Regjisori Nikolin Gurakuqi bëri publike për mediet letrën që i ka dërguar ministres së Kulturës së Shqipërisë, Elva Margariti për shkeljet që janë bërë gjatë katër viteve të fundit në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, Ansamblit Popullor.
Ai mendon se logoja e re e këtij institucioni, e cilësuar plagjiaturë edhe nga artistët e tjerë, është e padenjë për të përfaqësuar historinë 67-vjeçare të operas.
“I gjithë procesi edhe njerëzit e komisionit më janë dukur të papërshtatshëm. Për të shqyrtuar një logo të re opere, se s’janë njerëz të fushës.
Një komision duhet ta ngrini që të shkojë në TKOB. Që të vërtetojë nëse logo është plagjiaturë edhe nëse lekët kanë shkuar në vendin e duhur”, thotë regjisori Gurakuqi.
Por, përpos kësaj ai ngre akuza se përmes një komisioni të brendshëm janë shkatërruar të gjitha skenografitë e repertorit të vënë 20 viteve të fundit.
LEXO EDHE: Artistët denoncojnë logon si plagjiaturë/TKOB: Përgjegjësia e autorit
“Zonja ministre para pak kohësh Zana Çela me një komision të brendshëm ka shkatërruar të gjithë repertorin e TKOB. Në magazinat e Brarit ku ishin magazinuar. me pretekstin se i ka ngrënë miu”, thotë Gurakuqi.
Gjithashtu, sipas tij, nuk janë punësuar 102 të rinj në këtë institucion, por shumë më pak.
“Kjo është një gënjeshtër. Unë jam në dijeni, ata të rinj kanë qenë ish-studentë të mi edhe i kemi përgatit me pedagogët e Kantos në UA.
Edhe kemi bërë shfaqje me ta në Akademi, edhe sot në opera në kor kanë hyrë vetëm tre, solistë katër edhe orkestër pesë. Edhe ndonjë tek-tuk ndonjë në administratë”, thotë regjisori.
LEXO EDHE: Gjipali: TKOB nuk ka qenë asnjëherë në dorën dikujt që njeh lirikën
Artisti Nikolin Gurakuqi, i cili prej pak kohësh është në pension, tregon se ndonëse, kjo letër i shkon tani për herë të parë ministres Elva Margariti. Ai shqetësimet e tij i ka ngritur dhe më herët në zyrën e titullares.
“I kam shprehur edhe në zyrë këto shqetësime edhe skam qenë dakord me asgjë çfarë ka ndodh në atë institucion. Se ne kemi një institucion, që vetëm logoja ka emrin Teatër kombëtar, por ka zhdukur të gjithë repertorin”, thotë ai.
Ndërsa, thekson se me këtë denoncim publik ka si qëllim që shërbejë shtetit të tij. Dhe nuk është pjesë e asnjë partie politike
“Kjo është qesharake. Unë nuk i përkas asnjë vathi politik. Por i shërbej shtetit edhe flamurit”, thotë Gurakuqi.
Regjisori Nikolin Gurakuqi në 42 vite karrierë në opera ka ngjitur në skenë rreth 80 shfaqje.
shqiptarja.com