Përballë përbindëshit kurrkush nuk ndihej… derisa u ngrit një Burrë

mehmet elezi
Mehmet Elezi

PËRBINDËSHI

Nga Mehmet Elezi

Filmin Shesh (Square), e pashë te kanali franko-gjerman ARTE. Vepër e regjisorit suedez Ruben Östlund, fitues i Palmës së Artë, 2017. Po ndalem vetëm te një skenë.
Në një mbrëmje gala ftojnë një përbindësh. Fytyrë e shtat njeriu, duket thjesht një i metë. I zhveshur në mes e nalt, kërcen pupthi. Gjuha, në trajtë lehjesh me energji të zezë. Organizatori i porosit pjesëmarrësit mos tregoni interes për të, mos ia varni, mos i ktheni përgjigje. Lereni në lojën e vet.

Përbindëshi i afrohet herë njërit, herë tjetrit. Ngacmon, provokon, prek në mënyrë fyese.
Askush nuk bëzan.
I qepet një burri, e detyron me ikë nga tavolina për me i shpëtue dhunës.
Askush nuk bëzan.
Përbindëshi merr zemër, me një të kërcyer hip në tavolinën qendrore, shkel e përdhos gjithçka.

Askush nuk bëzan.

I afrohet një zonje të re, e prek në fytyrë e në gushë në mënyrë të papërshtatshme.
Askush nuk bëzan.
E ngjesh dhunshëm nën mjekrën e vet, ajo thërret me zë të mekur si kec, ndihmomëni.
Askush nuk bëzan.

Salla e kristaltë, burra e gra fisnikë me veshje gala, të tërë të ngrirë. Përbindëshi e mbërthen zonjën kafshërisht, e tërheq për flokësh zhag nëpër fundshtrojë, ajo ka flokë të gjatë, të dendur, të bukur, ai i hip përsipër kafshërisht, bëhet gati për veprimin e fundit të çnjerëzimit kafshëror, aty, ndërsy të gjithëve.

Askush nuk bëzan.

Askush nuk merr frymë.
Derisa një burrë i bardhë, diku midis shtatëdhjetë e tetëdhjetë vjeç, i lëshohet fort përbindëshit me një grusht në kraharor. Salla madhështore më në fund zgjohet. Turren njerëzit. S’ka më përbindësh!

Ku ishit, o njerëz? Përbindëshi nuk po i dhunonte vetëm ata që i prekte. Po ju dhunonte të gjithë ju, të gjithë ju. Po i përdhunonte fytyrat tuaja, zonjat tuaja të hijshme e të fisme që keni në krah. Bukën tuaj, jetën tuaj, vdekjen tuaj. Gjithçka.
Ai, përbindëshi që e ftuat vetë! Përbindëshi, përballë të cilit kurrkush nuk po ndihej.
Derisa u ngrit një Burrë!

ObserverKult

==============================

Lexo edhe:

HEMINGUEJ – PETRO MARKOS: SHKRIMTARI, QË E DO NJERIUN DHE VDES PËR TË, SHKRUAN MIRË!