Përkthimi i veprave shqiptare në gjuhë të huaj mbetet një sfidë, qofshin ato vepra artistike apo studimore.
Politikat e Qendrës Kombëtare të Librit e Leximit janë përballur me problematika edhe në thirrjet e hapura.
Alda Bardhyli, drejtore e QKLL-së thotë se “botimi i librit shqip në gjuhët e kulturat e tjera është prioritet i yni. Kemi hyrë në vitin e katërt që Ministria e Kulturës përmes QKLL-së ofron një grant për botuesit e huaj. Kjo me qëllim që të botohen autorët shqiptarë.
Mbështesim çdo vit 6 autorë, kryesisht të rinj. Por pavarësisht kësaj ftese, shoh që numri i aplikuesve dhe interesi për librin shqip është i ulët. Kryesisht kemi botues nga rajoni e vendet fqinje”.
Ndërsa ka pasur interes për të përkthyer veprat shqiptare në italisht, turqisht, greqisht, rumanisht, por mungon interesi për gjuhët e mëdha, thotë Bardhyli. Ajo vë theksin te ato që i flasin një tregu ndërkombëtar, siç është gjuha angleze. Në këtë lami, QKLL është përpjekur të nxisë nisma të tjera mbi përkthimin.
“Përtej mungesës së librit shqip në këtë gjuhë, përveç veprave të Kadaresë, kemi edhe një mungesë të përkthyesve. Do të ishte një ndihmë e çmuar që përmes kësaj gjuhe, librin artistik e studimor shqip, ta çojmë edhe në tregun botëror.
Me qendrën e librit me CNL-në, jemi duke punuar për programe që mbështesin autorët shqiptarë, që të shkojnë në gjuhën frënge. Bashkë me ambasadën franceze, ne hapëm këtë vit atelienë e parë të përkthimit. Këtu janë trajnuar një grup përkthyesish për të përsosur komunikimin e tyre në këtë gjuhë”.
Këtë vit një këmbim kulturor me Serbinë është nxitur nga një bashkëpunim mes Qendrës së Librit në Shqipëri dhe drejtorisë së librit në Ministrinë e Kulturës në Serbi./balkanweb.com
ObserverKult
Lexo edhe:
“LETËRSIA FRANCEZE NË SHQIP”, MISHA RRËFEN PËRKTHIMET E PARA NË SHQIP