Përkujtohet Migjeni: Pse “tronditin” edhe sot poezitë e tij?

Gjeniu i letërsisë shqipe, Migjeni, u përkujtua në 112- vjetorin e lindjes në një aktivitet të organizuar në Tiranë nga Qendra Kombëtare e Leximit dhe Librit. Një mbrëmje e veçantë poetike, dedikuar jetës dhe veprës së poetit të letërsisë moderne të shek XX.

Dokumentari mbi jetën dhe veprën e shkrimtarit të madh të viteve ’30 i la radhën më pas interpretimit të pjesëve të krijimtarisë së poetit nga artistë të ftuar si Rajmonda Bulku, Ndriçim Xhepa etj.. Mes familjarësh, studiuesish dhe interpretimit të shkëlqyer të poezive të Migjenit nga aktorët Yllka Mujo, Ndriçim Xhepa, Rajmonda Bulku dhe Kristaq Skrami u nderua figura dhe vepra e shkrimtarit të madh.

Ndër mysafirët e veçantë të mbrëmjes ishte edhe mbesa e poetit, Angjelina Luarasi Ceka, por edhe studiues e akademikë, të cilët vlerësuan lart veprën dhe kontributin e poetit për sa kohë ai jetoi.

Gjatë aktivitetit u transmetua edhe një pjesë e dokumentarit të realizuar shumë vite më parë nga Tefta Radi. Studiuesi Bashkim Kërçuku u shpreh:

“Kjo vepër kaq e vogël ka gjeneruar një letërsi ose metaletërsi shumë të madhe, shkrime kritike, letërsi, ese, monografi tekste shkollore të të gjitha niveleve përmes së cilës, vepra e Migjenit ka gjeneruar vetveten, si asnjë vepër tjetër e letërsisë shqipe”.

Alda Bardhyli, drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Leximit dhe Librit tha se, “është bukur të përfytyrosh portretin e një djaloshi të brishtë, me flokët e krehur me kujdes, veshur me kostum, tepër elegant duke ecur mbrëmjeve rrugëve të Shkodrës, me një bllok të vogël me vargje në xhep”.

“Sikur të parandiente vdekjen, Migjeni nxitoi, si gjithë shkrimtarët që kanë parandjenja të tilla, të shkruante poezi që goditën e vijojnë të godasin kohën. Kjo është aftësia e artit të vërtetë, i cili komunikon me çdo kohë, e ridimensionohet prej saj”, tha Bardhyli.

I ndarë nga jeta në gusht të vitit 1938, Migjeni ishte ndër të rrallët shkrimtarë të kohës, që la pas veprat “Vargjet e lira”, “Novelat e qytetit të veriut” përmbledhje e prozave, të botuara pas vdekjes.

Migjeni lindi në Shkodër, më 13 tetor 1911, në një familje të varfër qytetare. Pasi kreu shkollën fillore në qytetin e lindjes, në vitet 1928-1932 ndoqi mësimet e mesme teologjike në Manastir.

Në vitet 1933-1937 punoi si mësues filloreje në Vrakë, Shkodër dhe në Pukë. Kjo është edhe koha kur zhvilloi veprimtarinë e tij letrare. Poezia e Migjenit solli në letërsinë shqipe një problematikë të re, jetën e shtresave të varfra të shoqërisë shqiptare, temën e mjerimit e të pasojave të tij morale, përjetimin artistik të domosdoshmërisë së ndryshimit dhe vegimin e një bote tjetër, më të mirë e më të drejtë.

Heronjtë e veprave të tij më të mira ishin të papunë që rropateshin gjithë ditën për të nxjerrë kafshatën e gojës, malësorë që qëndronin në zgrip të jetës, të mjerë që nuk u kishte ecur në jetë dhe ishin flakur jashtë shoqërisë.

Migjeni u nda nga jeta në moshë të re, më 26 gusht 1938, i sëmurë prej tuberkulozit./panorama.com.al

ObserverKult


poema e kafesë nga mimoza ahmeti observerkult

Lexo edhe:

MIMOZA AHMETI: LETËR MAMKËS

Letër mamkës, poezi nga Mimoza Ahmeti

Mamka,
mos ta lexoj këtë letër tjetërkush veç teje,
jo se sekrete, por ende nuk jam e fortë plotësisht
për t’i mundur këto që po të them:
Tirana është fare e zakontë.
me ngushtësinë e shtëpive të ulëta,
me udhët e lodhura të dimrit,
me një pesëmbëdhjetëkatësh në qendër
ngritur si utopia ime,
me roje të përforcuara në udhëkryqe ambasadash,
me police-qukapikë qershori të zbehur.

Diç parandjej, mamka!
Kurrë shteti nuk ka qenë kaq përballë njeriut,
kurrë tradhëtia e burrave nuk ka qenë më në modë,
kurrë gjumë më të rëndë nuk kanë fjetur netët
dhe gratë më të humbura, më të zbrazura.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult