Perëndi, natyrë dhe epidemi: Përse duhet rilexuar “Iliada”

Mauro Bonazzi

Një epidemi e padeshifrueshme; shumë të vdekur; dhe vendime të vështira për t’u marrë. Kështu fillon Iliada, teksti i parë letrar i qytetërimit evropian. Agamemnoni, mbreti i ekspeditës ushtarake të Grekëve kundër Trojës, kishte marrë si plaçkë lufte bijën e një prifti – Kriseidën.

Dhe Krise, prifti, i ishte lutur Zotit të tij që ta ndihmonte, kur mbreti Agamemnon kishte refuzuar që ta rikthente. U tha, u bë! Agamemnoni kishte guxuar të fyente një Perëndi? Apollo e kishte ndëshkuar menjëherë, duke lëshuar në vendfushimin e ushtrisë greke shigjetat e tij të helmatisura.

“Murtaja e ligë pllakosi në fushë”, “Nuk ndaleshin zjarret në turrat e druve ku digjeshin të vdekurit”. Vetëm nëse dorëzonte Kriseidën, do i shpjegonte Kalkanti, perëndia do të qetësohej. Eshtë momenti kur shpërthen problemi i Iliadës. Kriseida ishte robinjë e Agamemnonit: duke privuar veten nga ajo, ai do të kishte më pak se luftëtarët e tjerë. Dhe kjo ishte e papranueshme. Si të bëhej? Sigurisht që vajza duhej të kthehej te babai i saj. Po Agamemnoni?

Janë histori aktuale, nëse kupton skemën mbi të cilën janë ndërtuar. Rrëfimi artikulohet në fakt përgjatë dy linjave, njëra vertikale dhe tjetra horizontale, si dhe dy koncepteve mbi drejtësinë. Linja vertikale ka të bëjë me marrëdhënien mes njerëzve dhe perëndive; ajo horizontale ka të bëjë me marrëdhënien mes vetë njerëzve. Është drejtësia hyjnore, ndëshkimi që pashmangshmërisht godet qeniet njerëzore kur shkelin kufijtë që u janë vendosour; dhe një drejtësi njerëzore, që ka të bëjë me mënyrën se si njerëzit organizojnë marrëdhëniet e tyre reciproke. Ngjajnë si dy çështje të ndryshme: krejt papritur zbulohet se janë ngushtësisht të ndërthurura mes tyre. Si mund të organizohet në mënyrë të barabartë bota e njerëzve, pa bërë padrejtësi kundrejt perëndive? Mjafton të ndryshosh krahët e natyrës, dhe problemet e Agamemnonit bëhen edhe tonat.

Përdhosja e natyrës ka një çmim që herët a vonë na duhet ta paguajmë. Ashtu si heronjtë homerianë, edhe ne shpresonim që të zgjidhnim problemet tona, të organizonim botën tonë, duke shfrytëzuar realitetin që na rrethon. Nuk mundet. Ashtu si Apollo, edhe natyra herët a vonë do të reagojë – dhe neve nuk na mbetet veçse të gjunjëzohemi: nuk debatohet me këto fuqi superiore.

Është një ide që përsëritet vazhdimisht këto kohë, teksa virusi përshkon globin. Shfrytëzimi intensiv i burimeve natyrore po shkakton tronditje: është e domosdoshme të dëgjojmë natyrën dhe të ndryshojmë mënyrën tonë të të jetuarit, duke mësuar më në fund të pranojmë se nuk jemi zotër të botës. E vërtetë, por mësimi i Iliadës është një tjetër: problemi më urgjent nuk është marrëdhënia me mjedisin që na rrethon. Problemi është si të organizojmë botën tonë. Burimet janë të kufizuara: duhet të konsumojmë më pak, apo jo. Po konkretisht? Kush dhe si duhet të heqë dorë nga pjesa e vet? Përse kush ka, duhet të japë? Pra, si duhet të vazhdojmë? Për këtë duhet të flasim, siç e shpjegon Nestori, shumë këngë më vonë tek Iliada: pasi shumë heronj dhe shumë më tepër ushtarë të thjeshtë, kanë rënë në betejë. A nuk mund të gjendej një zgjidhje më herët?

Problemi mjedisor është një problem drejtësie politike. Homeri është një mjeshtër, nuk pëlqen të japë leksione. Duke u njohur dobësitë, ai i do të gjithë personazhet e tij, pa bërë dallime. Po të ishte këtu sot, do të mbështeste të gjithë ne, me shpresën që do ia dalim të sillemi me pakëz më shumë inteligjencë, se sa heronjtë e tij. / Sette – Bota.al