Përparim Rama: Salla Koncertale dhe Muzeu i Artit po bëhen realitet

Më në fund, një premtim i kahershëm, qeverisje pas qeverisje komunale po bëhet realitet.

Bëhet fjalë për sallën koncertale në Prishtinë, e shumë kërkuar dhe e nevojshme për komunitetin artistik, e cila do të realizohet së shpejti në objektin e ish-Gërmisë (ish-shtëpia e mallrave, përballë Teatrit Kombëtar).

Se kjo gjë do të bëhet së shpejti realitet e bëri me dije nëpërmjet një postimi në faqen e tij në Facebook, i pari i Prishtinës, Përparim Rama.

“Jam shumë i lumtur që po hedhim hapat e parë për krijimin e dy hapësirave të rëndësishme kulturore të Kryeqytetit, Sallën Koncertale e Muzeun e Artit. Gjatë takimit me arkitektin e njohur botëror, Kengo Kuma, diskutuam detajet e fundit për realizimin e këtij projekti tjetër të madh drejt transformimit të Prishtinës”, ka shkruar Rama në Facebook.

Më tej, Rama ka njoftuar se arkitektura unike e ndërtesës ikonë të kryeqytetit, do të ruhet tërësisht si pjesë e trashëgimisë sonë.

Në të njëjtën kohë do të krijohen një Sallë Koncertale dhe Muze i Artit supermodern.

E me nisjen e këtij projekti, për të cilin Rama tha se e ka premtuar dhe po e bën realitet, po realizohet pra një kërkesë e kahmotshme e artistëve të vendit. /ObserverKult


Lexo edhe:

KOMUNA I RIKTHEHET ISH-OBJEKTIT TË “GËRMISË” PËR TA BËRË SALLË KONCERTALE

Mëdyshja dyvjeçare për lokacionin e sallës koncertale tani duket të jetë e tejkaluar. Komuna e Prishtinës ka ndarë mendjen që ish-objekti i shtëpisë së mallrave “Gërmia” të adaptohet për kërkesën e kahershme të komunitetit artistik, por duke ruajtur identitetin e ndërtesës ekzistuese.

Të hënën, nëpërmjet një njoftimi, Komuna e drejtuar nga Shpend Ahmeti ka bërë me dije se gjatë këtij muaji do të shpallen konkurset ndërkombëtare arkitektonike për tri projekte të mëdha e të rëndësishme për Prishtinën.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult