Përkujtohet Sabiha Kasimati, shkencëtarja e parë shqiptare

Si sot, 109 vjet më parë u lind shkencëtarja e parë shqiptare, Sabiha Kasimati.

Ajo lindi në Edërne (Adrianopojë), Turqi, më 15 shtator 1912, në një familje intelektuale libohovite. Kur familja e saj u kthye në atdhe, ajo vazhdoi studimet në Liceun Francez të Korçës, duke qenë e para femër që mbaron këtë shkollë.

Pas përfundimit të studimeve, punoi si mësuese në Normalen Femërore të Korçës, Shkollën Amerikane të Kavajës, Institutin “Nana Mbretneshë”, si dhe në Liceun e Korçës. Në vitin 1936 i akordohet bursë shtetërore për studime në Itali, në Fakultetin e Shkencave Biologjike, në Universitetin e Torinos, të cilat i mbaron me rezultate maksimale, në vitin 1940.

Në 18 shkurt 1943, Instituti Mbretëror i Studimeve Shqiptare, vendosi të krijojë pranë tij, një muze të shkencave, dhe për këtë u ngarkua Sabihaja. Edhe gjatë viteve të para të komunizmit, ajo vazhdon kërkimin shkencor, në krah të figurave të shquara, si Çabej, Buda, Gjergj Komnino, Gjergj Ashta, etj.

Në oborrin e Ambasadës Sovjetike, në 19 shkurt 1951 ndodhi një shpërthim, të cilin regjimi e konsideroi si akt terrorist, pavarësisht se nuk pati asnjë pasojë. Kjo u përdor si pretekst për arrestimin e 22 intelektualëve, të cilët do të pushkatoheshin brenda pak ditësh, natën e 26-27 shkurtit 1951, mes tyre e vetmja vajzë, Sabiha Kasimati. Puna e saj shkencore, edhe pse e shpallur “armike e popullit”, do të përvetësohej, dhe do të botohej në vitin 1955, nën emrin e shkencëtarit sovjetik Anatoli Poljakowa dhe dy studiuesve shqiptarë.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave publikoi sot foto me portretin e Sabihasë si dhe korrespodencën e Ernest Koliqit, kryetar i Institutit Mbretëror të Studimeve Shqiptare me Sabiha Kasimatin.

Edhe Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit ka përkujtuar sot në ditën e lindjes, shkencëtaren Sabiha Kasimati, ekzekutuar nga regjimi komunist.

Këndi i kujtesës, i vendosur në hyrje të muzeut, i punuar nga AIDSSH, në bashkëpunim me biologë, historianë, studiues, familjarë, gazetarë e dizajner, jep informacion për shkencëtaren, puna dhe jeta e së cilës u ndërpre  dhunshëm mesnatën e 26 shkurtit 1951.

Vepra e saj shkencore “Peshqit e Shqipërisë” me studime të qenësishme në terren, ende sot është pronësi intelektuale e munguar, e mohuar.

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” përkujton sot Sabiha Kasimatin, shkencëtaren e njohur shqiptare

Sabiha Kasimati ka lindur më datë 15 shtator 1912 në qytetin e Edirnesë të Turqisë. Pasi u kthye së bashku me familjen në Shqipëri, ajo u shkollua në Liceun Francez të Korçës, dhe në sajë të rezultateve të arrira, iu akordua nga shteti një bursë në Universitetin e Torinos, në Fakultetin e Shkencave Biologjike. Në vitin 1945 ajo kthehet në Shqipëri dhe punësohet pranë Institutit të Shkencave ku iu përkushtua fushës së ihtologjisë. Në vitin 1948 përfundoi studimin mbi peshqit në ujërat shqiptare. Në vitin 1955 ky studim do të botohej nën emrin e rusit Anatoli Poljakov dhe dy fillestarëve në fushën e ihtologjisë, Ndoc Rakaj dhe Ndoc Filipi.

Duke parë zhvillimet politike në vend, Sabiha Kasimati do të shfaqte pakënaqësitë e saj mbi qeverisjen e shtetit komunist. Për këtë arsye ajo do të qarkohej në listat e Sigurimit të Shtetit. Emri i saj do të lidhej me shpërthimin në Ambasadën Sovietike. Pjesëmarrje në organizata terroriste e bashkëpunim me agjentura të huaja, do të ishin akuzat ngritur ndaj saj, akuza të cilat ajo nuk do t’i pranonte asnjëherë.

Pak ditë pas ngjarjes në ambasadë, më 26 shkurt 1951 u ekzekutuan Sabiha Kasimati dhe 21 intelektualë të tjerë.

Në vitin 2011, vit ky i cili përkoi me 60-vjetorin e vrasjes së saj, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, e nderoi Sabiha Kasimatin me titullin “Nderi i Kombit”.

Në Shqipëri, gjatë periudhës së diktaturës (me një popullsi prej një milion banorësh më 1945 dhe prej 3 milionësh afërsisht më 1990) janë burgosur për motive politike rreth 18.000 vetë, nga të cilët gati 8 000 gra. Janë ekzekutuar me ose pa gjyq për motive politike mbi 6000 vetë, nga të cilët 450 gra.