Në kuadër të “Muajit të Muzikës”, ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, përcolli vëmendjen ndaj një emri tjetër, emër të jashtëzakonshëm të kompozicionit shqiptar. “Në këtë muaj të muzikës, kujtojmë kompozitorin Kozma Lara, që i takon atij brezi, që krijoi në kushte të pazakonta”, u shpreh Margariti.
Kompozitori Kozma Lara lindi në qytetin e Durrësit më 4 janar të vitit 1930.
Mësimet e para në piano i mori nga prof. Tonin Guraziu, një tjetër artist i jashtëzakonshëm por që njihet pak nga publiku. Në vitet 1946-1949 mbaroi shkollën e mesme të përgjithshme “16 Shtatori” në Durrës.
Më pas ndoqi studimet në “Liceun Artistik Jordan Misja Tiranë”, ku dhe diplomohet në degën e pianos sërish me profesor Tonin Guraziun më vitin 1954.
Në vitin 1958 studioi në konservatorin “Pjotr Iliç Çajkovski”, në Moskë, në degën e kompozicionit, student i profesorit Sergey Artem’yevich Balasanian.
Pas diplomimit në degën e kompozicionit ai u emërua dhe dha kontributin e tij të madh në institucione artistike sikurse ishin ato të “Ansamblit të Ushtrisë Popullore”, në “Teatrin e Operas dhe Baletit Tiranë” edhe si koncert – maestro, por dhe në shkollën e mesme të muzikës “Mujo Ulqinaku”, Durrës. Njohja dhe zotërimi në pedagogji e bëri atë që të kontribuonte edhe pranë “Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës” gjatë viteve 1972-1978. Në vitin 1979 ka qenë mësues i Harmonisë, Analizës dhe Orkestracionit pranë shkollës së mesme të muzikës “Jan Kukuzeli”, Durrës.
Gjatë viteve 1964-1972 kontribuoi si pedagog i Analizës dhe Kompozicionit, njëkohësisht shef i Katedrës së Kompozicion-Dirigjimit në “Institutin e Lartë të Arteve” Tiranë. Nga 1979-a e më pas ka qenë shef i Katedrës së Teori-Kompozicionit në Fakultetin e Muzikës, pedagog i Analizës dhe Kompozicionit që e vazhdoj ta jepte edhe pasi doli në pension. Gjatë karrierës së tij si artist dhe kompozitor ai ka shkuar me mira materiale dhe vepra simfonike si “Suita”, “Valle” “Rapsodi”, “Sonata”, “Muzikë dhome”, “Vepra vokale,” Muzikë skenike” dhe shumë materiale të tjera koncertore për piano, violinë, oboe etj…
Botime të analizës muzikore, artikuj studimesh, simfonitë, romancat dhe broshurat e tij të shkruajtura specifikisht për mësimdhënie kanë qenë dhe janë vlerë e madhe për shkollat e muzikës të cilat vazhdojnë të studiohen.
Për shkak të vlerave dhe krijimtarisë së tij është vlerësuar me tituj të shumtë si “Anëtar i Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve”, “Urdhëri Naim Frashëri i Klasit të II”, “Titulli Artist i Merituar”, “Titulli Profesor nga Akademia e Arteve Tiranë”, “Titulli Qytetar Nderi” i qytetit të Durrësit./ATSH