Xhemal Myftiu ka qenë dhe do të mbetet një figurë emblematike e artit në zhanrin e humorit shqiptar.
Sot përkujtohet ditëlindja e tij nga miq, të afërm dhe dashamirës të artit. Ai u lind në qytetin e Tiranës më 28 janar të vitit 1936. Që në moshë të re artisti ishte i vetëdijshëm për cilësitë e tij të mira interpretative dhe plastike, pasi një ndër elementët që ai zotëronte më së miri ishte edhe pantomima.
Artisti që në moshë të re kishte interpretuar fragmente të ndryshme me trupat amatore dhe më pas u bë pjesë e estradës amatore në pallatin e kulturës “Ali Kelmendi” të qytetit të Tiranës.
Për shkak të suksesit që ai pati me këtë grup dhe për cilësitë e mira interpretative, artisti shumë shpejtë, pra në vitin 1964 u emërua dhe u bë pjesë e trupës profesioniste të “Estradës së Shtetit” ku do të interpretonte për afro 50 vjet figura të cilat janë gdhendur në memorien e spektatorëve. Ai gjithashtu gjatë karrierës shumë vjeçare ka qenë pjesë edhe i disa produksioneve kinematografike.
Figura artistike që do ta bënte edhe më të njohur në zhanrin e komedisë dhe estradës ishte pikërisht karakteri rural i zonës së Shqipërisë së mesme dhe sidomos atë Tiranase.
Ndër interpretimet e tij më të spikatura do të veçonim
“Borgjezi Fisnik”, “Tre dhëndurët”, “Shporta me karavidhe”, “Përse bie kjo daulle”, “Estrada në ekran”, “Kur hiqen maskat”, “Koncert në vitin 36” dhe shumë e shumë materiale komike me një apo më shumë akte të vëna në skenë nga regjisorë shumë të njohur të asaj kohe./ATSH