Përkujtohet gazetari Fatos Baxhaku

“Atdheu është ajo gjë që të mungon sa herë që thua me krenari ‘I am Albanian’.” Me këto fjalë, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujton sot një nga penat më të spikatura të gazetarisë, publicistin, historianin dhe pedagogun, Fatos Baxhaku, i ndarë nga jeta më 16 gusht 2019.

Përmbi këto cilësime, Baxhaku ishte atdhetari i përveçëm, që përmes penës së tij autentike përshk(r)oi Shqipërinë thuajse pëllëmbë për pëllëmbë, portretizoi gjendjen dhe si një mentor për të qenë, la pas arketipe të gjinisë së reportazhit të shkruar dhe televiziv.

Ngase i çmonte skrupujt, në vend të lamtumirës na kushtoi një doracak të vyer mbi atdhedashurinë, prej të cilit është e shkëputur thënia cituar më sipër.

Përgjatë vjetëve 1982-1986, Fatos Baxhaku ndoqi studimet në degën e Historisë, në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë.

Duke nisur nga viti 1986 e deri në vitin 1992, punoi në Institutin e Historisë së Akademisë së Shkencave. Në intervalin e vjetëve 1993-1998 ishte bashkëthemelues, kryeredaktor dhe gazetar i “Gazetës Shqiptare”.

Më tej, pati detyrën e kryeredaktorit në televizionet private kryesore.

Baxhaku ishte autor dhe bashkëautor i serialeve me reportazhe “Tunel” (Vizion Plus), “Rrugëtim” (Top Channel), “Shtëpia e Vjetër” (Digitalb), si edhe i shumë dokumentarëve. Në fushën e botimeve, publikoi “Shoqëritë e Masave Fisnore të Shqipërisë së Veriut”, “Gur” (reportazhe), “Guidë për Shkodrën”, “Në Mirditë & rreth e rrotull”, “Roje”, “Çadra e kuqe: histori fatesh austro-shqiptare në shekujt XIX –XXI”, “Gra të përgjithshme” 2014 (me bashkëautore Klodiana Kapo) dhe “Në emër të Noes”, botuar një vit pas ndarjes së tij nga jeta.

ObserverKult


atdheut fatos baxhaku

Lexo edhe:

FATOS BAXHAKU: ATDHEU ËSHTË GJUHA, RRUGICAT, ËNDRRAT, DASHURITË E PARA…ATO TË MUNGUARA

– Atdheu është vatra familjare, gardhi, era e mirë e shtëpisë. Vendi ku e ndien veten të barabartë dhe të respektuar, bash atje ku të zë gjumi rehat. Do hash ndonjë të sharë, por të jesh i sigurt që e ke pasur hallall.

Nga Fatos Baxhaku

– Atdheu është gjuha, rrugicat, dialekti, ëndrrat, përrallat, hartimet, dashuritë e para dhe ato të munguara, librat e shkoqur erëmirë.

– Atdheu është dhimbja jote. Është pafuqia dhe fuqia jote. Është pikërisht ajo që ti do të doje të ishte më mirë.

– Atdheu është gjeni yt, mëkatet e tua, mëritë e tua, dashuritë e tua, tradhtitë e tua.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult