Përfundon “Rolling Film Festival”/ Kurti: Dallimet kulturore nuk duhet të na ndajnë

“Jam i nderuar që të flas sot në këtë ngjarje e cila promovon jetën, diversitetin dhe përvojat e përbashkëta të komunitetit rom në Kosovë dhe kudo në botë”, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në ceremoninë përmbyllëse të edicionit të gjashtë të “Rolling Film Festival”, që u mbajt nga 16-20 prill, në Prishtinë.

Kryeministri Kurti përgëzoi organizatorët për organizimin e festivalit duke respektuar udhëzimet e Ministrisë së Shëndetësisë kundër pandemisë. 

“E çmoj lartë faktin se Rolling Film Festival është bërë ngjarje e rëndësishme artistike në Kosovë, përmes të cilit pasqyrohet jetesa e komunitetit rom, mbështetet arti dhe kultura rome që ndihmon për të luftuar paragjykimet dhe gjuhën e urrejtjes”, tha kryeministri në fjalimin e tij, në skenën e Teatrit Kombëtar.

Ai tha se romët në Kosovë janë pjesë përbërëse e shoqërisë, me të drejta të barabarta e të garantuara, por me probleme të shumta, sikurse janë edhe një pjesë e mirë e komuniteteve tjera. “Arsimi, punësimi dhe pjesëmarrja e integrimi janë probleme që e shoqërojnë komunitetin rom e të cilat duhet t’i zgjidhim së bashku”, theksoi ai. 

Kryeministri Kurti tha se ky Festival i Filmit duhet t’i shërbejë shoqërisë për të kuptuar më mirë dhe më drejt nevojat e Komunitetit Rom por edhe të rrisë ndërgjegjen për të krijuar një shoqëri që nuk përjashton.

“Si shumicë ne duhet të afrojmë pakicën që të bëhet pjesëmarrëse brenda nesh e me ne, prandaj edhe qasja jonë është që pakicat të jenë pjesë përbërëse e jo e veçantë. Kështu kemi vepruar me grupin tonë parlamentar vitin e kaluar e kështu po veprojmë në qeverinë tonë të re, pra përmes fuqisë së shembullit”, tha kryeministri.

Dallimet kulturore, sipas tij, nuk duhet të na ndajnë por të na bashkojnë sepse kultura jonë është ajo çka ne krijojmë së bashku e pa dallim. “Origjina, kultura e historia ekziston për të treguar se kush jemi dhe nga vijmë, atë se ndryshojmë dot, sepse është e vërteta jonë e nuk e zotërojmë dot të shkuarën, por të ardhmen mund ta krijojmë dhe ndryshojmë së bashku sepse atë e kemi në duar”, ishte porosia e Kryeministrit të Republikës së Kosovës në përmbyllje të fjalimit, transmeto ‘epokaere’.

Festivali u mbyll dje, por audienca do të mund të shohë filmat e festivalit deri më datë 27 prill 2021.

LEXO EDHE: “Në kërkim të Venerës”, fiton dy çmime në Festivalin e Hong-Kongut