Gjatë fëmijërisë time me qindra herë e kam dëgjuar rrëfimin për Ahmet Delinë. Jam rritur me këtë rrëfim dhe që nga ajo kohë gjithmonë kam dashur që një ditë të shkruaj diçka për të. Më vonë, më pat lindur dëshira që të ballafaqoja historiografinë e shkruar me legjendën dhe, si në pak raste, faktet historike më dilnin të njëjta me ato që thoshte legjenda.
Nga Blerim Latifi
Ahmet Delia shfaqet që në vitet e Lidhjes së Prizrenit, kur me qindra njerëz të armatosur do të bllokonte për disa ditë në Grykën e Klisyrës, në rrugën Mitrovicë – Pejë, për të mos lejuar trupat osmane që t’u binin prapa shpine luftëtarëve të Lidhjes, të cilët po luftonin me ushtrinë e Dervish Pashës në Grykën e Caralevës, në Prillin e vitit 1881.
Dhjetë vite më vonë, Ahmet Delia do të rishfaqej përsëri, kur në krye të qindra njerëzve të armatosur u vuri flakën Sarajeve “Hamidie”, në vendin ku sot ndodhet qyteti i Skenderajt, duke mos lejuar që administrata osmane të zë vend në territorin e Drenicës.
Me 1903 e gjejmë përsëri në krye të një revolte tjetër: Sulmi mbi Mitrovicë dhe Vushtrri për të ndaluar vendosjen e Konsullatës ruse në Mitrovicë. Siç dihet, në përfundim të atij sulmi, mbeti i vrarë vetë konsulli rus.
Duke mos arritur ta bënte për vete, qeveria osmane vendosi të qëroj hesapet me të, njëherë e mirë. Me 1907 disa batalione, nën komandën e Shemsi Pashës e sulmuan bajrakun e Ahmet Delisë. Në Grykën e Klisyrës u bë një gjakderdhje e madhe. Artileria osmane arriti të asgjësoj pritën, pastaj trupat osmane hynë në Drenicë dhe punën e parë që e bënë e dogjën rrafsh me tokë kullën e Ahmet Delisë. Ai mbeti maleve për një kohë, pastaj me ndërmjetësimin e Xhemail Obrisë dhe Isa Boletinit shkoi në Mitrovicë për të bërë paqe me Shemsi Pashën, por aty, në vend të paqes, gjeti prangat. Të lidhur këmbë e duar, e nisën për në Burgun e Çanakkalasë, në afërsi të Stambollit.
Revolucioni Xhonturk, i cili solli rrëzimin nga pushteti të Sulltan Abdylhamidit, rezultoi me lirimin e shumë të burgosurve që kishin ngritur krye kundër tij. Në mesin e tyre ishte edhe Ahmet Delia. Ai u kthye në Prekaz dhe punën e parë që bëri ishte rindërtimi i kullës së rrënuar. Me të mbaruar punë, ai iu rikthye zanatit të vjetër: kryengritjes! Në pranverën e vitit 1910, me njësitin e armatosur, në Vushtrri do të çarmatoste trupat osmane që vinin me tren për të shtypur kryengritjen e cila kishte shpërthyer në Kosovë, ndërkaq në Majin e vitit 1912 ai priti në kullën e tij Hasan Prishtinën dhe u vu në shërbim të planit të tij për kryengritjen e përgjithshme shqiptare kundër Perandorisë Osmane. Këtë e pohon edhe vetë Hasan Prishtina në kujtimet e tij.
Pak muaj më vonë, në vjeshtën e atij viti, nisi Lufta e Parë Ballkanike. Serbia, Bullgaria, Mali i Zi dhe Greqia, përmes një aleance ushtarake sulmuan Perandorinë Osmane. Qëllimi i këtij sulmi ishte që pas shpartallimit të Perandorisë Osmane, territoret e saj ballkanike, të ndaheshin midis këtyre shteteve. Në fillim të tetorit të vitit 1912, tri armata serbe e sulmuan Kosovën: e para në drejtimin e Ibrit, e dyta në drejtimin e Merdarës dhe e treta në drejtim të Luginës së Preshevës. Qëndresa në Kosovë ndaj këtij sulmi ishte e paktë. Ushtria serbe e pushtoi lehtësisht Kosovën, brenda pak ditësh. Duke ikur bashkë me ushtrinë turke, një pjesë e madhe e krerëve shqiptarë të Kosovës u grumbulluan në Shkup. Pas fitorës që arritën në Betejën e Kumanovës, trupat serbe hynë në Shkup dhe i burgosën të gjithë ata që ishin aty. Më të njohurit mes tyre ishin Hasan Prishtina, Idriz Seferi dhe Nexhip Draga. Shumë prijës të tjerë hodhën armët dhe u dorëzuan tek autoritetet ushtarake serbe, të cilat u kujdesën që me tren t’i dërgojnë të gjithë në Burgun e Beogradit. Ndërkaq, në Kosovë kishin mbetur edhe dy prijës shqiptarë, të cilët ende nuk kishin rënë në duart e serbëve. Ata ishin Isa Boletini dhe Ahmet Delia. Në një mbrëmje të fundit të tetorit, Isa Boletini me një grup njerëzish të armatosur u shfaq para kullës së Ahmet Delisë në Prekaz. Natën e kaluan aty dhe, në bisedë e sipër, Boletini arriti ta bindte Ahmet Delinë që së bashku të niseshin për të kaluar në Shqipëri. Me të zbardhur mëngjesi, të dy burrat, në krye të grupit të armatosur, u nisën në drejtimin e Pejës. Me të arritur te vendi i quajtur “Përroni i keq”, në afërsi të fshatit Qubrel të Skenderajt, grupi u ndal për të pushuar. Ndërkaq, një bisedë me tone të ashpra filloi midis Isa Boletinit dhe Ahmet Delisë. Bajraktari i Prekazit kishte ndërruar mendje: nuk donte të vazhdonte më tutje; donte të kthehej në Prekaz. Isa Boletini i tha se çdo përpjekje për rezistencë tanimë ishte e kotë, por Ahmet Delia kishte marrë vendimin e pakthyeshëm. Të dy burrat u përshëndetën dhe vazhduan rrugën të ndarë. Ahmet Delia u kthye në Prekaz dhe mblodhi njerëzit e tij. Do të qëndrojmë!- u tha atyre. Të gjithë e shikuan me habi! Si mund të qëndronin kur njerëzit në mbarë Kosovën i kishte mbërthyer paniku i pushtimit serb dhe për më tepër as armë nuk kishin? Dikush tha se kishte dëgjuar se në Mitrovicë ende shiteshin armë dhe municione. Ahmet Delia u nis menjëherë për atje, por u kthye shpejt, pasi mori vesh se informata ishte e gabuar. Njerëzit filluan të mblidheshin rreth kullës së tij. Ishin të frikësuar dhe në panik. Përditë qarkullonin lajme për terrorin që po ushtronin njësitë ushtarake serbe, gjithandej Kosovës. Ishte çështje ditësh kur ky terror do të binte edhe mbi Drenicën. Dikush propozoi që Ahmet Delia të shkonte në Manastirin e Deviqit për të biseduar me gjeneralin serb dhe për t’i shprehur atij gatishmërinë e popullatës për nënshtrim, me qëllim që të shmangeshin raprezaljet. Ahmet Delia e refuzoi propozimin dhe, në nervozë e sipër, e përzuri propozuesin nga kulla. “Nuk i jam nënshtru Sulltanit e Shemsi Pashës, e po i nënshtrohem shkaut!”- ishin fjalët e tij. Njerëzit u shpërndanë dhe ai mbeti i vetëm në kullën e tij.
Nuk vonoi dhe ajo që pritej të ndodhte, ndodhi. Gjenerali serb, i stacionuar në Manastirin e Deviqit, organizoi një numër njësish të vogla ushtarësh dhe i nisi nëpër fshatrat e Drenicës, me qëllim pastrimin e terrenit, një emër ky për ato që në fakt ishin ekspedita të terrorizimit të popullatës. Njëra prej këtyre njësive ia mësyu Prekazit. Ishte fund dhjetori i vitit 1912. Njësia fillimisht u ndal në fshatin Klinë e Epërme, ku vranë një person dhe dogjën një shtëpi. Pastaj u futën në Prekaz, ku njeriun e parë në të cilën hasën, një bari dhish, e rrahën keq, duke e lënë të zhveshur në të ftohtin e dhjetorit. Pas këtij akti të parë të terrorit, ata u futën në Lagjën e Musajve për të vazhduar aktet tjera të poshtërimit të shqiptarëve, plaçkitjen, djegien, vrasjen e burrave dhe dhunimin e grave.
Bariu i rrahur nuk u kthye fare në shtëpi, por u nis drejt kullës së Ahmet Delisë. Hyri pa trokitur dhe e gjeti bajraktarin duke qëndruar i vetëm në kullë.
– Baci Ahmet, erdhën shkjetë në katun!,- ishin fjalët e para të bariut.
– Mua më rrahen keq dhe tani janë duke bo kërdi të Musovit!
Ahmet Delia nuk i tha asnjë fjalë bariut dhe me rrëmbim doli në oborr. I biri i tij, Murseli, ishte në oborr duke prerë dru për ngrohje.
Ahmeti i tha: – Lej ato dru, shkjetë kanë hy n’katun, të Musovit, duhet t’u shkojmë në ndihmë.
– Si t’u shkojmë në ndihmë?, – ia ktheu i biri. – Nuk kemi asnjë fishek për pushkë dhe ata me siguri janë të armatosur.
– Do t’ luftojmë me sakica!- ia ktheu Ahmeti. Dhe shtoi : – “Ky katun që tridhjetë vjet vjen pas meje, dhe unë sot nuk muj me i lanë në dorë të shkaut, pa mbrojtje, e me pshtu kryet tem”.
E tëra dukej një çmenduri: çfarë mund të bënin dy vetë me sakica, kundër një njësie të armtosur rëndë?
Të dy burrat dolën në sokak, ku u takuan me Ramë Islamin dhe djalin e tij, dhe të katërt u nisën drejt lagjes së sulmuar nga ushtarët serb. Ishte kjo një nisje drejt vdekjes së sigurtë. Drejt një skene të ngjashme me ato të filmit “Mohikani i Fundit”, ku indianët me armë primitive përpiqen t’u rezistojnë trupave britanike të armatosura me armë moderne. Të katër burrat, dhe disa të tjerë që shkuan pas tyre, arritën shpejt afër shtëpisë ku ushtarët serbë po bënin gosti.
Ahmet Delia u tha të tjerëve: ”Ju dilni nga prapa shpisë, e unë do të hyj përpara”. Dhe pastaj nisi beteja e pabarabartë: Ahmet Delia, me të hyrë në oborr, do ta godas për vdekje rojën e vendosur në hyrje të oborrit. Të bërtiturat e tij do t’i bëjnë të tjerët që të lënë gostinë dhe të dalin jashtë. Ata do ta godasin për vdekje Ahmet Delinë, i cili me sakicë ishte nisur drej tyre. Murseli me të tjerët që kishin ardhur nga prapa shtëpisë do t’u hidhen pas shpine. Brenda dhjetë minutash skena e oborrit ishte shndërruar në një skenë masakre: 12 ushtarë serbë të vrarë, Ahmet Delia i vrarë, Rama bashkë me të birin të vrarë dhe Murseli me gishtat e këputur të dorës. Vetëm një ushtar serb ia kishte dalur të shpëtoj, por kur arriti në Deviq nuk ishte në gjëndje të tregonte asgjë, ngase skenat e ngjarjes e kishin çmendur. Askush nuk kishte dilemë se çfarë e priste fshatin në orët në vazhdim: ushtria serbe do të vinte, burrat do të pushkatoheshin masivisht dhe fshati do të digjej. Një plakë që po shikonte burrat e tmerruar nga imagjinimi i këtij skenari, u tha atyre : “Shkoni nëpër katun, mblidheni dukatin e grave e futeni nëpër çantat e ushtarëve. Sillni gjithçka që ka vlerë dhe futeni nëpër teshat e tyre, që kur të vjen i pari i tyre le ta sheh që k’ta kanë dashtë me na plaçkitë, e na s’kemi pas çare pa u mbrojtë”!
Dhe kështu ndodhi: çantat e ushtarëve u mbushën me stoli ari dhe gjësende tjera me vlerë. Të nesërmen ushtria rrethoi fshatin. Në krye të saj ishte gjenerali i Deviqit. Kur pa ushtarët e tij të vrarë të mbushur me stoli ari, vendosi atë që pak kush e priste: fshati nuk do të prekej, por trupat e Ahmet Delisë dhe dy të tjerëve do merreshin nga ushtria. Në mbrëmje ushtria u tërhoq me trupat e të vrarëve dhe me t’u larguar nga Prekazi trupin e Ahmet Delisë dhe dy të tjerëve i hodhën në një varr të panjohur. Ky varr nuk është zbuluar kurrë, kështuqë sot Ahmet Delia bën pjesë në mesin e heronjve varrhumbur. Njësoj si Skënderbeu, si Pjetër Bogdani, si Gjergj Fishta, si qindra të tjerë, që nuk kursyen jetën për nderin dhe lirinë e atdheut të tyre.
Tek e fundit kujtimin e përjetshëm nuk ta siguron një gur varri! Ta siguron gjurma që lë në historinë e lirisë së popullit tënd. Dhe Ahmet Delia e la një gjurmë të madhe në këtë histori.
Ata që sot shkojnë në Prekaz për të nderuar Adem Jasharin, duhet të ngjiten edhe tek Kulla e Ahmet Delisë, sepse Adem Jashari nuk mund të kuptohet pa e njohur më parë kodin e rezistencës, të cilin e themeloi Ahmet Delia./ ObserverKult