Nga Blerim Valla
Gjakova këtë verë padyshim ishte qyteti i kulturës jo vetëm kosovare por edhe mbarëshqiptare, ku u zhvilluan shumë ngjarje artistike me vlera të larta, pasi veç gjatë dy muajve të kësaj vere, në korrik e gusht, u mbajtën tri festivale si “Ditët e Shqiptarit”, pastaj “Me t’venit për venin” si dhe i fundit “Gjakova Summer Fest”.
Kështu, pas tri ditësh aktivitetesh të shumta artistike e muzikore, në Gjakovë, përfundoi edicioni i dytë i Festivalit “Gjakova Summer Fest”, i organizuar nga violinisti i njohur me përmasa botërore Shkëlzen Doli, i cili është edhe ideator dhe udhëheqës artistik i tij, së bashku edhe me muzicientin e njohur Ruzhdi Sadikun si udhëheqës artistik, dhe profesoreshën uiversitare Sindorela Doli – Kryeziun si drejtoreshë e festivalit.
Nga organizatorët e festivalit, në ditën e parë të hapjes të këtij festivali, që u bë mu bë në zemër të Gjakovës, në Çarshi të Vjetër, para shumë qytetarëve nga mbarë Kosova e më gjerë, u tha se qëllimi mbajtjes së këtij edicioni të festivali është i bazuar në trashëgiminë e pasur kulturore të Gjakovës, si dhe nga inkurajimi për rikthimin e qytetit të Gjakovës në një pikë destinacioni për turizmin kulturor. Kurse synimi kryesor i mbajtjes së kësaj festeje muzikore e artistike është ruajtja dhe kultivimi i muzikës së pastër shqiptare.
Përndryshe ky festival sikurse edhe vjet në edicionin e parë, mblodhi shumë publikë anembanë hapësirës shqiptare, me pjesëmarrjen e shumë artistëve të njohur shqiptar dhe të huaj, me të cilët u festua gjatë tri netëve me muzikë e poezi, në Çarshinë e Vjetër të Gjakovës dhe në Parkun Kulturor “Ali Podrimja”.
Nata e parë e festivalit “Gjakova Summer Fest” edicioni i dytë, nisi me një koncert gala në Çarshinë e Vjetër të Gjakovës, që ishte edhe ajka e këtij festivali, me paraqitjen e Ansamblit muzikor “Shkëlzen Doli”, i cili i udhëhequr nga violinisti i madh Shkëlzen Doli, është formuar dhe funksionon qe disa vite. Si dhe me paraqitjen e shumë këngëtarëve e mysafirëve të ftuar që ishin jo vetëm nga Gjakova, por edhe nga Shqipëria edhe të huaj, si: grupi “Skofiarët” me këngëtarët Muharrem Mici e Miranda Hashani, sopranot Elita Hoxha e Adelina Qerimi, Zenel Doli, pastaj këngëtari elbasanas Mustafa Mehja, çifti i këngëtarëve gjermano – shqiptar (gjakovar) Montana Zimmerman dhe Taulant Lekaj, si dhe paraqitja e mrekullueshme e dy violinistëve të vegjël Sibora Resyli dhe Lindi Pasha që shoqëruar nga i madhi Shkëlzen Doli, interpretuan me plot fantazi në violinë këngën e njohur “Baresha”.
Nata e dytë e festivalit ishte e dedikuar për të rinjtë ku publiku pati mundësi të kënaqet me muzikë tekno, rock, pop e zhanre të tjera dhe ku u paraqitën DJ Roni ( Ron Sadiku) djaloshi i talentuar gjakovar i shkolluar për produksion muzikor në Suedi, pastaj këngëtari i njohur Valon Shehu me grupin e tij, si dhe këngëtari tashmë i pëlqyer shumë Ndriçim Gazija, e që të gjithë këta me këngët dhe paraqitjet e tyre elektrizuan në maksimum atmosferën dhe kënaqën të pranishmit e shumtë.
Ndërsa, Parku Kulturor “Ali Podrimja” ishte vendi ku u mbyll edicioni dytë i Festivalit “Gjakova Summer Fest”. Kjo natë e tretë ishte ndryshe nga dy netët e para. Pasi u përmbyll me një mbrëmje përkujtuese letraro – artistike kushtuar poetit Ali Podrimja.
Për të përkujtuar poetin më të madh të letërsisë shqipe, folën poet e studiues si Lulzim Tafa, poet dhe profesor universitar nga Prishtina, poezitë e të cilit janë të përkthyera në shumë gjuhë të botës dhe janë përfshirë në disa antologji. Pastaj Gentiana H. Muhaxhiri, poete dhe ligjëruese e letërsisë në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin “Fehmi Agani”, në Gjakovë, si dhe shkrimtari gjakovar Qemajl Juniku. E të cilët evokuan kujtimet e tyre nga miqësia me poetin Ali Podrimja dhe lexuan kumtesa lidhur me vlerat poetike të Ali Podrimjes.
Kurse mysafire të kësaj nate të tretë, për ta rikthyer nostalgjinë poetike të vet poetit Ali Podrimja, ishin recitueset: Blerina J. Dula, Majlinda Nushi e Sindorela Doli-Kryeziu, që dikur mbanin gjallë shpirtin poetik dhe atdhetar me recitimet e tyre para tri dekadash. Recitimet e bukura nga recitatoret e dikurshme, me plot pasion, dhuruan nostalgji të papërsëritshme, dhe u duartrokitën gjatë si para shumë vitesh, nga publiku i shumtë.
Në fund, edicioni i dytë i festivalit “Gjakova Summer Fest” u mbyll me grupin “Arshikët” me këngët e tyre vjetra dhe të bukura qytetare shqiptare, që u mirëpritën nga publiku i pranishëm. Grupi “Ashikët” si përherë me stilin unik të këndimit dhe me shpirtin e tyre po i ruajnë me fanatizëm vlerat e pastra muzikore mbarëshqiptare.
Përndryshe Festivali “Gjakova Summer Fest” me një gërshetim të muzikës dhe poezisë, përmbushi me shumë sukses dhe me shumë vlera, jo vetëm qëllimin e synimin e vet, por edhe anën ideoartistike të tij, të ideuar dhe themeluar nga violinisti i njohur Shkëlzen Doli, së bashku edhe me dy bashkëpunëtorët e tij Ruzhdi Sadikun dhe Sindorela Doli – Kryeziun.
ObserverKult
Lexo edhe: