Përkujtohet Sami Frashëri, ideologu i Rilindjes Kombëtare

Muzeu Historik Kombëtar në Tiranë përkujtoi sot 172-vjetorin e lindjes të atdhetarit, iluministit dhe ideologut të madh të Rilindjes Kombëtare, Sami Frashëri.

Sami Frashëri lindi në Frashër të Përmetit më 1 qershor 1850. Ishte një nga djemtë e Halit bej Dakollarit. Mësimet e para i mori në fshatin e lindjes. Më 1865 së bashku me pesë vëllezërit e tij dhe dy motrat u vendos, në Janinë, ku me vëllanë, Naimin, Sami Frashëri kreu shkollën e mesme greke “Zosimea”, ku përveç kulturës së përgjithshme, përvetësoi krahas greqishtes së re e të vjetër edhe gjuhën latine, gjuhën frënge dhe atë italiane.

Në Tetovë, nga Mahmut Efendiu, mësoi arabisht, persisht dhe turqisht. Më 1872 u vendos në Stamboll ku zhvilloi një veprimtari të gjerë patriotike për çlirimin dhe bashkimin kombëtar të popullit shqiptar dhe bashkëpunoi me përfaqësuesit më përparimtarë të lëvizjes demokratike-borgjeze turke.

Ishte një ndër organizatorët kryesorë të “Komitetit Qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare” dhe me themelimin e “Shoqërisë së të shtypurit me shkronja shqip” (1879) u zgjodh kryetar i saj. Vdiq në Stamboll në moshën 54-vjeçare, më 18 qershor të vitit 1904./ATSH


Lexo edhe:

NAIM FRASHËRI, FIGURA QENDRORE E RILINDJES KOMBËTARE

Muzeu Historik Kombëtar përkujtoi sot në 176-vjetorin e lindjes, poetin dhe shkrimtarin Naim Frashëri (1846-1900).

Naim Frashëri lindi në Frashër të Dangëllisë së Përmetit më 25 maj 1846. Mësimet e para i mori në vendlindje, ku nisi të mësonte persishten pranë teqesë bektashiane.
Më 1865 familja e tij u shpërngul në Janinë, ku ndoqi gjimnazin “Zosimea”.

Mbas kthimit në vendlindje, ai bëri provat e para të vjershërimit shqip nën ndikimin e bejtexhinjve. Por edhe persisht, në përmbledhjen “Tehajylat” (Ëndërrime) që e botoi në vitit 1885.

TEKSTIN E PLOTË E GJENI KËTU

ObserverKult