Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” ka përkujtuar së fundmi arkitektin, piktorin dhe publicistin e mirënjohur Maks Velo i lindur më 31 gusht 1935 ndërsa u nda nga jeta më 7 maj 2020.
Velo lindi në Paris në vitin 1935, por shumë shpejt familja u vendos në Korçë aty ku ai e kaloi dhe fëmijërinë.
Nisi studimet pranë Institutit Politeknik në degën e Inxhinierisë së Ndërtimit dhe më pas kryen një specializim për arkitekturë.
Ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në planin urbanistik të Tiranës të vitit 1960 dhe në projektimin e shumë godinave publike të ndërtuara gjatë asaj kohe, ku vihet re fryma modernizuese dhe ideologjikisht e ndryshme.
Krahas arkitekturës, Maks Velo njihet për pasionin ndaj pikturës. Për shkak të rrymës artistike impresioniste dhe surrealiste që pasqyronte në punimet e tij, e cila biente ndesh me artin e realizmit socialist, do të fillonte ndaj tij përndjekja dhe që përfundoi me arrestimin në vitin 1978.
Gjyqi dhe dënimi prej 10 vjetësh nën akuzën e agjitacion-propagandës, dënim që do ta vuante në burgun famëkeq të Spaçit, do të përbënin për Maks Velon një dramë familjare mbi të gjitha.
Shumë nga pikturat që iu gjetën në shtepi u shkatërruan me urdhër të Gjykatës. U lirua nga burgu në vitin 1986 falë një amnistie.
Me ardhjen e demokracisë, Maks Velo iu rikthye pasionit të tij për pikturën, duke mbajtur shumë ekspozita brenda dhe jashtë vendit.
Gjithashtu, ai është autori i një sërë botimesh, ku ndër më të rëndësishmet janë: “Kokëqethja”, “Palltoja e burgut”, “Thesi i burgut”, “Paralele për arkitekturën”, “Kohë antishenjë”, “Kostumi i marteses”, “Klubi Karavasta”.
ObserverKult
Lexo edhe:
SI E SHPËTOI PIKTURËN E MAKS VELOS NGA DJEGIA ISMAIL KADARE
Si e shpëtoi pikturën e Maks Velos nga djegia Ismail Kadare…
Në parathënien e librit “Jetë paralele”, libri me dosjen sekrete të përndjekjes nga Sigurimi i Shtetit të Maks Velos (UET PRESS), Alda Bardhyli tregon për historinë e një pikture të Maks Velos.
Histori kjo e cila mundi t’i shpëtojë sekuestrimit apo djegies. E kjo pasi që u ruajt me kujdes nga familja Kadare.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult