Përmbledhja poetike “Ende është terrinë” e Naim Fetajt – një kurorë poetike e dhimbjes

(një vështrim analitik për përmbledhjen ‘Ende është terrinë‘ që u botua këto ditë në përvjetorin e parë të vdekjes së autorit)

Nga Murteza Osdautaj


Naim Fetaj ishte njëri ndër poetët kosovarë që u futën në botën e poezisë kombëtare në vitet e zjarrta të të tetëdhjetave. Në kohën kur Naimi u paraqit së pari në skenën poetike, poezia e tij u pranua shumë shpejt dhe, po kështu, e njëjta u shndërrua në krijimtari emblematike të tërë gjeneratës së poetëve që në atë kohë filluan këtë rrugëtim të vështirë.

Por fati i Naimit, si i shumë poetëve, nuk ishte i atillë çfarë ai e kishte ëndërruar. Koha e demonstratave të 81-tës dhe ngjarjet që sollën vitet e më pastajme bënë që fatet njerëzore dhe edhe ato kombëtare të përmbyseshin dhe të merrnin një kahe tjetër, të kundërt me ëndrrat dhe dëshirat e njerëzve dhe krejt të kundërta me ëndërrimet e poetëve. Naimi ishte një natyrë e ndjeshme dhe plotë shpresa. Poezia e tij, e cila deri në atë kohë, ishte një poezi që ishte krijuar brenda koncepteve dhe në kufijtë a atëhershëm të modernizmit poetik që mbizotëronte poezinë kosovare, pas viteve nëntëdhjetë, ndërron edhe në aspektin teknik por edhe në aspektin figurativ, stilistik dhe strukturor. Ishte koha kur liria kombëtare ishte përmbysur ose shkatërruar dhe kur njerëzve iu kishte mbetur fare pak shpresë dhe një pjesë e tyre do të marrin rrugën e mërgimit. Naimi ishte ndër poetët që u larguan nga Kosova dhe kjo pjesë e biografisë së tij, tash e tutje, do të ndikojë, tepër intensivisht, në poezinë e tij të krijuar më vonë. Poezia e Naimit do të shndërrohet në një formë elegjie për fatin e njeriut, në një forme revolte për proceset dhe ngjarjet historike nëpër të cilat po kalonte vendi dhe në një këndim mallëngjimi për atdheun dhe njerëzit të cilët nuk arriti t’i shihte apo për të cilët kishte mall.

Liria, vendlindja, atdheu, fati personal i poetit dhe njerëzit, megjithatë mbeten, temat bosht të tërë krijimtarisë së tij.

Përmbledhja e fundit e Naimit, që po promovohet sot dhe që përmbledhë poezitë që autori i ka lënë në dorëshkrim, nuk iu largohet këtyre rregullave themelore që Naimi i kishte krijuar në zhvillimin e tij artistik dhe poetik të tij. Dashuria, malli dhe dhimbja për njerëzit, ëndrrat atdhetare të parealizuara, revolta për ngjarjet dëshpëruese, malli për atdheun dhe dhimbja njerëzore për fatin personal dhe të njerëzve të tij të dashur janë tema që e mbizotërojnë këtë përmbledhje.

Pjesëza të dhimbjes për veten

Autori ynë është një poet që për jetën e tij dhe për veten kishte ndërtuar dimensione të tjera nga ato që ishte i detyruar t’i jetojë. Ngjarjet historike dhe politike të viteve tetëdhjetë dhe nëntëdhjetë ishin vendimtare për përcaktimin e rrugëtimit jetësor thuaja të të gjithë neve. Mërgimi dhe largimi nga vendi ishin ndër ngjarjet që janë përjetuar me një dhimbje të pafundme dhe që kanë ndikuar në jetën shpirtërore dhe në gjendjen psikologjike të shumë prej nesh. Poetët, sigurisht e kanë ndier këtë formë të dhimbjes në mënyrë më të veçantë dhe më intensive. Naimi ishte ndër ata që këtë lloj dhimbje e kishte tepër të theksuar dhe, si të tillë, e ka paraqitur në poezitë e tija në të gjitha përmbledhjet e tij dhe në të gjitha dimensionet. Ai, përherë, është munduar të rrëfejë për jetën e tij larg vendlindjes që e bëri atë ‘të padukshëm’ dhe, në një aspekt, edhe të harruar. Në poezinë ‘Jeta…’ autori kështu e përkufizon jetën:

‘Jeta nuk është këmishë me lule
Përthokoje mirë dhe ja erdhi vera
Dimër i egër është kjo …si luftë si tymnajë
Të nxin e të lë si cung të djegur te dera…’

Duke qenë e tillë periudha në të cilën u zhvillua poeti dhe gjenerata e tij, duke e përshkruar këtë kohë të vuajtjeve dhe të përpjekjeve të jashtëzakonshme, në poezinë ‘Për gjeneratën time…’ në një vend ai do të shprehet se:

‘U lodhën shpatullat duke bartur vite
Shumë na shtypi koha …dukemi si pikëpyetje.’

Për ta përfunduar këtë pjesë është me rëndësi poezia e poetit me titullin ‘Skicë për biografi…’ në të cilën ai, autori dhe poeti por edhe njeriu, rrëfehet për jetën e tij dhe shtegtimin e tij nëpër jetë. Kjo poezi, në njëfarë dore është poezia shënjuese e cila e shpërfaqë shumëdimensionalisht jetën e tij. Në këtë poezi poeti deklaron se

‘Unë nuk kam nevojë pēr ferr
Gjysmën e jetës e kalova në terr
E tmerr…
Lëkurën e kam të ashpër si duart e bujkut
U rritur në gojë të ujkut…

Që do të ishte pjesa e jetës së tij e kaluar derisa ai nuk kishte emigruar ende për në Evropë. Më pas poezia vazhdon me kohën e ndërmjetme kur Kosova ishte e robëruar dhe një pjesë e madhe e të rinjve, edhe poeti ynë, u detyruan të largohen nga Kosova:

‘Pastaj rrugëve të botës
Si meit eca rreth tokës’

Më e dhimbshmja është pjesa e fundit e poezisë në të cilën poeti e pasqyron ‘lirinë’ e cila, sipas tij dhe shumëkujt tjetër, asnjëherë nuk ishte e plotë dhe, thuaja asnjëherë, nuk ishte Liri:

‘Edhe liria më doli si njē dardhë e egër
Më mbeti në fyt si kënga
Këngëtarit të vjetër…’

Duke e përmbyllur këtë pjesë të këtij vështrimi, dua të ceki se Naimi është një poet që interesohet për ekzistencën dhe qëllimin e saj. Shpesh në poezitë e tij ai rropatet që ta gjejë arsyen e ekzistencës dhe për qëllimin se pse jemi në këtë botë dhe çfarë duhet të bëjmë për ta realizuar qëllimin e ardhjes tonë në këtë dimension ekzistencial.
Naimi, megjithatë arrin që, në këtë kuadër, ta gjejë një pjesë të përgjigjes dhe ajo është liria njerëzore në të gjitha dimensionet e saj.

Njerëzit

Largimi nga atdheu në një kohë kur poeti ishte në zenitin e krijimtarisë së tij dhe shkuarja në realitete të reja sociale dhe psikologjike, thuaja do ta lëndojnë zemrën dhe shpirtin e poetit. Naimi shkuarjen jashtë Kosovës kurrë nuk e konsideroi si ‘shpëtim’. Largimin nga vendi i tij, për të ishte një mundësi që të mbetet gjallë derisa poetikisht ishte një lloj robërie e re nga e cila, me shkrimet e tij poetike, lufton për t’u çliruar.
Lënia e njerëzve në Kosovë, lënia e Kosovës në robërinë serbe, lënia e ëndrrave për të gjalluar apo për tu shuar rrugëve të vendlindjes së tij dhe dashuria e humbur dhe e parealizuar kurrë do të shndërrohen në një uragan krijues e tematik për poetin tonë.
Në lidhje me tematikën për njerëzit është një poezi tepër simbolike që flet për njeriun, për ëndrrën dhe për përpjekjen e tij por që paraqet fatin njeriut i cili, për të arrirë ëndrrën në të vërtetë, në fund e kupton, se po e takon pamundësinë e tij, mos mundësinë e arritjes në caqet e vëna të jetës, mos arritjen aty ku kishte ëndërruar gjithmonë. ‘Shtëpia e madhe’ i thotë të gjitha këto:

Gjithë jetën e lume
Kishte ëndërruar një shtëpi të madhe

…..

I kishte ndarë të gjitha dhomat
Me mend
Për babën e nënën për fëmijët

Mbi gjak e kishte vizatuar atë shtëpi
….

Shtëpia e vjetër e djegur e mbuluar me bar
Baba e nëna paluar në njē varr..

Shtëpinë e madhe dhe ëndrrën
Tjerët e kishin marr…


Kjo poezi, është një përmbledhje e fatit të njeriut. Është një këndim elegjiak për të pamundurën dhe për të paarrirën, për shpresat e ëndrrat, për përpjekjet njerëzore dhe për pamundësitë gati mitologjike. Poezia është një dëshmi poetike për gabimet që bëjmë gjatë jetës dhe për natyrën e jetës e cila, jo përherë, është e mëshirshme ndaj nesh dhe na drejton drejt të dëshiruarës.

Nëna është figura strumbullar e Naimit. Simboli i saj ka dimensione kuptimore tokësore dhe qiellore. Naimi flet për nënën si dhuruese e jetës (poezia ‘Për ditëlindjen time…’), për nënën si identifikuese dhe si një ‘çerdhe’ ku njeriu rikthehet gjithmonë prej nga ka ikur. Nëna, për Naimin, është caku dhe qëllimi i rikthimit prej vendit nga kah ishte nisur për ta bërë rrugëtimin jetësor. Në poezinë ‘Qyshkur më vdiq nëna …’ autori rrëfen se si pa magjinë e ekzistencës së nënës, njeriu mbetet i huaj, i shpërbërë, ‘i zhdukur’, i pa tokë, shtegtar i dhimbjes. Këtë formë të dhimbjes dhe të ekzistencës, Naimi e thotë në këtë mënyrë:

‘Ndoshta s’më sheh dielli nuk mē sheh as hëna
I huaj gjithkund qyshkur më vdiq nëna….’

Një nga një edhe stinët
I kam shti në dhe
Ditën kur vdiqe ti

As diell s’ka lë…

Derisa figura e nënës është brenda shpirtit dhe qiellit imagjinar të tij, figura e Babës është pjesa e jashtme, tokësore, e ekzistencës së autorit. Baba, në poezinë e Naimit, është fuqia, është siguria, është ekzistenca fizike e fëmijëve dhe, në një formë, paraqet mbijetesën fizike. Këtë fakt Naimi e proklamon bukur në poezinë ‘Sa ishte gjallë baba…’ në të cilën, ndër të tjera, kështu rrëfen për Babën:

‘Ai e mbjellte fushēn
Sa shumë e lëmonte bimën
Kur e ujiste krejt stinën…

Nē vjeshtë
Ne i vjelnim të gjitha
Ai e ndalte brymën
Nē kosh kur e fusnim stinën

Verës i këndonim në dimen
Sa ishte baba gjallë…’

Dhimbja për vëllain e vdekur, është gjithashtu, pjesë e rëndësishme e poezisë së poetit. Përjetimi i ndarjes nga njerëzit që i kanë dhënë formë dhe kuptim jetës së njeriut, është i rëndë në çdo rast dhe sidomos për poetët. Po sjell këtu poezinë e fundit të poetit që i kushtohet vëllait të tij, Agimit, në 10 vjetorin e vdekjes ku autori me tone tepër elegjiake dhe i mbushur dhimbje dhe mall thuaja sa nuk njëjtësohet me të vëllain e vdekur:

‘Dhjetë vjet pa ty
Si pa njërin sy

Malli për ty seç më dogji krejt
Edhe tek varri yt endem sikur meit’

Gjithashtu, pothuajse, në të njëjtën mënyrë dhe me të njëjtin intensitet të dhimbjes, Naimi e këndon këtë dhimbje në poezinë ‘Agim…’ ku shprehet:

‘Zbriti dielli bjeshkës si një dre i etur
Zogjtë u zgjuan ndër lisa dhe e nisën këngën
Mjegulla u nis lugut pas ujkut të rjepur
Mua as buajt nuk ma luajnë dhembjen

Kjo pjesë e ditës ka emrin e vëllait tim
Këtu dënesi tinëz qe dhjetë vjet Agim …’

Bardh Hamzaj, gazetari dhe publicisti i njohur i Kosovës dhe shoku i jetës i Naimit, është heroi lirik i një varg poezish të poetit. Vdekja e hershme e Bardhit e kishte lënduar rëndë poetin dhe kësaj dhembjeje, ai, sikurse në përmbledhjet e mëhershme, i kthehet edhe në poezitë e fundit të tij. Bardhit, sivëllait të tij, autori i thurë një poezi në përvjetorin e dhjetë të vdekjes. Poezia quhet ‘Një shekull i gjatë’ dhe, edhe këtu, shprehet dashuria, mungesa dhe dashuria e pafund për mikun e tij të ditëve të rinisë:

‘Decenia pa ty një shekull e gjatë
Dhjetë vjet pa ty terrinë

Terrinë si nëpër natë…’

Në këtë përmbledhje autori ka edhe një numër poezish në të cilat ka shkruar për figura të ndryshme nga historia e re e Kosovës të cilët kishin dhënë kontribut në fusha të ndryshme. Heroi Sali Çekaj nuk ka se si të mos jetë pjesë e kësaj përmbledhjeje siç nuk mund të mos ishte temë e poezisë së autorit edhe gazetari, kolegu dhe bashkëfshatari i Naimit, Nezir Istrefi dhe bashkëmendimtarja dhe bashkëveprimtarja, dëshmorja Nurie Zekaj. Autori, gjithashtu, poezi iu kushton edhe shokëve të tij të gjallë siç është Saim Tahiraj, luftëtarëve e invalidëve të UÇK-së, bashkëfshatarëve të tij dhe fëmijëve të lagjes së tij, kjo krejt si një lloj zbrazjeje të mallit të tij të pashuar për kujtimet, figurat dhe pamjet nga rinia dhe nga kohët kur ai ishte ende i pa larguar nga vendi.
Një vend të caktuar autori ua kushton edhe njerëzve të cilët i kanë sjellë te këqija atdheut dhe njerëzve, sidomos në kohën e ish Jugosllavisë duke kryer shërbime ndaj pushtetit në dëm të Kosovës dhe njerëzve të saj dhe të cilët, edhe në kohën e ‘lirisë’ kanë gjetur mënyrën që të rehabilitohen.

Një pjesë e veçantë e librit të poetit mbulohet nga lirikat e bukuria të dashurisë të cilat, në njëfarë dore, janë vazhdimësi e lirikave të mëhershme të cilat përbëjnë pjesën më të ndjeshme dhe më lirike të krijimtarisë së autorit dhe ndër krijimet më mjeshtërore të tij. Duke mos dashur për t’iu bërë një analizë më të zgjeruar të këtyre poezive, e ftoj lexuesin që t’i lexojë ato dhe ta ndjejë aq afër shpirtin dhe frymën e poetit tonë.

Atdheu

Dhimbja e më e madhe e poetit, në të gjitha përmbledhjet e tij, por edhe në poezitë e librit për të cilin po flasim, është toka e tij, atdheu. Në poezitë e kësaj përmbledhjeje autorin e preokupon gjendja aktuale, ajo e pas lirisë të cilën, siç mund ta shohim nga poezitë e tij, ai nuk e ka përjetuar aq mirë dhe për të cilën, në shumë vargje, shpreh revoltën e tij njerëzore dhe poetike.

Pas lufta solli shumë momente të parapritura të cilat askush si kishte imagjinuar dhe as poeti nuk kishte arritur që t’i mendojë. Kjo gjendje dëshpërimore e poetit manifestohet në mënyrë të bujshme në, thuaja , të gjitha poezitë e tij edhe të kësaj përmbledhjeje. Në këtë aspekt autori proteston, mallkon veten dhe kohën, mallkon njerëzit dhe vuan për mospërfudnimin e asaj që mund ta quajmë liri dhe atdhe.

Autori, si mërgimtar, shpesh e ka ndjesinë e trishtë të mbetjes si zogjtë shtegtarë të cilët nuk arrijnë ta gjejnë një vend të përjetshëm ku do të jetonin. Prandaj edhe poeti e ka këtë ndjesi të mbetjes pa atdhe, apatrid. Kjo ‘mbetje’ i shkakton atij dhimbje pafund, vuajtje dhe trishtim dhe ia ngulit në vargjet e tij kotësinë e largimit dhe pasojat shpirtërore që kishte shkaktuar ky largim. Edhe në poezitë e kësaj përmbledhjeje, si edhe në përmbledhjet e mëhershme, dilema e madhe filozofike dhe njerëzore e autorit nëse jeta dhe vendimet e jetës ishin të duhurat, ngrit krye për të mos e lënë të qetë shpirtin e tij të ndjeshëm.

Fundi

Naim Fetaj, vdiq tepër i ri dhe rruga e tij krijuese poetike u këput e papërfunduar artistikisht. Nëse mund të flasim për një Migjen modern të poezisë shqipe, atëherë lirisht që këtë epitet mund t’ia japim poetit Naim Fetaj. Ai në të gjitha përmbledhjet e tij ishte një akumulator i dhimbjes njerëzore për të gjitha gjërat që e krijojnë jetën dhe që asaj ia ndërrojnë kahen e mirë.

Naimi është poet i dashurisë për njerëzit dhe për vashën e imagjinuar, poeti që mund të vdes për atdheun, shprehës i revoltës për fenomenet që e dëmtojnë vizionin e tij për atdheun dhe poet e mospranimit të realiteteve të reja që u krijuan nga njerëzit të cilët lirinë e kishin kuptuar, më shumë, si zënie të hapësirave fizike dhe shpirtërore për njerëzit e tjerë.

Poezia e tij dallohet për një fjalor të zgjedhur por edhe për përdorim të theksuar të shprehjeve nga vendlindja të cilat poezisë së tij i japin edhe karakteristika kontekstuale dhe sentencioze. Në përgjithësi, Naimi, nuk i është shqitur stilit krijues të kohës kur është formuar si poet dhe, në këtë aspekt, në aspektin stilistik dhe mikrostrukturor, mbetet një vazhdues i teknikave krijuese të viteve të tetëdhjeta duke qenë gjithmonë origjinal, autentik dhe i veçantë.

Bota e poezisë shqipe, me vdekjen e Naimit, humbi një nga poetët më interesantë dhe më të veçantë të poezisë moderne. Vendlindja e tij, Deçani, ka humbur poetin e saj të madh i cili, me krijimet e tij, kishte arritur që ta madhështojë kulturën dhe botën shpirtërore të njerëzve të vendit të tij.
Kjo përmbledhje, është kurorë e dhimbjes së tij dhe e dhimbjes tonë për të.

ObserverKult


Lexo edhe:

MURTEZA OSDAUTAJ: MERRI TË GJITHA, POR MOS MË THUAJ SE S’MË DO