Nga Fatmir Sulejmani
Ikja e shkrimtarëve nga vendet e tyre është histori e vjetër sa vetë letërsia, sepse ata janë kundërshtarët më të fortë të prijësve despotë që, në vend se të kujdesen për mirëqenien e bashkëkombasve, thëthijnë djersën, gjakun dhe të ardhmen e tyre. Në kësi konditash të paprekur diktaturash kanë mbetur/mbeten vetëm rapsodët mediokër të oborreve/blloqeve oligarke, për të cilët jeta e dinjitetshme dhe e lirë e njerëzve është nocion i panjohur. Kurse krijuesit me mundësi reale për të ndryshuar rrjedhën e jetës qençe të popullit bëhen pre pushtetarësh patrapazë, hajdutë e vrasës, të cilët nuk e durojnë mendimin e lirë që mund të davarisë mjegullnajën prapa së cilës fshehin krimet.
Në letërsinë shqipe janë të shumtë krijuesit që e kanë shijuar në lëkyrën e tyre dhunën mesjetare vetëm pse kanë guxuar të shkelin bishtin e gjarpërinjëve të pushteteve të hurit e litarit.
Kujtoni shkrimtarët e ekskomunikuar dhe të syrgjynosur: Gjergj Fishtën, Faik Konicën, Ernest Koliqin, Arshi Pipën, Martin Camajn, Kasem Trebeshinën, Sejfulla Malëshovën, Adem Demaçin, Visar Zhitin…; shkrimtarët e likuiduar: Anton Harapin, Musine Kokolarin, Sadudin Gjurën, Vilson Blloshmin, Genc Lekën, Havzi Nelën…; shkrimtarët që trazuan/ trazojnë rehatinë e pushtetarëve me të shkuar e me të tashme kriminogjene, në krye të të cilëveështë sot Agron Tufa – MJESHTRI i vargut dhe i prozës narrative, artisti gjuhëkrijues e erudit, intelektuali që prej vitesh sfidon krimet e kueçedrave të së shkuarës dhe pinjollëve të tyre të sotëm, njeriu sypatrembur, i cili, kur e kuptoi mirëfilli se është në rrezik serioz jete, bashkë me pesë engjejt dhe Elvanën e tij të dashtun, u detyrua të largohet nga Shqipëria për të kërkuar azil politik në Zvicër.
Për çudinë e çudirave të botës, kërcënimet për likuidimin fizik të Agron Tufës kanë qenë publike muajve të fundit, kërcënuesit e njohur për organet e rendit, po askush nuk ndërmorri asgjë kundrejt vrasësvë potencialë të artistit. Madje, i pari i shpellarëve – Spartak Braho paralajmëroi likuidimin e poetit edhe pas largimit të tij nga Shqipëria: “Unë i pari, por edhe të tjerë mendoj se do të bëjmë të pamundurën që edhe atje ku ka kërkuar azil politik të mos gjejë vrimë ku të futet…”, shkroi me 4 dhjetor 2019 paranjeriu. Dhe, për t’mos e lënë krimin në nivel individi, një ditë më pas (5 dhjetor 2019), në skenën e mizërisë së bashibozukëve u shfaq Sabit Brokaj, i cili shkoi përtej kërcënimit të Spartakut, duke u përpjekur të ndërkombëtarizojë “krimet” e Agronit: “Po të njëjtën rrezikshmëri shoqërore, ai paraqet edhe në vendin që do ta strehojë. Prandaj ambasada jonë në atë vend, por edhe ambasada zvicerane në vendin tonë, duhet të ngrenë alarmin dhe të mos i japin strehë një njeriu të tillë. Ua bëj këtë apel këtyre ambasadave publikisht. Por edhe vendeve të tjera ku ai mund t’ia mbathë sërish. Tufa e ka marrë rrokullimën dhe nuk i dihet si ku do ta mbajë vrapin…”
Ashiqare, kjo klasë monstrumësh e do Agronin brenda Shqipërisë, ku mund t’ia vënë më kollaj tritolin shtëpisë a veturës së tij, sepse kërcënimet e mësipërme s’ka si të kuptohen ndryshe për aq kohë sa pushteti nuk kërkon përgjegjësi prej paralajmëruesve të likuidimit fizik të prometejëve, që kanë guximin qytetar të flasin hapur për koqet me qelb të etnisë sonë fatkeqe.
Për hir të së vërtetës, duhet thënë se as klasa intelektuale (respekt përjashtimeve!), e cila sot vajton ikjen e Agronit, nuk e përkrahu sa duhet luftën e mohikanit shpirtlirë e atdhedashës. Ndaj, në këso rrethanash, sado e dhimbshme qoftë, shqiptarët dhe miqtë e Agronit e përkrahin me dhembje vendimin për largim nga Atdheu, duke shpresuar se megjithatë do të kthehet një ditë, nëse do Zoti e shpëton Shqipërinë nga varrmihësit.