin satirik “Shkëlqimi dhe rrënia e Shokut Zylo”, shfrytëzon të qeshurën për të sfiduar veset e këqia të njerëzve me pushtet, që i sjellin dëme të pariparueshme shoqërisë njerëzore. Edhe emrat e personazhëve të veprave të Xhabirit janë qesharakë si ato të Dritëroit, i cili në faqet e para të romanit të sipërpërmendur shkroi: “Nuk ka asgjë më të keqe se ta vesh njeriun në pozita qesharake. E qeshura e çarmatos njeriun. Aristofani me të qeshurat i çarmatosi perënditë”.

Ndër krijimet më të arrira të Xhabir Ahmetit bëjnë pjesë edhe veprat dramatike. Me dramën “Pahintikë në ëndërr”, Xhabiri u shpalli luftë varrmihësve të qytetërimit shqiptar, nëpërmjet ironisë, parodisë, satirës së mprehtë dhe mjeteve tjera që ka në disponim një shkrimtar i kalibrit të tij. Për të, shkrimtari i mirënjohur Musa Ramadani shkroi: “Drama e shkrimtarit bashkëkohor Xhabir Ahmetit bën pjesë ndër veprat më të mira të kësaj gjinie në gjuhën shqipe”. Kurse studiuesi Nebi Islami shtoi: “Me cilësinë e këtillë drama ‘Pahintikë në ëndërr’ ka shënuar depërtim cilësor në dramën tonë bashkëkohore, duke e përkapur temën e absurdit lidhur me tragjiken e formave të ekzistimit të një çasti historik si nyje gordiane me gjendjet dhe zhvillimet që kërkonin zgjidhje nga një distancë tjetër kohore”.

Ai shkëlqeu po kaq edhe me dramën “Oleoria Xhentiterriba”, të cilësuar si: Dramë e llojit të absurdit, madje si antidramë, pasi aty përzihet komikja me dramatiken, realistja dhe e besueshmja me absurden dhe të pabesueshmen, e zakonshmja me të jashtëzakonshmen, e rëndësishmja me të parëndësishmen. Ashti ideor i kësaj “komedie të zezë” është stigmatizimi i vanitetit intelektual, i snobizmit dhe pseudoshkencëtarëve dhe pseudoshkencës.

Parë në tërësi, veprat e Xhabir Ahmetit fshikullojnë gjithë ata që ushqejnë të keqen brenda një shoqërie të prapambetur si kjo jona. Ai thumbon fuqishëm politikanët dhe klerikët, të vetëquajturit intelektualë dhe dijetarë, që nuk e kalojnë dot nivelin e heronjëve mediokër të Çajupit, Konicës, Fishtës, Kadaresë, Agollit dhe shumë shkrimtarëve të tjerë shqiptarë e botërorë, të cilët me veprat e tyre kanë lakuriqëzuar ushqyesit e shëmtive të jetës njerëzore, gjithandej ku u jepet rasti.

Xhabiri bën pjesë në gripin e atyre njerëzve, për të cilët Nana ime e ndjerë thoshte: “kanë lodër në bark”, ndaj e thonë atë që duhet thënë në kohën e duhur, pavarësisht pasojave që mund t’i nxisë fjala e lirë. Falë këtij temperamenti të gjallë dhe të zjarrtë, ai ia doli ta realizojë edhe idenë e kahmotshme për themelimin e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, pa rahur gjoks dhe pa kërkuar asnjë falënderim… Ai është krijuesi që me vepra konkrete ka sfiduar pushtetet e egra dhe antishqiptare, që në kohën e Jugosllavisë titiste. Ai, si rrallë ndonjë tjetër, ka paguar tagre të rënda dhe ka vuajtur shumë për shkak të shkrimeve kundërpushtetare, që do të ishte mirë të ribotohen për t’u njohur edhe nga lexuesit e brezave më të rinj.

Xhabir Ahmeti është shkrimtari, eseisti, romancieri, tregimtari, dramaturgu, përkthyesi dhe njohësi i madh i folklorit dhe gjuhës shqipe. Është njeriu që, siç e thotë vetë në intervistën dhënë Gazetës Observer: arritjet më të mëdha i gjeti te suksesi i fëmijëve të tij, dashurinë më të madhe – te gjuha shqipe, lumturinë e përkryer – te liria e kombit, heronjtë e jetës – te prindërit me shumë fëmijë, mjerimin më të madh – te analfabetizmi që po na kthehet, kurse frikën më të trishtueshme – te e ardhmja e pasigurt e brezit më të ri të popullit tonë.

Uroj me zemër e shpirt, që ky burrë i fisëm dhe i pajisur me dije enciklopedike, që ky njeri i urtë, i cili po përballon me durim të jashtëzakonshëm dhembje shumë të mëdha…, të ketë shëndet e të vazhdojë të shkruajë perla te reja, që e nderojnë letërsinë dhe kulturën shqiptare.

Kjo është në pika të shkurtëra ajo që thashë për mikun tim dhe tuajin, për mjeshtrin e shkrimit shqip, për Prometeun e gjallë – Xhabir Ahmetin, në Festën e Librit 2024, të organizuar më 17 shtator në sheshin e Gostivarit, ku u nderua vepra e tij./portalb

ObserverKult


Lexo edhe:

XHABIR AHMETI: KACAFYTEM ME PIKËLLIMIN…