Nga Sophie Hardach
Për pjesën më të madhe të historisë, leximi ka qenë një aktivitet shumë i zhurmshëm. Në pllakat prej balte të shkruara në Irakun dhe Sirinë antike rreth 4.000 vjet më parë, fjalët e përdorura zakonisht “për të lexuar” do të thoshin fjalë për fjalë “të bërtasësh” ose “të dëgjosh”.
“Unë jam duke dërguar një mesazh shumë urgjent. Dëgjojeni këtë tabelë. Nëse është e përshtatshme, le ta dëgjojë edhe mbreti”- thuhet në një letër nga ajo periudhë. Vetëm herë pas here, përmendet një teknikë tjetër: të “shohësh” një tabelë – ta lexosh atë në heshtje.
Sot, leximi i heshtur është një normë. Shumica prej nesh i përvetësojnë fjalët në kokë si të ishim në sallën e një biblioteke. Leximi me zë të lartë i rezervohet kryesisht leximit të përrallave para se fëmijët të flenë.
Por një studim sugjeron që ne mund të humbasim shumë duke lexuar vetëm me zërat brenda mendjeve tona. Arti antik i të lexuarit me zë të lartë, ka një numër përfitimesh për të rriturit. Ai ndihmon në përmirësimin e kujtimeve tona dhe kuptimin e teksteve komplekse, deri në forcimin e lidhjeve emocionale midis njerëzve.
Dhe larg nga të qenit një aktivitet i rrallë ose i dikurshëm, ai është ende çuditërisht i zakonshëm në jetën moderne. Shumë prej nesh e përdorin atë në mënyrë intuitive si një mjet të përshtatshëm për të kuptuar fjalën e shkruar, edhe pse thjesht janë të vetëdijshëm për këtë gjë.
Kolin Mekleod, psikolog në Universitetin e Vaterlosë në Kanada, ka hulumtuar gjerësisht ndikimin që ka leximi me zë të lartë mbi kujtesën e njeriut. Ai dhe bashkëpunëtorët e tij, kanë treguar që njerëzit i kujtojnë vazhdimisht fjalët dhe më mirë tekstet, nëse i lexojnë ato me zë të lartë sesa kur i lexojnë në heshtje.
Ky efekt i forcimit së kujtesës nga leximi me zë, është veçanërisht i fortë tek fëmijët, por funksionon edhe tek njerëzit e moshuar. “Përfitimet janë të dobishme në çdo lloj moshe”- thotë ai. Mekleod e ka quajtur këtë dukuri si “efekti i prodhimit”.
Pra prodhimi i fjalëve të shkruara –domethënë leximi i tyre zë të lartë – përmirëson kujtesën tonë mbi to. Efekti i prodhimit, është vërtetuar në shumë studime që kanë zgjatur më shumë se sa një dekadë. Në një studim të bërë në Australi, një grupi fëmijësh 7 deri në 10 vjeç iu prezantua një listë fjalësh dhe ju kërkua të lexonin disa prej tyre në heshtje, dhe të tjerat me zë të lartë.
Më pas, ata njohën saktë 87 për qind të fjalëve që kishin lexuar me zë të lartë, por vetëm 70 për qind të fjalëve që kishin lexuar në heshtje. Në një studim tjetër, të rriturve të moshës 67-88 vjeç iu ngarkua e njëjta detyrë – pra të lexonin fjalë në heshtje ose me zë të lartë – përpara se të shkruanin të gjithë fjalët që mund të mbanin mend.
Ata ishin në gjendje të kujtonin 27 për qind të fjalëve që kishin lexuar me zë të lartë, por vetëm 10 për qind të atyre që kishin lexuar në heshtje. Kur u pyetën se cilat nga fjalët njohën, ata ishin në gjendje të identifikonin saktë 80 për qind të fjalëve që kishin lexuar me zë të lartë, por vetëm 60 për qind të fjalëve të lexuara në heshtje.
Mekleod dhe ekipi i tij kanë zbuluar se ky efekt mund të zgjasë deri në 1 javë pas eksperimentit. Edhe vetëm duke i përsëritur ato me zë shumë të ulët i bën ato më të paharrueshme, edhe pse në një masë më të vogël. Studiuesit në Universitetin Ariel në Izrael, zbuluan se efekti i forcimit të kujtesës funksionon nëse lexuesit kanë vështirësi në të folur dhe nuk mund të artikulojnë plotësisht fjalët që lexojnë me zë të lartë.
Mekleod thotë se një nga arsyet se përse njerëzit i mbajnë mend fjalët e lexuara me zë të lartë, është se “ato dallohen”, pasi janë lexuar me zë të lartë, dhe kjo të jep një bazë shtesë mbështetje për kujtesën”. Në përgjithësi njerëzit janë më të aftë në kujtimin e ngjarjeve të dallueshme, të pazakonta, dhe gjithashtu edhe të ngjarjeve që kërkojnë përfshirje aktive.
Për shembull, gjenerimi i një fjale në përgjigje të një pyetje, e bën atë më të paharrueshme, një dukuri e njohur si efekti i gjenerimit. Një mënyrë tjetër për t’i kujtuar më mirë fjalët është t’i vësh ato në zbatim, për shembull duke e përplasur një top përtokë (ose duke e imagjinuar këtë gjë) ndërsa të thuash “kërcimi i një topi”. Ky quhet efekti i dekretimit.
Të dyja këto efekte, janë të lidhura ngushtë me efektin e prodhimit: ato lejojnë që kujtesa jonë ta shoqërojë fjalën me një ngjarje të veçantë, dhe në këtë mënyrë e bëjnë më të lehtë rikujtimin e saj më vonë.
Efekti i prodhimit është më i fortë nëse lexojmë vetë me zë të lartë. Por dëgjimi i dikujt tjetër që lexon me zë, mund të sjellë përfitime në kujtesën tonë. Në një studim të udhëhequr nga studiuesit në Universitetin e Peruxhias në Itali, studentët lexuan ekstrakte romanesh para një grup njerëzish të moshuar të sëmurë nga demenca në gjithsej 60 seanca.
Dëgjuesit performuan më mirë në testet e kujtesës pas seancave sesa më parë, ndoshta sepse historitë i bënë ata të zhyteshin në kujtimet dhe imagjinatën e tyre, dhe i ndihmuan të renditnin përvojat e tyre të kaluara në sekuenca të veçanta. “Duket se dëgjimi aktiv i një historie, sjell një përpunim më intensiv dhe më të thellë të informacionit”- theksuan studiuesit.
Leximi me zë, mund të bëjë gjithashtu më të dukshme problemet të caktuara të kujtesës, dhe mund të jetë i dobishme në zbulimin e tyre më herët. Në një studim, u zbulua se njerëzit me sëmundjen e Alzheimerit në fazat e tij të hershme, kishin më shumë të ngjarë se të tjerët që të bënin gabime të caktuara kur lexonin me zë të lartë.
Ka disa prova që shumë prej nesh janë intuitivisht të vetëdijshëm për përfitimet e leximit me zë të lartë, dhe e përdorin këtë teknikë më shumë sesa mund ta kuptojmë. Sem Dankan, një studiues i shkrim-leximit për të rritur në Universitin e Londrës, kreu një studim 2-vjeçar me më shumë se 500 njerëz në të gjithë Britaninë gjatë viteve 2017-2019 për të zbuluar nëse, kur dhe si ata lexojnë me zë të lartë.
Shpesh, pjesëmarrësit në studim pohonin në fillim se nuk lexonin me zë të lartë. Por më pas e kuptuan se në fakt e bënin këtë gjë. “Leximi i të rriturve me zë të lartë është shumë i përhapur. Nuk është diçka që e bëjmë vetëm me fëmijët, apo diçka që ka ndodhur vetëm në të kaluarën”- thotë Dankan.
Disa thanë se lexonin e-maile ose mesazhe qesharake për të argëtuar të tjerët. Të tjerët lexonin lutje dhe bekime me zë të lartë për arsye shpirtërore. Shkrimtarët dhe përkthyesit lexojnë punët e tyre me zë të lartë për të dëgjuar ritmin dhe rrjedhën e mendimit.
Njerëzit lexojnë me zë të lartë për t’u dhënë kuptim recetave, kontratave dhe teksteve të shkruara shumë ngushtë.
Për shumë të anketuar, leximi me zë të lartë u sillte gëzim, rehati dhe ndjenjën e përkatësisë. Disa u lexonin miqve të sëmurë ose që po vdisnin si “një mënyrë për t`u arratisur së bashku diku, thotë Dan. Një grua kujtoi nënën e saj që i lexonte poezi dhe i fliste në uellsisht.
Kur e ëma vdiq, gruaja filloi të lexonte me zë të lartë poezinë në uellsisht për t’i risjellë në kujtesë ato momente të përbashkëta. Por nëse leximi me zë të lartë sjell përfitime të tilla, atëherë përse njerëzit kaluan tek leximi në heshtje?
Një e dhënë mund të gjendet tek pllaka e argjilës nga Lindjen e Mesme, e shkruar nga skribë profesionistë, me një stil shkrimi të quajtur kuneiform. Me kalimin e kohës, skribët zhvilluan një mënyrë gjithnjë e më të shpejtë dhe më efikase për të shkruar.
Shkrimi i shpejtë ka një avantazh thelbësor, sipas Karenleig Overman, arkeologe në Universitetin e Bergenit në Norvegji, që studion se si shkrimi ka ndikua në trurin dhe sjelljen e njeriut në të kaluarën. “Ai përputhet shumë më mirë me shpejtësinë e mendimit”- thotë ajo.
Nga ana tjetër Leximi me zë të lartë, është relativisht i ngadaltë për shkak të hapit shtesë të prodhimit të një tingulli. “Aftësia për të lexuar në heshtje, edhe pse ishte e kufizuar tek skribët shumë të aftë, kishte një përparësi të dukshme, veçanërisht shpejtësinë”- thotë Overman.“Leximi me zë të lartë, është një sjellje që e ngadalëson aftësinë tuaj për të lexuar shpejt”- shton ajo.
Në librin e tij mbi shkrim-leximin antik, “Leximi dhe shkrimi në Babiloni”, asirologu francez Dominik Sharpin citon një letër të një skribi të quajtur Hulalum, që lë të kuptohet se lexon me shpejtësi në heshtje.
Në letrën e tij, ai shkruan se hapi një zarf prej balte – pllakat mesopotamiane ishin të mbyllura brenda një mbështjellësi të hollë prej balte për të parandaluar leximin e tyre nga sytë kureshtarë – duke menduar se ajo përmbante një mesazh për mbretin.“Unë e pashë që ajo ishte shkruar për dikë tjetër, dhe për këtë arsye nuk e lashë mbretin ta dëgjonte atë” – shkruan Hulalum.
Ndoshta skribët e lashtë, ashtu si ne sot, kënaqeshin që kishin në dispozicion dy mënyra leximi: një të shpejtë, të përshtatshëm, të heshtur dhe personal; tjetrin më të ngadaltë, më të zhurmshëm dhe hera-herës më të paharrueshëm.
Në një kohë kur ndërveprimet tona me të tjerët dhe breshëria e informacionit që marrim janë shumë kalimtare, ndoshta ia vlen të shpenzosh pak më shumë kohë për të lexuar me zë të lartë. Mbase e provuat me këtë artikull, dhe ju pëlqeu ta dëgjonit me zërin tuaj? / “BBC Future”
ObserverKult
Lexo edhe: