Në kuadër të kurimit të së shkuarës, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit kujton 19 shkurt të vitit 1951, bombën e cila u vendos në Ambasadën Sovjetike, ku u pushkatuan pa gjyq 22 intelektualët, 68 vite më parë.
Në datën 19 shkurt të vitit 1951, në orën 18.00 pranë Ambasadës së Bashkimit Sovjetik në Tiranë, shpërtheu një lëndë eksplozive.
Ngjarja njihet si bomba në Ambasadën Sovjetike. Ajo u përdor si pretekst për ekzekutimin e kundërshtarëve të regjimit.
Një javë më pas, mesnatën mes 25 dhe 26 shkurtit, 22 intelektualë të vendit, nxirren nga qelitë e burgut të lidhur në pranga.
Vihen në një kamion që ka marrë udhën për nga Ndroqi.
Banorët e zonës kanë parë gjatë atyre ditëve të hapet një gropë e madhe në Mënik, afër Urës së Beshirit. Rreth orës 12:30-1:00 të natës dëgjohen breshëri armësh dhe britma. Britmat e një gruaje. (Thuhet të ketë qenë Sabiha Kasimati).
Atë natë, banorët nuk e dinin se jetët që fikeshin qenë pushkatime pa gjyq. Njëri prej tyre që u ndërrua me ushtarët orët e para të 26 shkurtit. U porosit të hapte fjalën se qenë ekzekutuar kuaj të lodhur.
Të nesërmen, kryetari i këshillit të fshatit kaloi për të parë ç’kishte ndodhur. Pa të shpërndara këpucë e rroba. Trupat e pajetë nuk ishin mbuluar mirë.
Pranë varrit të pamatë afroheshin qentë. Ai njoftoi eprorët se çfarë po ndodhte.
U porosit të heshtte. Disa ditë më vonë, një ekskavator e rrafshoi vendin.
Pavarësisht porosive, banorët e zonës ishin të vetëdijshëm se breshëritë e shpeshta në errësirë. Britmat dhe lëvizjet e kamionëve netëve pranë urës, nënkuptonin jetë të humbura.
Pronarët e truallit e kishin lënë me amanet që ajo tokë aty të mos përdorej kurrë për gjë tjetër, veçse për të mbjellë pemë. Ata e dinin që atje kishte varre të panumërta të pushkatuarish nga diktatura.
Eshtrat e 22 intelektualëve që u ekzekutuan në shkurtin e vitit 1951, u gjetën nga ngulmimi i Hysen Shehut, djalit të njërit prej viktimave.
Më 1993, ai mundi të mbledhë informacione të dëshmitarëve dhe banorëve të zonës, si familja e ish-kryetarit të këshillit të fshatit, Kadri Hysa.
LEXO EDHE: Flet kryetarja e AIDSSH: Dosja e Camajt nuk është dosje bashkëpunëtori
Me identifikimin e vendit, pas 6 muajsh gërmime, në 5-6 gropa, u has në një unazë që shënjoi lidhjen me të pushkatuarit për bombën në Ambasadën Sovjetike.
Në qershorin e vitit 1993 u krye zhvarrimi i tyre.
Më pas rivarrimi në varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Sot, në nderim të tyre, një rrugë mban emrin “26 shkurti”.
Me propozim nga AIDSSH, Presidenti ka vlerësuar me titullin “Për Merita të Veçanta Civile” Kadri Hysën, Faslli Hysën, Gëzim Mullajin, Aleksandër Dhimën, Hysen Shehun dhe Osman Kacelin, si dëshmitarë dhe kontribues të zbulimit, gjetjes dhe vënies në vend të drejtësisë për 22 intelektualët e pushkatuar pa gjyq 70 vite më parë./ATSH