Përkujtohet në 2-vjetorin e ndarjes nga jeta akademiku dhe studiuesi, Moikom Zeqo

moikom zeqo migjeni

Muzeu Historik Kombëtar përkujtoi sot në 2-vjetorin e ndarjes nga jeta të akademikun, studiuesin dhe shkrimtarin e mirënjohur, Moikom Zeqo.

Moikom Zeqo ka lindur në Durrës, më 3 qershor 1949. Më 1971 u diplomua në Universitetin Shtetëror të Tiranës, për Gjuhë-Letërsi Shqipe. Në vitet 1971-1973 ka punuar redaktor në gazetën “Drita”, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë.

Më 1991 ka qenë Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ndërsa më 1992-1996 ka qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Në vitet 1997-2005 ka qenë drejtori i Muzeut Historik Kombëtar.

Moikom Zeqo ka botuar mbi 100 libra si: “Kalorësit dardanë” (1993), “Panteoni ilir” (1996), “Onufri” (1998), “Mes Laokontit dhe Krishtit” (2000), “Kështu foli Mona Liza” (2000), “Engjëjt e pikturës dhe Lasgush Poradeci” (2003), “Grishja e Florimontit” (2004), etj.

Moikom Zeqo, pas një sëmundje të rëndë, ndërroi jetë më 15 qershor 2020. Nderim dhe mirënjohje për kontributin e tij në histori, publicistikë dhe artin shqiptar.

Moikom Zeqo shkroi shumë vepra studimore për autorët më të rëndësishëm të saj prej fillimeve deri në kohët moderne.

Në mënyrë të veçantë në vëmendjen e tij qenë shekujt e humanizmit evropian në Shqipëri, me Barletin, Buzukun e Bogdanin; letërsia arbëreshe me De Radën; letërsia midis dy luftërave me Migjenin dhe letërsia popullore shqiptare.

Moikom Zeqo shkroi gjithashtu artikuj e studime me karakter njohës e interpretues edhe për ritet dhe mitet e popullit shqiptar, dukuritë specifike etnografike të tij, folklorin, kujtesën gojore në përgjithësi.

Për një kohë të gjatë ai ndoqi për së afërmi procesin krijues në tërësinë e vet me syrin e kritikut dhe të gazetarit: letërsinë, artet figurative, jetën e skenës dhe të kinemasë shqiptare.

Veprat e tij janë përkthyer më disa gjuhë të huaja, anglisht, esperanto, gjermanisht etj.

Përkujtohet në 2-vjetorin e ndarjes nga jeta akademiku dhe studiuesi, Moikom ZeqoHistoriani Moikom Zeqo është vlerësuar me Urdhrin e Lartë “Mjeshtër i Madh” dhe atë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”./ATSH


Lexo edhe:

JA ÇFARË SHKRUANTE MOIKOM ZEQO PËR DRITËRO AGOLLIN DHE SADIJEN