Peter Mladinic: Katundi

Qendër tregtare, kazino, stadium, fushë golfi, kishë,
spital, bibliotekë.
Librat zënë shumë hapësirë.
Ato mund të dixhitalizohen;
pastaj mund të shembim muret, dyshemenë, çatinë,
ta rrafshojmë bibliotekën,
dhe në vend të saj të bëjmë një parking.
Shoqëria, duke injoruar letërsinë,
duke e vendosur bibliotekën në një cep të largët,
e zhvlerëson letërsinë. Nuk është e rëndësishme.
Pyetja themelore në letërsi është
Çka do të thotë të jesh njeri?
Një shoqëri që nuk e vlerëson letërsinë
nuk e vlerëson gjuhën. Letërsinë.
Ekziston zhargoni: usta i matematikës, usta i
bejsbollit, usta i kompjuterit, epitete
për njohjen e fjalorit të këtyre entiteteve.
Ama letërsia, si në ustallëk, është unike.
Jo bash çdo shkrim merret me çështjen
njerëzore. Gjuha është e rëndësishme.
Fjalët kanë rëndësi.
Carlos Fuentes e definon gjuhën
si një ngjarje shoqërore.
Fjalët shprehin mendime, ndjenja.
Përveç gjuhës së trupit dhe veprave,
gjuha është burimi ynë i komunikimit:
le të të them si ndihem, çka mendoj.
Komunikimi është dije,
e kundërta e dijes, injorancës.
Katundi. Komunikim i shkrim-leximit, dije
harmoni, begati. Analfabetizmi izolim,
injorancë, mosmarrëveshje, varfëri shpirtërore.
Shkrim-leximi – dua të ulem në një karrige
dhe të më shohin duke lexuar
duke lexuar Faulknerin. Dua që të tjerët të lexojnë.

Përktheu: Fadil Bajraj

ObserverKult


Lexo edhe:

“EPILOG”, POEZI NGA JOHN BERRYMAN