Nga Pal Ndrecaj
Poezia “Lutje mëngjesore” është një këngë që poeti i thur nipit të tij, Nolit të vogël, i cili i ka mbushur njëzet muaj. ”Njëzet e pak”, thotë poeti. Prania e tij mbush të gjitha skenat e një dite, gjatë të cilës gjyshi e kundron i lumtur dhe plot shpresë teksa luan, teksa vrapon, teksa do të dalë jashtë tek lodrat, por edhe teksa fle e gjyshi (dmth Poeti) në dhomën tjetër merret me librat.
Një poezi plot emocione, në të cilën Noli i vogël “Me një gisht e përmbys universin / Dhe e ribën sërish në lojën e tij pa kufij”.
Një Nol që loz si çdo fëmijë tjetër dhe një Nol që “Nga të gjithë librat më së shumti e do atë me portretin e Heroit në ballë / Shtypur më Një Mijë e Nëntëqind e Gjashtëdhjetë e Tetë” dhe që në lojën e imagjinatën e tij fëmijërore, portretin e Heroit e kërkon në fytyrat e njerëzve të gjallë, për ta gjetur në fytyrën e gjyshit të tij (“Baj, Gjyshi!; Baj, Kënderbeu!”. Këndërbe, shqiptim fëmijëror i emrit Skënderbe). Dhe me lirinë e imagjinatës, Thërret Heroin të vijë në Krujë “të shpëtojë Mëmëdhenë”.
Një lojë e bukur me fjalët; një lojë e bukur me imazhet; një lojë e bukur me kuptimet…
Mirëpo, në lojën e Nolit, në shprehitë e në ëndrrat duket sikur përmblidhen disa nevoja e kërkesa që shkojnë përtej atyre të një fëmije. Janë nevojat e kohës, hallet e dilemat e saj, deri tek ato ekzistenciale.
“Zgjohu, shpirti i gjyshit dhe jepi pak shpirt ditës së re,
Jepi dritë nga sytë e tu plot dritë!…
Mirëmëngjes, shpirt! Trokit, trokit!…
Zgjoje të lashtën botë, që po lëkundet si somnambul
Në rrugën drejt së ardhmes… Jepi pak gaz e shpresë! Pak zemër…”
Noli është një fëmijë që prish “rendin” dhe e rindërton ndryshe, me kërkesat e veta, që janë kërkesat e një brezi tjetër që po vjen, kërkesat e një bote të re, të cilat poeti i shpërfaq përmes lojës së një fëmije.
Imazhet plot jetë të kësaj poezie e kanë në qendër Nolin duke luajtur si çdo fëmijë tjetër, i cili gjatë lojës diçka prish, diçka përmbys, diçka rrënon. Mirëpo, gjatë kësaj loje ai me një lehtësi të madhe “Sa çel e mëshel sytë i bën bashkë Tiranën dhe Prishtinën, / Komunën e Parisit dhe Ulpianën,/ Hasan Prishtinën e Selam Salarinë.” Noli që mbi të gjithë librat e do atë me fytyrën e Heroit në ballë.
Në një lexim semantik, Noli është vetëm një fëmijë i zakonshëm, që nuk i zihet vendi, mirëpo në atë semiotik ai është pak më shumë se aq. Është zëri i së ardhmes, synimet e aspiratat e saj.
Poeti luan bukur me këto dy kuptime, i kënaq këto dy lloje lexuesish, njërin me kuptimin e parë, e tjetrin me nëntekstin e pasur, me simbolikën e me strukturat kuptimore, që dalin pas dekodimit të gjuhës figurative, një vlerë e veçantë, që ia atribonte Ekoja artit të përsosur.
ObserverKult
Lexo edhe: