Në parkun kombëtar të Apolonisë u përuruan ambientet e rinovuara të Shtëpisë së Arkeologëve. Në këtë aktivitet ishte e pranishme ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, ambasadorja e Francës në Shqipëri, Elasabeth Barsacq, arkeologë, etj.
Ministrja Maragriti tha se “ka ende shumë punë për të bërë që arkeologët të kenë kushte optimale pune dhe akomodimi gjatë ekspeditave të tyre, por një gur çdo ditë do të sjellë padyshim ndryshimin”.
“Jemi të kënaqur që tradita e mirë e bashkëpunimit franko-shqiptar në fushën e arkeologjisë vazhdon edhe sot, me të tjera projekte”, – theksoi ministrja.
Apolonia në Fier është një nga sitet më të mëdhenj të Shqipërisë, por edhe një nga qytetet më të mëdhenj në botën antike. Si një nga 27 Apolonitë e pellgut të Mesdheut, ajo është një nga vlerat e perlat e trashëgimisë arkeologjike të Shqipërisë.
Në Parkun Arkeologjik të Apolonisë ndodhet dhe mozaiku në Vilën me Impluvium i cili është i hapur për vizitorët gjatë sezonit turistik./ATSH