
Mes duartrokitjesh dhe emocionesh u zhvillua ceremonia përmbyllëse e edicionit të katërt të Panairit të Librit në Kamëz, i cili bëri bashkë autorë, botues, studiues dhe artdashës.
Në përfundin të panairit u ndanë çmimet për veprat më të spikatura të vitit duke vlerësuar autorët për kontributin e tyre në letërsinë shqipe.
Me çmimin PANTEON për karrierën u vlerësua shkrimtari i njohur Fatos Kongoli.
“Është vërtetë prekëse, qoftë dhe kjo traditë që ka Bashkia Kamëz për aktivitete të tilla. Uroj që aktivitete të tilla të bëhen sa më shumë, pasi libri është pjesë e pandarë e jetës. Atë që ta jep leximi nuk ta japin rrjetet sociale. Libri është i pazevëndësueshëm”, tha Kongoi.
Ndërsa për romanin “Parajsa Artificiale” shkrimtari dhe publicisti Ben Blushi u nderua me çmimin LITTERA për prozën e gjatë. Në fjalën e tij shkrimtari i bëri një kërkesë kryetarit të Bashkisë për të zeruar taksat e librarive.
“Ne që shkruajmë sot problemin më të madh e kemi të shkojmë të lexuesi dhe panairi. Dua t’i bëjë një propozim kryetarit të Bashkisë të Kamzës, të ketë një lloj hapësire për të ndryshuar taksat, sikur bashkia të kishte marrë një nismë për të zerurar taksat e librarive… do e pasuronte një qytet. Edhe njëherë shumë faleminderit shumë për çmimin dhe shpresoj që vitin tjetër të marrim pjesë sërish në panair”,-tha Ben Blushi.
Çmimi KOLEKSION për prozën e shkurtër shkoi për Diana Çulin, për vëllimin “I panjohuri”;
KACAMISRI për letërsinë për fëmijë iu dha Xhevahir Spahiut, për librin poetik “Një mijë dashuri”;
Zija Vukaj u vlerësua me çmimin Babel për përkthimin dinjitoz të kryeveprës “Pinoku” të Carlo Collodit në shqip. Çmimi MEHR LICHT për librin studimor shkoi për Ardian Vehbiun për veprën studimore “Përrallëtarët e gjuhës shqipe”. Ndërsa Çaush Kullafi u vlerësua si shkrimtari në Komunitet dhe Hamdi Skeja mori çmimin letrar Horizont.
Panairi i librit “Kamza Lexon” kishte pjesëmarrës 25 shtëpi botuese, u zhvilluan promovime librash me autorët shqiptarë ndërsa u vizitua nga qindra qytetarë dhe të rinj.
ObserverKult
—————————————
Lexo edhe: