“Isha i vogël 5 vjeç por e mbaj mend mirë atë ditë. Ishte një vend i tmerrshëm atje ku na çuan. E mbaj mend si sot…. Ne na vendosën në një cep dhe ngjitur me ne ishte familja e Gjon Marka Gjonit, kushëririt tonë. Pas tyre vinin të tjera familje të internuara që kishin të zotët e shtëpisë nëpër burgje. Flinim në çimento e s’kishim asgjë për të shtruar e mbuluar. Erdhi një moment që u mësuam me këtë gjendje, nuk e ndjenim shumë të ftohtin por ….”
Ishte vetëm 5 vjeç kur e morën me dhunë nga lojërat në oborrin e tij në Mirditë, për ta degdisur në Tepelenë, atje ku iu duk se ishte fundi i botës. Filip Gjonmarkaj, një prej dy fëmijëve të mitur të Preng Gjonamarkaj, u dënua me internim bashkë me vëllain 7-vjeçar, nënën e gjyshen e tij. I ati Preng Gjonmarkaj ishte dënuar me burg, qysh në fillim të vitit 1945. Ndërsa Filipi pesëvjeçar u detyrua të shkojë bashkë me familjen drejt një vendi ku do të kalonte tri vite të vështira, që nuk i largon dot nga kujtesa.
Atje në Mirditë kishte lënë pas të tjera histori të dhimbshme. Takimi i fundit me gjyshin kishte qenë shumë i dhimbshëm. E pa me duart e lidhura me tela, kur xhelatët komunistë po i komunikonin vendimin për varje në litar.
Lidhja me gjyshin për çdo fëmijë është shumë speciale dhe me siguri e tillë ka qenë edhe për Filipin dhe gjyshin e tij Dedë Gjonamarkaj. Por takimi i tyre i fundit ishte mizor. Filipi e pa për herë të fundit gjyshin, tek po përpiqej të negocionte me xhelatët komunistë që të zëvendësonte të birin që ishte dënuar me varje në litar. Ka ngjarje që njeriu nuk i shlyen dot kurrë nga mëndja.
“Kur kam pa gjyshin tim të lidhur me tela bashkë me xhaxhain, jam tmerru. Na kishin thënë me detyrim të qëndronim pak metra përballë tyre dhe shihnim e dëgjonim gjithçka thuhej. Ishte një pyll afër Rrëshenit. Ishte data 9 gusht dhe atë ditë po bëhej gjyqi i 100 burrave të Mirditës. Xhaxhai im Mark Dedë Gjonmarku u dënua me varje në litar dhe gjyshi im Ded Preng Gjonmarku u dënua me 101 vite burg. Kur u dha vendimi, gjyshi iu bëri kërkesë xhelatëve që të ndërrohej me të birin, xhaxhain tim. S’kam për ta harru kurrë kur gjyshi iu lut trupit gjykues, “faljani jetën djalit tim e më dënoni mua me vdekje”. “Dakord” i thanë ata dhe gjyshi u ndërrua me të birin e u var në litar. Xhaxhin tim e dënuan me 101 vite burg dhe vdiq pas disa vitesh në burg”, rrëfen me dhimbje Filipi.
Është e pashembullt shfaqja e xhelatëve të diktaturës në këtë histori makabre sepse nuk mjaftoi vetëm dënimi me vdekje i 14 burrave mirditorë por duhej që me detyrim, familjarët e tyre të ndiqnin “shfaqjen” e diktaturës. Kishte fëmijë që panë të vareshin në litarë baballarët e tyre, kishte edhe nëna që panë djemtë e tyre të shkojnë në litar.
Atë ditë të 9 gushtit 1949, në Rrëshen u dënuan me varje në litar katër burra, me pushkatim dhjetë të tjerë. 86 mirditorët e tjerë që i shpëtuan vendimit dënim me vdekje, u dënuan disa me 101 vite burg e të tjerë me 30, 25 vite burg. Pas kësaj ngjarjeje të rëndë familjet e viktimave u nisën për internim në Tepelenë.
Dita e parë në Tepelenë
“Isha i vogël 5 vjeç por e mbaj mënd mirë atë ditë. Ishte një vend i tmerrshëm atje ku na çuan. E mbaj mend si sot…. Ne na vendosën në një cep dhe ngjitur me ne ishte familja e Gjon Marka Gjonit, kushëririt tonë. Pas tyre vinin të tjera familje të internuara që kishin të zotët e shtëpisë nëpër burgje. Flinim në çimento e s’kishim asgjë për të shtruar e mbuluar. Erdhi një moment që u mësuam me këtë gjendje, nuk e ndjenim shumë të ftohtin por ….”, rrëfen Filipi.
Uria ishte armiku i tij kryesor në kampin e tmerrshëm, ishte dhimbja e së ëmës, e gjyshes që nuk u duronin dot thirrjet e fëmijëve të tyre të uritur, “dua bukë”. Ishte njësoj për qindra nëna e gjyshe që vuajtën në atë kamp bashkë me fëmijët e tyre të mitur.
“Mbaj mend si i lutesha nanës; du bukë nanë… nana e shkretë s’kishte ku me e gjet e veç qante e i lutej zotit me na shpëtu”, janë kujtime që Filipi nuk i shlyen dot nga kujtesa, sepse uria është frikshme, asaj nuk i reziston dot askush, fëmijë apo burrë qoftë.
Një prej ngjarjeve ishte më e vështira, kur i lanë tri ditë pa bukë. “Ditën e tretë i thotë nana një kushëririt tonë, Preng Gjonamarkaj, “kur të shkosh në mal shih mos më gjen diçka, ndonjë rrënjë bimë, gjethë a ndonjë gjë tjetër për fëmijët se janë tu më vdekë urie”. Prenga shkonte përditë në pyll për dru sepse ishte i rritur. Kur erdhi nga pylli, Prenga solli një lakër se ku kishte mujt me e gjet. E mbaj mend si sot atë lakër. Për tre minuta e këna hangër lakrën unë me vëllain. Na tha nana prisni sa ta ziejmë por kush priste….. Sa e kena pa u sulëm dhe e asgjësuam menjëherë…Kishim tri ditë pa bukë. Nuk e harroj dot urinë e atyre ditëve”, rrëfen Filipi.
Uria e fëmijëve në kampin e Tepelenës është një ndër detajet më të rëndësishme në të gjitha rrëfimet e të mbijetuarve të atij kampi famëkeq. Fjala e fundit e shumë prej atyre që dhanë shpirt në atë kamp, ishte “më jep bukë…”. Shumica e tyre vdiqën nga uria.
Minat që ma vranë shokun
Jo vetëm uria i vriste fëmijët e kampit të Tepelenës. Një ngjarje e frikshme ka mbetur në kujtesën e Filipit për shokun e tij të lojës nëpër oborrin e kampit. Ishte shpërthimi i një mine që gjendej në ambientet e oborrit të kampit atje ku Filipi dhe fëmijë të tjerë, kalonin ditën duke gërmuar për të luajtur me gurë e cingla.
“Isha bashkë me vëllain tim dhe me një fëmijë tjetër para kampit. Ishim duke gërmuar, duke lujt aty me gurë e me dhe. Kishte ardhë daja jonë ato ditë e na kishte sjell disa ushqime. Nana kishte gatu diçka e na thirri hajdeni për të ngrënë. Sa jena largu unë e vëllai im veç ka plasë krisma e kena pa shokun tonë të hedhun përpjetë. Kishte plasë një mine. Nuk ia kujtoj emrin atij shokut por e di se ishte aty në kamp me dy motrat e veta sepse nanën e babën i kishte në burg. E mbaj mend mirë si fytyrë se ne luanim përditë me të, ishte nja dy vjet më i madh se unë. U tmerruam…”, rrëfen Filip Gjonmarkaj. Atje pa shumë histori të dhimbshme, ndarjen nga jeta në kushte çnjerëzore të shumë bashkëmoshatarëve të tij.
I rrëfen mes lotësh historitë e dhimbshme në kampin e Tepelenës, atje ku Filipi kaloi tri vite të fëmijërisë. Shkoi me një palë rroba që iu gjenden veshur kur u dëbua nga shtëpia e tij. “Ato tesha nuk i ndërrova deri sa u ktheva në Mirditë pas tri vitesh”.
Disa rrëfimë për urinë në kampin e internimit në Tepelenë
“Ana tjetër e keqe e Tepelenës, ishte i ftohti; njerëzit flinin në dërrasë në Tepelenë. Por, kryesorja ishte mungesa e ushqimit. Kam qenë prezent kur vdisnin të internuarit nga uria; u dobësuan të gjithë, buka ishte gjeja me e shenjtë. Njëri vdiq duke thirrur “bukë!” Në kamp, një pjesë jane futur foshnje dhe kanë dalë të rritur. Nuk përkshkruhen dot me fjalë. Shembull është gruaja ime që u mbyll atje nga viti ‘48 –’54. Pra, gjashtë vjet. U rritën pa e njohur se ç’është qumështi, pemët. Ka pasur lindje pa mjek; gratë kanë lindur në rrugë. Për dentist as që bëhej fjalë. Mua më ka shkulur një dhëmballë me dara primitive, berberi i Himarës në Porto Palermo, që nuk kishte torturë më të keqe. Në Tepelënë ishte gjoja një ambulancë po nuk të çonte kush për punë dhëmbësh. Pas ardhjes tonë atje, pas nja një muaji, filluan të vënë pak rregull sepse ishte shumë keq: caktuan një mjek që do të vinte herë pas here. Kampi vetë, kishte një infrastrukturë të gatshme me ambulancë, infermieri, të cilat kishin ngelur prej italianëve, ku mund të gjeje edhe vaj peshku dhe shurup. Por asgjë më tepër. Nuk kishte se çfarë të bënte as mjeku atje, pa ilaçe. Për të blerë sapun, gratë shisnin racionin e bukës. Sapuni ishte kapital i madh për gratë, kurse për burrat, ishte buka. Një racion bukë e paguanin 50 lekë. Kanë pasur prej nesh që i çonin para familja ose të afërmit, e blinin vetëm bukë. Pra, prej hallit, ekzistonte një farë tregtie e brendshme: bukë, sapun dhe cigare.”, rrëfen Lekë pervizi në librin Zërat e Kujtesës.
***
“Në kamp, furrë buke nuk kishte, banja s’kishte, infermier s’kishte, ushqim s’kishte. Njerëzit ishin vetëm me rrobat e trupit dhe shkonin e kerkonin në stanet rrotull për pak qumësht ose hirrë, të cilën e mbanin në tesha. Ose mblidhnin lakra të egra. Na jepej vetëm bukë misri, të cilën duhej të shkonim ta merrnin në Tepelenë që ishte pesë kilemtra larg. Racioni ishte rreth 800 gramë për frymë. Buka mykej shpejt prej vapës së tmerrshme të korrikut. Unë, bile, merresha me këtë punë. Fëmijët vdisnin në masë nga uria. Si kaluan dy muaj, ne protestuam: gjatë protestës, kërkuam të vinte një kapiten që ishte i ngarkuar me këtë punë në Ministrinë e Brendshme. U mblodhëm dhe u thamë: “O ushqim, o na vrisni të gjithë!” Ai i mori shënim, dhe në Tiranë, me sa duket, vendosën të sillnin ushqim. Sollën dy zisa me oriz e makarona. Sapo vunë ushqimin, sikur filloi të ndërpritej përkohësisht vdekja. Vdiqën rreth njëqind fëmijë, mendoj. Të vdekurit i varrosnim aty rrotull” rrëfen Nazmi Selimja, i mbijetuar i kampit të Tepelenës.
***
“Na lanë 8 ditë rresh pa bukë dhe asnjë mundësi për t’u ushqyer. Njerëzit filluan të vdesin nga uria. Ndërkohë drurët e shkurret rrotull kampit u “pastruan” nga gjethet, që filluam t’i mbledhim e t’i ziejmë në formë lakrash, me një dorë oriz, sa për të shuar urinë. Filloi dizanteria në masë dhe kufiri që dallonte njeriun nga shtaza ishte shumë afër. Njerëzit u bënë si të çmendur e flisnin me vete.
Në këto kushte ne duhej të mendonim edhe për sëmundjen e Desit motrës time të vogël, 8 vjeçe. Ajo ishte e uritur dhe nuk kishim asgjë ç‘t’i jepnim. Mbaj mend që i thoshte Nanë Dijes (Dije Hoxha, nga Luzi i Madh, e internuar me dy vajzat, Bakushen dhe Dritën shën.ynë), – “pse, nanë Dija, kto laknat tueja zijnë mô shpejt?!…”
– “Ashtu!? Hajt Desi, se të jap nana ty lakna, tashi, menjiherë!” I jepte nga pjesa e vajzave të veta, të sëmurës Desi. Ne ishim gjashtë fëmijë, “laknat”, një përzierje gjethesh rrushi të egër, ferrash e barishtesh, i vinim në sasi më të madhe çka kërkonte më shumë kohë të zienin, por Desi nuk priste dot.
Pas 8 ditësh urie të skajshme, filluan të na sjellin bukë misri nga Berati. Bukë kishte emrin, sepse në fakt ishte diçka si punë brumi, i mykur, gati jeshil, i papjekur fare dhe në sasi krejt të vogël për nevojat e njërëzve. Filluam ta racionojmë dhe ta ndajmë. I takonte pa ekzagjerim, një copë e barabartë me një kuti shkrepëse të sotme që mban 50 fije. A mund të rronte njeriu me këtë sasi ushqimi?!… Por vdekjet e shumta, në fakt sikur e lehtësuan disi këtë uri. Vdisnin mbi 8 ose 10 vetë në ditë. Kur vdisnin 3 ose 4, quhej ditë me pak të vdekur. Aty ishin 8 kazerma dhe për 2 muaj vdiqën, kush i mban mend sa njerëz, gjysma ndoshta.
Njëherë e shoh Desin që hëngri një racion tepër dhe si më e madhe, i them: –pse e hëngre edhe racionin tim? Ajo më sheh e trembur dhe si e habitur, ndërsa ndërhyn Nanë Vathja që thotë: –s’ka gjë, se unë nuk dua, le ta hajë Desi copën time!
Deri sa të vdes nuk me harrohen ato pamje kur ne s’kishim si ta ushqenim apo kuronim motrën tonë të vogël, e cila vdiq më shumë nga uria sesa nga sëmundja. Kushtet higjenike ishtin të tmerrshme. Na jepnin mundësi vetëm një herë në javë të lanim rrobat në përrua, thjesht me ujë mali, pa sapun, detergjente etj.. Na shoqëronin e ruanin me policë, që s’kishin asgjë të përbashkët me njeriun”rrëfen Asije Habili, e mbijetuar e kamit të internimit në Tepelenë./kujto.al
—————–
LEXO EDHE:
Nexhmije Hoxha vallëzonte me kokën e prerë të italianit (dokumenti i vitit 1952)
ObserverKult