Përkthyesi i kryeveprave të letërsisë botërore që u burgos dhe u dënua, ja si e vlerësonte Enver Hoxha

Historia e panjohur e Pashko Gjeçit – përkthyesit të famshëm të disa prej kryeveprave të letërsisë botërore, si si ‘Komedia hyjnore’ e Dante Aligeri, ‘Odiseja’ e Homerit, ‘Fausti’ i Gëtes, ‘Hamleti’ i Shekspirit, ‘Andromaka’ e ‘Atalia’ të Rasinit, etj.. Ai kishte studiuar në Kolegjin e Jezuitëve në qytetin e Shkodrës, kishte përfunduar ‘gjimnazin klasik’ në një klasë me Arshi Pipën, Lazër Radin, Xheml Brojën, Nikolla Shurbanin, Kol Ashtën, etj., ku shok banke, kishte Qemal Stafën. 

Pasioni për poezinë dhe letërsinë që në bankat e shkollës në qytetin e Shkodrës, të cilat i vazhdoi edhe pas diplomimit në Fakultetin e Filozofisë dhe Letërsisë në Romë, ku e kërkuan si pedagog, por ministri i Arsimit, Ernest Koliqi, që kishte shkuar aty për të asistuar në dhënien e diplomave, i tha që të kthehej në atdhe dhe të jepte kontributin e tij. Botimi i poezive dhe shkrimeve të para në gazetat ‘Cirka’, ‘Shkëndia’ dhe ‘Hylli i Dritës”, ku shkroi edhe një artikull për Padër Gjergj Fishtën, i cili e lavdëroi atë para shokëve të tij, kur ia çuan gazetën në studion e tij. Emërimi i Pashkos si mësues në qytetin e Durrësit, ku ai kishte miqësi me familjen e Jusuf Vrionit dhe arrestimi i tij, duke u akuzuar si pjesëtar i një “organizate armiqësore” dhe dënimi me pesë vjet burg politik, që i vuajti në Durrës dhe në Kënetën e Maliqit. Dalja nga burgu dhe emërimi si mësues në qytezën e Fushë-Krujës, ku ai përktheu disa nga kryeveprat e letërsisë botërore dhe transferimi më pas në Tiranë, pas letrës që i bëri Enver Hoxhës…!


Ky shkrim për përkthyesin e njohur, Prof. Dr. Pashko Gjeçi, i cili bëri të flasin shqip Shekspirin, Dante Aligerin, Homerin, etj., kolosë të letërsisë botërore, është botuar në vitin 2003 dhe Memorie.al e riboton në shenjë kujtimi dhe homazhi, me rastin e 11-vjetorit të ndarjes së tij nga jeta, më 20 janar 2010.

Nuk do të shpreheshim fare gabim po të thonim, se janë të paktë ata intelektualë shqiptarë, apo dhe njerëz të njohur letrave shqipe, të cilët e dinë se përkthyesi i famshëm i “Komedisë Hyjnore”, që përbën një prej kryeveprave të letërsisë botërore, apo më saktë njeriu i cili, e bëri Dante Aligerin dhe Homerin të “flisnin shqip”, quhet Pashko Gjeçi! Gjithashtu, nuk do ta tepronim aspak po të shtonim përsëri, se janë të pakët ata shqiptarë (duke përfshirë dhe autorin e këtyre radhëve) që e dinë se ai njeri, jeton ende, sa vjeç është dhe se ku jeton!

Madje, për t’i dhënë fund këtyre hamendjeve dhe për t’i qëndruar asaj çka thamë më lart, flet dhe ky fakt: Profesorin e famshëm, të lauruar për Filozofi dhe Letërsi në Universitetin e Romës, ish-shokun e bankës të Qemal Stafës, nxënësin e Padër Gjergj Fishtës, kolegun e mikun e ngushtë të profesorëve të famshëm, si: Eqerem Çabej, Henerik Lacaj, Mark Dema dhe Fejzi Dika, nuk e njihnin as banorët e shkallës së tij, ndonëse prej më shumë se 20-vjetësh, ai jeton së bashku me zonjën e tij në atë apartament fare të vogël, në katin e parë te “Shallvaret”.

I habitur nga portreti dhe fiziku që na u shfaq në aparencën e njeriut që na uroi mirëseardhjen, as nuk e kisha menduar kurrë, se ai për të cilin interesohesha ta takoja dhe që aq shumë më kishte folur miku im, Rikard Ljarja, duke bërë të kisha përfytyrime nga më të çuditshmet, ishte vetë Pashko Gjeçi, që po takohej me ne! Pas prezantimit që bëri Rikardi sapo hymë brenda, duke i treguar edhe qëllimin e vizitës sonë, Pashko Gjeçi na u përgjigj, jo pa humor: “Të jeni të sigurtë, se do t’ju dëftoj, çfarë më kujtohet…”!

Ndonëse tashmë në moshën 85-vjeçare dhe tepër i lodhur nga peripecitë e streset e një jete plotë dallgë dhe shtërngata, kolosi i letrave shqipe me fizik shtatshkurtër e me portret prej fisniku, i quajtur Pashko Gjeçi, hera-herës na befasonte me kujtesën e tij dhe humorin e hollë të shkodranit tepër intelekt, që përveç të tjerave, në rininë e tij ishte shkolluar dhe në Kolegjin e Jezuitëve në qytetin e lindjes.

Shok klase dhe në bankë me Qemal Stafën

Pashko Gjeçi u lind në vitin 1918 në qytetin e Shkodrës dhe familja e tij, në atë kohë banonte tek arra e Madhe. Babai i Pashkos quhej Gaspër dhe në atë kohë, ai kishte hapur një dyqan të vogël fare pranë shtëpisë së tij, me të cilin siguronte jetesën. Pas vdekjes së babait dhe një motre të vogël, të quajtur Nikolina, Pashko mbeti vetëm me nënën e tij dhe motrën tjetër, Margaritën. Pasi mbaroi shkollën fillore me rezultate shumë të mira, ai u regjistrua në Kolegjin e Jezuitëve, që nuk arriti ta mbaronte, pasi në atë kohë u mbyllën shkollat fetare. Lidhur me këtë, Pashko Gjeçi na tregonte: “Pas mbylljes së Kolegjit të Jezuitëve, të gjithë ne vazhduam mësimet në ‘Gjimnazin klasik’ të shtetit, po në qytetin tonë të Shkodrës. Në atë kohë unë kisha shok të ngushtë Qemal Stafën me të cilin rrinim në një bankë. Po kështu përveç Qemalit, në klasën tonë kishim dhe Nikolla Shurbanin, Xhemal Brojën, Kol Ashtën, Arshi Pipën dhe Lazër Radin, me të cilët, gjithashtu kam pasur një shoqëri të madhe. Qemal Stafa dhe Arshi Pipa, dallonin nga të gjithë ne shokët e klasës për zgjuarsi dhe inteligjencë, e Qemali ka qenë nxënësi më i mirë që kam njohur në jetën time. Ndërsa unë shkëlqeja kryesisht në lëndën e letërsisë, pasi që i vogël isha i dhënë pas sajë, isha shumë i dobët në vizatim, që m’i bënin të tjerët e unë i dorëzoja si të miat. Në atë kohë, mësuesi që kishim më përzemër unë dhe Qemali, ishte Pashko Geci, i cili na jepte greqishten e vjetër dhe latinishten. Në fillim, ai më kishte në patronazh vetëm mua, për të më mësuar greqishten e vjetër, por duke më pasur mua shok të ngushtë, dolën vullnetarë dhe Qemali me Nikolla Shurbanin e të tre arritëm ta mësonim atë gjuhë. Profesor Pashko Geci, m’i blinte librat dhe për të mos më ofenduar se nuk kisha lekë t’ia paguaja, m’i fuste në bankë. Pak kohë para mbarimit të liceut, Qemali u largua nga klasa jonë, se familja e tij u transferua në Tiranë”, – kujtonte Pashko Gjeçi, vitet e gjimnazit klasik të Shkodrës, ku mësonte së bashku me Qemal Stafën dhe të dy, ishin nxënësit e preferuar të profesorit, Pashko Gecit.

Student i filozofisë në Romë

Pas mbarimit të gjimnazit të Shkodrës me rezultate shumë të mira, në vitin 1938, Pashko Gjeçi fitoi një të drejtë studimi për në Itali. Lidhur me këtë, ai kujtonte: “E drejta e studimit për në Itali, m’u dha vetëm në sajë të rezultateve që kisha arritur në gjimnazin e shtetit dhe ministria e Arsimit, më akordoi vetëm një bursë shumë të vogël, që mezi mund t’i përballoje nevojat e jetesës. Por unë nuk kisha rrugë tjetër dhe isha mjaft i kënaqur që do të shkoja të studioja në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Romës. Këtë kënaqësi ma shtonte më tepër fakti, se bashkë me mua, ishin dhe Kol Ashta, Lazër Radi e Luigj Ljarja. Gjatë asaj periudhe që vazhdoja studimet në Romë, unë fillova përsëri të përktheja nga latinishtja, apo të shkruaja ndonjë poezi të vogël. Poezinë dhe përkthimet i kisha pasion që nga bankat e liceut të Shkodrës dhe ato që shkruaja, i botoja në revistën “Cirka”, apo “Shkëndia”. Më kujtohet se asokohe, unë pata shkruar dhe një artikull për Padër Gjergj Fishtën, lidhur me “Lahutën e Malsisë”, që ma botuan në “Hylli i Dritës”. Pasi doli revista, unë së bashku me disa shokë të tjerë shkuam dhe ia çuam Padër Gjergjit, në studion e tij. Pasi e pa artikullin, Padër Gjergji, pyeti: ‘Kush është ky që paska shkruar për mua’?! Ndërsa unë qëndroja pa folur dhe i turpshëm në fund të dhomës e shokët i treguan se isha unë, ai tha: ‘Ajo grimca atje, paska shkruar gjithë këtë artikull’?! Kështu, dëshira dhe pasioni që kisha për poezinë dhe përkthimet, nuk m’u shua as në Itali dhe ato që shkruaja, i nisja për t’i botuar në Shqipëri. Fakultetin e Filozofisë dhe Letërsisë e përfundova në vitin 1943, me rezultate të larta dhe mora gradën “Doktor i Shkencave”. Nisur nga ato rezultate, mua më ofruan që të qëndroja si asistent profesor pranë atij fakulteti, por refuzova dhe u ktheva në Shqipëri. Dëshirën për t’u kthyer në Shqipëri, ma nxiti edhe më shumë ish-ministri i Arsimit, Ernest Koliqi, i cili, në atë kohë kishte ardhur në Itali, për të marrë pjesë në ceremoninë e dorëzimit të diplomave tona. Koliqi, më tha: Kthehu në Shqipëri, të japësh kontributin tënd”, – kujton Pashko Gjeçi, lidhur me diplomimin në Romë, ku i ofruan të qëndronte si asistent-profesor.

Kthimi në Shqipëri e burgosja

Pas diplomimit në Itali, në vitin 1943, Pashko Gjeçi u kthye në Shqipëri dhe ministria e Arsimit e asaj kohe, e emëroi si profesor të letërsisë dhe latinishtes, në gjimnazin e Shkodrës, ku ai kishte qenë vetë nxënës, pak vite më parë. Edhe gjatë kësaj periudhe e deri në mbarimin e luftës, përveç mësimdhënies në atë gjimnaz, Pashko u mor përsëri me përkthime, që i sillte dhe i botonte në Tiranë, në revistën “Shkëndia”. Pas ardhjes së komunistëve në pushtet, Pashko vazhdoi të jepte mësim pranë atij gjimnazi, deri nga mesi i vitit 1945 dhe më pas, ai u transferua në qytetin e Durrësit, ku do të fillonte dhe kalvari i vuajtjeve të tij. Lidhur me këtë, Pashko Gjeçi, na tregonte: “Gjatë asaj kohe që punoja si mësues i letërsisë në qytetin e Durrësit, unë kisha miqësi të ngushtë vetëm me familjen e Jusuf Vrionit, të cilët, si shumë familje të tjera nga Tirana, i kishin internuar atje. Në atë kohë përveç mësimdhënies, isha zgjedhur dhe kryeja edhe funksionin e Kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, për degën e Durrësit. Nuk e di sesi ndodhi, por mbaj mend se atje më arrestuan, gjoja si i implikuar në një organizatë që kishte për qëllim të përmbyste më dhunë pushtetin komunist në Shqipëri. Kjo gjë ishte e gjitha e sajuar nga Sigurimi i Shtetit, ashtu si dhe ajo organizatë për të cilën akuzohesha se bëja pjesë, pasi unë nuk isha marrë asnjëherë me politikë. Në atë kohë, përpara meje arrestuan dhe Arshi Pipën, po me të njëjtën akuzë, siç më kishin arrestuar mua. Gjyqi më dënoi me pesë vjet burg, që i bëra kryesisht në Durrës dhe në kënetën e Maliqit, ku na dërgonin muajt e verës. Puna atje ishte tepër e rëndë dhe sfilitëse, por unë munda ta përballoja atë dhe gjithë burgun, pasi isha i ri”, – dëshmonte Pashko Gjeçi, lidhur me arrestimin e tij dhe dënimin me pesë vjet burg, akuzë që sipas tij, ishte krejtësisht e sajuar nga Sigurimi i Shtetit.

Përkthyes i Dante Aligerit dhe Homerit

Pas lirimit nga burgu, Pashko Gjeçi u kthye në qytetin e tij të lindjes në Shkodër, ku e priste nëna dhe motra. Lidhur me këtë periudhë, ai dëshmonte: “Si ish i burgosur politik, e kisha të pamundur që të filloja punë si mësues dhe në atë kohë mezi u rregullova në një punë krahu. Pas dy tre-vjetëve në atë punë, më lejuan që të largohesha nga vendlindja dhe më sollën në qytezën e vogël të Fushë-Krujës, ku u emërova si mësues në shkollën shtatëvjeçare. Në atë shkollë ku unë dhashë mësim për tre vjet me radhë, ishim gjithsej katër mësues dhe aty, unë vendosa që të përktheja poetin e famshëm italian, Dante Aligerin, poezitë e të cilit, unë kisha filluar që t’i përktheja që kur isha 17-vjeç, në bankat e liceut të Shkodrës. Që nga ajo kohë, përveç Dantes, kisha dobësi edhe për Giacomo Leopardin dhe Safon, poezitë e të cilëve i mbaja gjithnjë me vete. Përkthimin e “Komedisë Hyjnore” të Dantes, unë e mora përsipër për arsye se ai ishte përkthyer edhe në Bashkimin Sovjetik e përkthyesit të saj, i ishte dhënë çmimi “Stalin”. Për përkthimin, shfrytëzoja orët e para të mëngjesit, para se të fillonte mësimi dhe çdo ditë, hidhja në letër nga katër vargje në gjuhën shqipe. Disa prej këtyre vargjeve, në mos gaboj ato të “Ferrit”, ia tregova mikut tim të ngushtë, Llazar Siliqit, i cili i botoi menjëherë në revistën “Nëntori”. Ndonëse ato u pëlqyen mjaft dhe u vlerësuan nga shumë njerëz dashamirë, kritika e asaj kohe heshti, sepse nuk mund të shkruante për një ish-të burgosur politik. Meqënëse i kisha vënë detyrë vetes që ta përktheja me çdo kusht Danten, vazhdoja të punoja çdo ditë dhe kishte raste që për një varg, më duhej tre-katër ditë punë. Pasi kisha përkthyer mijëra vargje në ato tre vjet, katër vargjet e fundit i kam përkthyer një ditë të shtunë, kur tre kolegët e mi kishin shkuar në Tiranë. Ato i mbarova aty rreth orës katër të mëngjesit dhe kur i mbarova, m’u duk se u hap dera e prej aty doli Dantja e më la vetëm”, kujtonte Pashko Gjeçi, atë çast kur mbaroi së shkruari në shqip një nga kryeveprat e letërsisë botërore, “Komedinë Hyjnore” të Dante Aligerit.

Vlerësimi nga Enver Hoxha

Pasi e mbaroi së përkthyeri poetin e famshëm italian, Pashko Gjeçi u konsultua me mikun e tij të ngushtë Llazar Siliqi, i cili i sugjeroi që t’i bënte një letër Enver Hoxhës, ku t’i parashtronte të gjitha problemet që kishte. Për këtë, Pashko Gjeçi kujtonte: “Në atë kohë i shkrova një letër Enver Hoxhës, ku i bëja të ditur se kisha në dorë përkthimin e “Komedisë Hyjnore” të Dante Aligerit dhe se për përfundimin e saj, kisha nevojë që të studioja në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë dhe të konsultohesha me kolegë e studiues, për t’u marrë mendimet. Pas asaj letre, Enver Hoxha dha urdhër që unë të transferohesha në Tiranë, ku të më bëhej dhe pashaportizimi. Kur erdha në Tiranë, në fillim qëndrova në familjen e djalit të xhaxhait, Ernest Gjeçit dhe më pas, mora një dyqan të vogël me qira, aty prapa Lidhjes së Shkrimtarëve, që e adaptova për banesë. Në atë kohë me ndihmën e Llazar Siliqit, Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” e botoi të plotë përkthimin tim “Komedia Hyjnore”. Pas asaj, pata përgëzime të shumta nga miq e shokë, siç ishin profesori im Pashko Geci, Mark Dema, Henerik Lacaj dhe sidomos nga profesor Eqerem Çabej, i cili më vinte shpesh në shtëpi”, – kujtonte Pashko Gjeçi, lidhur me peripecitë që kaloi për të botuar përkthimin e Dantes, që u bë i mundur vetëm në sajë të ndërhyrjes së Enver Hoxhës. Pasi “Komedia Hyjnore” pa dritën e botimit në gjuhën shqipe, Pashkon e sistemuan me punë si profesor në Universitetin e Tiranës, ku ai dha lëndën e Latinishtes, deri sa ajo u hoq nga programi mësimor në fillimin e viteve ‘70-të. Në atë kohë, Pashkon e dërguan si redaktor në Shtëpinë Botuese të Librit Shkollor, ku ai dhe doli në pension në vitin 1977. Nga ajo kohë, ai kujton me respekt miqësinë me kolegun Llazar Siliqi, por dhe atë me nxënësin e tij Pëllumb Xhufi, për të cilin shprehet: “Ka kenë një nga nxënësit më të mirë dhe më të sjellshëm që kam pasur”.

Si ia la shtëpinë, profesorit të tij?!

Për kontributin që Pashko Gjeçi kishte dhënë në përkthimin në gjuhën shqipe, të dy prej kryeveprave të letërsisë botërore, në vitin 1979, me porosi “nga lart” u urdhërua Komiteti Ekzekutiv i Tiranës, që t’i jepte atij, një apartament banimi. Por gabimisht, autorizimi i shtëpisë iu dërgua Pashko Gecit, i cili, hyri në shtëpinë e re. Kur shkuan për t’i kërkuar falje Pashkos, për gabimin e bërë, ai iu tha: “Le ta gëzojë Pashko Geci atë shtëpi dhe nuk bën me ia marrë, sepse ai ka kenë profesori im ma i mirë”.

Që nga ajo kohë, kur Pashko Gjeçi refuzoi të merrte shtëpinë, që gabimisht ia kishin dhënë ish-profesorit të tij, ai banon aty në atë apartament të vogël, (tip bodrumi) te “Shallvaret” dhe as nuk pret që t’i japin më shtëpi! E vetmja gjë që pret dhe shpreson, është që të shohin dritën e botimit, disa nga përkthimet e tij, si: “Fausti” i Gëtes, “Hamleti” i Shekspirit, “Andromaka” e “Atalia” të Rasinit, që ai, nuk i kujton se kujt ia ka dhënë për botim…?! /Memorie.al