Një përgjigje Monika Stafës, nga “klani” i Frashërllinjve
Nga Dr. Dritan Mardodaj
Shkrimi i znj.Monika Stafa në pamje të parë duket si një shkrim i përgjithshëm dhe i pafajshëm, me nota promovimi për librin e Thomas Frashërit; ndërkohë që nuk është aspak i tillë, çka vërehet që në titullin e artikullit, “Frashëllinjtë si klan”(!)
Njëri kuptim i fjalës “klan” është ai i grupimit të fiseve në lashtësi. Nga historianët shpesh dëgjojmë të përdoret termi: klanet apo fiset e lashta, antike, etj. Dëshiroj t’i kujtoj autores se ndodhemi në shekullin e XXI pas erës sonë, më saktësisht në vitin 2023, dhe jo në Epokën e Bronxit.
Ndërsa në kohët e sotme ky term përdoret edhe për të përshkruar një grup të ngushtë me interesa të përbashkëta, shpesh herë okulte dhe të panjohura për publikun.
Të gjithë e dimë që me këtë term është abuzuar tej mase këto tre dekadat e fundit, pasi nëpër media apo edhe nëpër bisedat e përditshme dëgjojmë shpesh të përdoren termat si: klane interesi, klane mafioze, etj. Pra, në imagjinarin kolektiv, apo në mentalitetin shqiptar, ky term dashur pa dashur ka marrë konotacione dhe ngjyrime negative, ndaj do këshilloja që të bëhet më shumë kujdes në përzgjedhjen e termave.
Në një pjesë tjetër të artikullit thuhet që janë konvertuar në fenë islame për të patur benefite dhe konveniencë personale! Ndërkohë që ata nuk e patën aq të lehtë rrugën drejt dijes dhe veprimtarisë së tyre rilindase, duke shitur ç’kishin, për të siguruar të ardhurat për arsimimin e tyre.
Perandoria Osmane ka sunduar për afro pesë shekuj në territorin e Shqipërisë dhe nuk mund të themi që konvertimi në fenë islame ndodhi gjatë gjeneratës së tyre.
Ata lindën në një kontekst të caktuar ku mbizotëronte një fe e caktuar, në një periudhë shumë kritike dhe të vështirë, në të cilën duhej reaguar dhe punuar fort për të ardhmen e mëmëdheut.
Pa kontributin e tyre të jashtëzakonshëm, rrezikohej ekzistenca e vetë Kombit dhe Shtetit Shqiptar, pasi kriteri kryesor për njohjen e një Kombi apo Shteti është Alfabeti dhe Gjuha e Shkruar.
Në këtë shkrim shtrohen shumë pyetje dhe teza, të cilat nuk kanë marrë përgjigje të mjaftueshme, dhe në disa raste kundërshtojnë vetveten si psh, thuhet se qëllimi i saj nuk është të flasë për vëllezërit Frashëri, kur në fakt në pjesën më të madhe të shkrimit, u referohet atyre.
Në këtë artikull thuhet edhe:“Zhvillimi i Frashërit deri në gjysmën e parë të shek XIX-të lidhet ngushtë me bashkëpunimin që frashërllinjtë vetë patën me sunduesin osman.
Por këtë dobësi, nëse do ta quajmë kështu, ata nuk duan ta sjellin ndërmend. Dhe nuk kanë aspak dëshirë të flasin për të”.
Hasemi sërish në një keqpërdorim terminologjik. Termi “bashkëpunim” (i cili është përdorur disa herë) cënon rëndë figurat e vëllezërve Frashëri, të cilët janë krenaria dhe identiteti i Kombit.
Në veprimtarinë e tyre patriotike ata kanë vuajtur persekutimet dhe burgimet e Portës së Lartë. Abdyli vuajti internimin bashkë me familjen e tij në Balliqeser dhe në Bandërma të Anadollit, po ashtu edhe Mehmeti, vëllai më i vogël, kaloi vite internimi në Çanakala.
Në internim kanë lindur edhe dy fëmijët e tij, Hysref dhe Irfan Frashëri.
Persekutimi i ndjek edhe sot si një fill i kuq i sofistikuar, origjina e të cilit është viti 1943 në Konferencën e Mukjes, me vendmin për goditjen e familjeve të mëdha, fakt i vërtetuar nga Arkivat dhe i pohuar nga historianët e ndershëm shqiptarë, si i nderuari Paskal Milo.
Në vitin 1973 erdhi në Tiranë Emin Erer, nip i Sami Frashërit, djali i vajzës së tij të vetme, për të vizituar Shqipërinë dhe për t’u njohur me kushërinjtë e një gjaku.
Qeveria e kohës i mundësoi një takim në ambjentet e ish-Hotel Dajtit.
Për informacione më të hollësishme mund t’i referoheni trashëgimtarëve natyralë, të cilët si për çudi nuk janë ftuar as në ceremoninë e kthimit të eshtrave në atdhe të Mit’hat Frashërit, por u është dashur të interesohen vetë për pjesëmarrjen.
Në një paragraf tjetër shtrohen çuditërisht si lojë fjalësh, pyetjet për Naim Frashërin: “poet shqiptar, poet pers, poet shqiptaro-pers, poet shqiptaro-persobektashian apo diçka tjetër” (??!!)
Mund t’i përgjigjemi me këtë poezi të Naimit:
“Gjuh’ që flisjin perënditë
Atë flisjin pellazgjitë;
Atë kanë Shqipëtarët,
Si q’e kishin dhe të parët
Gërqishten ajo e polli,
Llatinishtja andej dolli.
Bijtë tanë jan’ Elinët
Sindëkur edhe Llatinët
Edhe gjithë Evropianët,
Qi duallë nga Romanët.
Neve jemi më të parë,
Në Evropë nga çdo farë.
‘Gjithë bota vij qëmot
Në Tomor tek ishte Zoti,
I faleshin Perëndisë,
Zotit math të Shqipërisë”
Le të gjykojnë për këto, vetë shqiptarët dhe Shqiptaria.
(gazetadita)
*Autori Dr. Dritan Mardodaj është pinjoll i familjes Frashëri, (Nahide Shkodra Frashëri). Është diplomuar në Universitetin e Parmës për Trashëgimi Kulturore dhe ka Master Shkencor për Histori dhe Kritikë Arti nga Universiteti i Milanos.
ObserverKult
Lexo edhe:
LASGUSH PORADECI PËR NAIM FRASHËRIN
Lasgush Poradeci i ka kushtuar dy poema të frymëzuara Naim Frashërit. Janë dy poema të jashtëzakonshme.
Nga Moikom Zeqo
Asnjë poet shqiptar nuk ka arritur dot t’i afrohet sado pak Lasgushit në këtë përkushtim, ku atdhedashuria, përfytyrimi kozmik, idetë inkandeshente krijojnë diçka më të fuqishme se sa bronxi perjetesues i monumenteve.
Në poemën e parë i quajtur thjesht “Naimit”, ka një stil dhe tis baladik. Naimi shfaqet, që nga ai sheshi i purpurt i Qerbelasë, i sakrificës titanike dhe konceptuale në shekuj, duke i rënë xhurasë, mes trimërive stërgjyshërore, që kumbojnë rreth e qark.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult