Të martën, më 24 shtator, në ora: 20:00 fillon premiera e shfaqjes “Pesë stinët e armikut të popullit” e dramaturgut Jeton Neziraj.
Një ditë pas, shfaqjen do të mund ta ndiqni në Teatrin “Adriana” në Ferizaj, duke filluar po nga ora 20:00.
“Pesë stinët e armikut të popullit” flet për “heroin që komprometohet nga shumica” dhe për “përgjegjësinë e shumicës, si armike e të vërtetës dhe lirisë” (Ibsen, përmes Stockmann).
Por shfaqja nxerrë në pah edhe hipokrizinë e misioneve të paqes të UN-it, të cilat, në emër të stabilitetit politik, në emër të paqes, zhvillimit e të rikonstruktimit, mbyllin sytë përballë dr. Stokmanëve, dhe rrjedhimisht, bëhen pjesëmarrës në vrasjen e tyre.
Tematika e shfaqjes bartet pra në vitet e pasluftës, atëherë kur ndër tjerash Prishtinës iu zë fryma edhe nga ndërtimet pa leje.
“E administruar nga UN-i, Prishtina e pasluftës po kërcënohej nga ndërtuesit e fuqishëm ilegalë të cilët, në kundërshtim me të gjitha rregullat urbanistike, po ndërtonin brutalisht në çdo cep të saj. Arkitekti e planifikuesi hapësinor Rexhep Luci po përpiqej të vinte kontroll urbanistik.
Për kompanitë e ndërtimit e ato të prodhimit, për kastat e korruptuara politike, për mediet oportuniste, për komandantët e luftës, për zyrtarët e UN-it e për shumëkënd tjetër, ai ishte “armiku”.
Rexhep Luci ishte kërcënuar me jetë disa herë dhe pastaj edhe ishte vrarë në hyrje të banesës së tij në Prishtinë”, thuhet në njoftimin për shfaqjen.
“Pesë stinët e armikut të popullit”, është dramë e Jeton Nezirajt ndërsa regjinë e ka bërë Blerta Neziraj.
Aktorë: Armend Smajli, Shpetim Selmani, Egzona Ademi, Kushtrim Qerimi, Afrim Muçaj, Verona Koxha
Muzicientë: Drin Tashi, Tomor Kuçi, Arbër Salihu
Skenografia dhe kostumet: M. Nurullah Tuncer
Muzika: Irena Popovic- Dragovic
Koreografia: Gjergj Prevazi. / ObserverKult