Përkujtohet Hafiz Ibrahim Dalliu, vdiq në burgun komunist

Në kuadër të iniciativës që ka ndërmarrë Ministria e Kulturës e Shqipërisë për ta konsideruar muajin shkurt si “Muaji i Kujtesës”, në respekt të figurave të shquara shqiptare dhe klerikëve të cilët u torturuan dhe u ekzekutuan nga regjimi komunist në Shqipëri, përkujtohet personaliteti dhe kleriku Hafiz Ibrahim Dalliu.

Ai lindi në qytetin e Tiranës më 1878 në një familje autoktone tiranase. Kleriku u lind dhe u rrit me një ndjenjë patriotike dhe fetare për shkak se babai i tij dhe dy vëllezërit ishin gjithashtu klerikë dhe patriot. Studimet e larta Dalliu i kreu në Stamboll për teologji dhe atje u njoh dhe u bë pjesë e veprimtarisë “Rilindja Kombëtare”.

Së bashku me intelektualin tjetër Filip Ashiku më 1902 hapën shkollën shqipe në Tiranë e cila pakë kohë pas hapjes u mbyll nga autoritetet otomane të kohës, por që edhe pas këtij vendimi në mënyrë ilegale vazhdoj aktivitetin e tij për mësimin e gjuhës letrare shqipe.

Klubi patriotik “Bashkimi” u themelua pikërisht nga ai me mbështetjen edhe të shumë intelektualëve të tjerë. Ky grupim kishte për qëllim mbrojtjen e të drejtave personale dhe Kombëtare të popullit.

“Që prej asaj kohe është mbjellë fara e urueshme e shqiptarizmës në Tiranë dhe ka zënë rrënjë në zemrat e tiranasve”. Ky ishte edhe përcaktimi për këtë veprimtari nga përsonalitetet dhe intelektualët e kohës.

Dalliu shquhej shumë për ndjenjën dhe kontributin në zhvillimin e gjuhës shqipe dhe për këtë shkak ai Kongresin e Manastirit do ta quante edhe si Kongresi i Alfabetit të Gjuhës Shqipe.

Shkolla Normale në Elbasan, që ishte më e rëndësishmja për kohën, është themeluar me iniciativën e tij. Ajo shkollë përgatiti për shumë vite me radhë kuadro dhe mësues të cilët e përhapën gjuhën shqipe në të katër anët e vendit, pra në të gjitha trevat shqipfolëse.

Në këtë aktivitet patriotik Ibrahim Dalliu kishte edhe përkrahjen e Luigj Gurakuqit, Aleksandër Xhuvanit, Simon Shuteriqit, Sotir Pecit etj.

Në vitet 1910 e gjejmë të angazhuar me armë në dorë në çetën atdhetare që drejtohej nga Abdi bej Toptani, e cila kreu veprime luftarake kryesisht në Shqipërinë e mesme, Krujë e rrethinat e saj. Më 26 nëntor 1912 është pjesëmarrës aktiv në përgatitjen dhe zhvillimin e ceremonisë së ngritjes së Flamurit dhe shpalljes së pavarësisë në Tiranë. Në vitin 1920 është anëtar i delegacionit të trevës së Tiranës në “Kongresin e Lushnjës” dhe pas kthimit në Tiranë është një nga veprimtarët më aktivë në zbatim të vendimeve të Kongresit. Gjatë gjithë periudhës, deri në vitin 1924 është aktiv në ngjarjet politike të kohës.

Gjatë periudhës së mbretit Leka Zogu I është marrë kryesisht me studime në fushën e fesë islame duke bërë komente, duke përkthyer, zbërthyer e interpretuar libra të shenjtë si Kur’ani si dhe vepra të personaliteteve të shquara islame. Po ashtu ka bërë edhe studime në fushën e islamit që përbëjnë kontribut të tij personal në këtë fushë.

Pas lufte e gjejmë anëtar të “Lidhjes së Shkrimtarëve” dhe artistëve të Shqipërisë për aftësitë dhe kontributin e tij në fushën e letërsisë, por ai nuk mund të vazhdonte gjatë në këtë mënyrë. Personaliteti i tij që karakterizohej nga liria e mendimit dhe veprimit nuk mund të duronte kornizat ideologjike ku e futi artin dhe letërsinë diktatura komuniste. Iu kundërvu këtyre rregullave dhe për këtë përfundoi në burg ku edhe u sëmur rëndë dhe u nda nga jeta në vitin 1952, në moshën 74-vjeçare./ATSH