Rexhep Hida rrëfen se pas 30 vitesh tranzicion, përkthyesit më në zë në Shqipëri janë bërë bashkë, për të krijuar Shoqatën e parë të Përkthyesve Shqiptarë. Qëllimi i tyre, sipas Hidës, është rritja e cilësisë së përkthimeve, por edhe përgatitja e të rinjve në këtë fushë.
Ndonëse tërë jetën i gjendur mes librave, si botues edhe përkthyes, vetëm pas 30 vitesh demokraci Rexhep Hida rrëfen themelimin e Shoqatës së parë të Përkthyesve Shqiptarë.
“Unë vij nga bota e librit. Para së të hapja shtëpinë botuese në maj të 1991 kam punuar në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, fillimisht përkthyes, pastaj shef redaksie. Kam qenë edhe pedagog në universitet për disa vite, për letërsi edhe teori të përkthimit. Kam pas kolegë Jusuf Vrionin, Ali Cingun, Bujar Dokon etj. Personalitete që na mësuan jo vetëm të punonim me përkthimin, por edhe ta thellonim vet këtë punë. Pas hapjes së shtëpisë sime botuese “Fan Noli”, kisha në mend që të hapja dhe Shoqatën e Botuesve, edhe të përkthyesve. Me Shoqatën e Botuesve u mora për disa vite. Por krahas kësaj duhej edhe një organizëm për përkthyesin, siç është Shoqata e Botuesve Shqiptarë, që së bashku me disa përkthyes. si Ilia Lëngu, Krenar Hajdëri, Valbona Nathanaili etj., e regjistruam në shoqatë dhe sot ftojmë të gjithë përkthyesit që të anëtarësohen”, shpjegon përkthyesi Rexhep Hida.
Qëllim i shoqatës është që të rritet cilësia e përkthimeve, duke u qëndruar besnik veçmas kritereve bazë të kësaj fushe.
“Përkthimi është një veprimtari e lirë, por ka dhe disa kritere. Përkthyesi veç gjuhës, duhet që jo vetëm të jetë i saktë, por edhe të qartë. Mund të jetë edhe i saktë edhe i qartë, por duhet të jetë edhe i ëmbël. Pasi hijeshia është një tjetër element i rëndësishëm”, tregon më tej Hida.
Përmirësimi i marrëdhënieve institucionale shtetërore është gjithashtu një tjetër prioritet.
“Taksa mbi përkthimet është rreth 15 për qind, po kështu ka edhe probleme të tjera për të cilat në bashkëpunim me botuesit edhe institucionet shtetërore mund të gjejmë zgjidhje”, thotë Hida.
Sa u përket përkthimeve që sot lexuesi shqiptar ka në duar, Hida i cilëson të një niveli ndërkombëtar, pasi sipas tij letërsia që përkthehet nuk është më si dikur vetëm klasike, por edhe filozofike.
“Përkthimet në ditët e sotme janë në nivele prestigjioze. Përpos që nuk duhet të harrojmë dhe shkallën e vështirësisë së përkthimeve. Pasi nëse dikur letërsia që përkthehej ishte klasike, tani është edhe filozofike”, shpjegon përkthyesi.
Shoqata e Përkthyesve Shqiptarë është themeluar në këtë 6 prill që lamë pas, dhe është anëtare e Federatës Botërore të Përkthyesve (kjo e fundit e anëtarësuar në UNESCO)./shqiptarja.com